Filip Guraziu – GJAKU QË THRRET, NUK HARROHET!

0
105

” SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA”
GJAKU QË THRRET, NUK HARROHET!
Ishte vera e vitit 1943 kur forcat nacionaliste e forcat komuniste filluen të mendojnë programimin e bashkimit të tyne në luftën për lirim kombëtar kundër okupatorit italian. Me 1-3 Gusht 1943, në Mukje, afër Tiranës u organizue nji takim që mori emnin ” Konferenca e Mukjes” ku morën pjesë përfaqësues të forcave nacionaliste dhe komuniste me qellim bashkëveprimin në luftë. Vendimi i përbashkët që u firmos prej të dy palëve u hodh poshtë kategorisht prej Enver Hoxhës, me urdhen të komunistave Jugosllavë që nuk pranojshin referendumin popullor për të ardhmen e Kosovës. Ky moment njifet në histori si fillimi i ” luftës civile ” gjatë periudhës së luftës së dytë botnore në Shqipni.
N’atë mbledhje, si ndigjues pa të drejtë vote, merrshin pjesë edhe dy ushtarakë atdhetarë, prej Kosove, të diplomuem në akademitë ushtarake europiane: Z. Ismail Shehu dhe Z.Krasniqi. Simbas të dhanave të familjarëve, rezulton se ushtarakët e masipërm ishin shprehë gjatë mbledhjes së Mukjes në favor të bashkimit të Kosovës më Shqipninë. Kaq kishte mjaftue, për armiqtë dhe tradhëtarët e Shqipnisë që t’i dënojnë me vdekje .
Me 8 Tetor 1943 ,ato po ktheheshin në Gjakovë me veturën e tyne, kur papritmas rrugës drejt Kukësit, në Rrapaj ( Rrethi i Pukës) para tyne ndalohet tue i zanë rrugën nji kamionçin prej të cilit ulen dy vetë që po kontrollojshin difektin e makinës… Z.Shehu me Z.Krasniqi zbresin prej veturës për me i dhanë ndihmë për difektin, por në momentin që ato i afrohen, dy personat nxjerrin automatikët dhe i pushkatojnë….!
Koha kaloi dhe askush nuk jepte të dhana të besueshme se çka ndodhi me këta dy burra atdhetarë, çdo gja mbeti mister dhe e pa qartë si në mjegull, megjithate familjet e tyne e patën kuptue se vrasja ishte veper e urdhnueme prej komunistave jugosllavë dhe e zbatueme prej atyne shqiptarë ( simbas famijarëve, atentatori kishte qenë Vasil Shanto). Kishte fillue kështu eliminimi i të gjithë atyne patriotëve që kundërshtojshin vazhdimin e mbetjes së Kosovës nën Serbi.
Kaluen vjet, të tjerë nacionalista shqiptarë u eliminuen në të dy anët e kufinit politk, terrori komunist kishte dalë prej legalitetit, tashma vrasjet e eliminimet baheshin me gjygje popullore të paravendosun prej “Partisë”. Me 26 Shkurt 1951, pa proçes gjygjsor, por vetem me vendim terrorist të Byrosë Politke të kryesuem prej Enver Hoxhës e Mehmet Shehut u pushkatuen 22 intelektualë të pafajshëm ( sot Nderi i Kombit) ndër të cilët edhe vellau i Ismailit, Tefik Shehu i diplomuem për ekonomi e juriprudencë n’Itali.
Djali i të ndjerit Tefik Shehu, Hyseni nuk mbrrijti me e njoftë baben, sepse me 26.02.1951 kur komunistat i pushkatuen t’atin, ai ishte në barkun e nanës së tij…U rrit e mori shtat në internim si pjestar i klasës së deklasueme meqë ishte i biri i “armikut”… Ushtrinë e kreu në “Repartet e punës” ku dërgoheshin ato që ishin me “zgjeben ” e luftës klasore . Gjatë shërbimit ushtarak miqësohet me nji ushtar që banonte në katundin Rrapaj, Pukë me mbiemnin Çera e si ndodhë zakonisht n’orët e lira, biseda qet bisedën e ndër të tjera… ushtari Avni Çera prej Rrapaj, Pukë i kishte tregue ( me za të ultë si sekret) për nji ngjarje që kishte pasë ndodhë në kohën e luftës së dytë botnore në familjen e tij, ku rastësisht i ati, Z. Çera, me origjinë prej Peshkopie , por i çvendosun në Rrapaj, Pukë për arsye familjare kishte qenë dëshmitar:
Livadhi para shtëpisë së Z. Çera kufizohej me rrugën automobilistike që prej Shkodrës shkonte drejt Kukësit e në nji moment të ditës Z.Çera kishte ndie breshni automatiku që vijshin prej anës së rrugës. Menjiherë kishte marrë drejtimin e rrugës automobilistike e kishte mbetë me sy hapë prej tmerrit: dy burra të shtrimë për tokë, te përgjakun e të vdekun! Ishte shtangë…, priti se ndoshta dikush do të vinte me i marrë e me i sitemue të vdekunit, por kaluen orë e askush nuk u ba i gjallë. Burrnia e humanizmi i tij e detyruen me krye nji veprim jo vetem të vështirë, por edhe me pasoja te mundshme…! Me ndihmen e njerëzve të familjes transportoi kufomat deri te oborri i shtëpisë së tij, prej dokumentave kuptoi identitetin e tyne e me qenë se koha nuk priste ma, i vorrosi në oborrin e shtëpisë së bashku me nji shishe ku ishte i shkruem identiteti i kufomës.
Ishin kohë të turbullta, të vështira dhe të rrezikshmë, kohë lufte… Me intuitë Z.Çeraj i ishte afrue së vertetës; vrasja mund t’ishte politike. Nuk kishte asnji arsye me ba denoncimin e ngjarjes sepse mund të kishte edhe akuza e të tjera probleme jo të pëlqyeshme. Kaluen vitet, erdhi diktatura komuniste e aq ma teper ishte e preferueme heshtja e plotë. Sekretin e ngjarjes e dinte vetem ai e familja e tij!
Hysen Shehu nuk i besonte veshëve, në çast pat ba lidhjen e ngjarjes: mos ndoshta njeni prej kufomave ishte axha i tij, Ismaili, i zhdukun pa gjurmë ndërsa po kthehej vetë i dyti në shtëpi nëpërmjet rrugës për në Kukës me 8 Tetor të vjetit 1943 ? Mezi priste që të mbaronte shërbimi ushtarak për me zbulue të vertetën. Koha erdhi e Hyseni nuk vonoi, por shkoi për ” vizitë ” te familja e shokut të tij në Rrapaj, Pukë, ku gjeti mikëpritjen tradicionale shqiptare e pati mundësinë me bisedue drejtperdrejt me të zotin e shtëpisë, Z. Çera i cili i rikonfirmoi ngjarjen e masipërme si edhe vendin ku paten qenë vorrosë të dy kufomat e Tetorit të vitit 1943. Hapën së bashku gropën ku ishte vorrosë axha, Ismail Shehu e, në sekret të plotë Hyseni mblodhi eshtnat e kufomës, i futi në nji kuti teneqeje që përdorojshin bojaxhijtë, e izoloi sa mundi në të tana anët, falenderoi Z.Çera dhe familjen e tij tue i dhanë fjalën që jo vetem nuk do ta bisedonte ngjarjen me të tretët , por as me familjarët e tij; nanën, e motrën.
Fjalen e dha e fjalen e mbajti. Familjes Çera nuk i hyni asnji ” ferrë në kambë” në lidhje me sa ma sipër.
Ishte vjeti 1974 kur Hyseni i veshun me tesha pune ( per mos me ra në sy të ndonji kontrolli të mundshëm gjatë rrugës) u kthye së bashku me “kutinë e bojës” të futun në çantën e shpinës, në shtëpinë e tij. ” Kutinë e bojës” e vendosi në balkonin e apartamentit. Grave të shtëpisë i tha: mos e prekni, se nji shok ia kishte lanë në ruejtje.
Te nesërmen shkoi te vorrezat në Tiranë e takoi ” Rrupin”, vorraxhinë me ” lëkurë të nxime prej diellit”, të cilit i kerkoi ndihmë për vorrosjen e eshtnave të nji personi të familjes që shumë kohë ma parë kishte pasë qenë vorrosë n’oborrin e shtëpisë së tij. Rrupi, i kishte tregue me za të ultë që kjo punë nuk bahet, sepse për çdo vorrim kërkohen dokumenta etj….
“Kutija prej teneqeje e bojës” qendroi në balkonin e apartamentit e paprekun për 17 vjet !.
Vetem në vitin 1991, kur sitemi diktatorial komunist u vetëshemb e u liruen prej burgjeve të burgosunit politikë etj., Hysen Shehu mbrrijti me e vorrosë për të dyten herë axhen, të ndjerin Ismail Shehun, në nji vorr dinjitoz ngjitë me vorrin e nanës së Isamilit, gjyshes së Hysenit , Nasidës.
Por biri i familjes me emen të Shehlejrve të Gjakovës, Hyseni nuk gjeti qetësi; kishte vorrosë axhen e tij, por kishte mbetë pa vorr i ati, Tefiku së bashku me 21 shokë të tjerë të fatkeqësisë. Krahas detyrave të jetës e të familjes, mendja nuk i pushonte në kërkim të ” gropës së kuqe” ku ishte mbulue krimi komunist. Në përpjekje të vazhdueshme, falë fjalëve që qarkullojshin, mbrrijti me kontaktue nji familje fshatare në Mënik ( afër urës së Ndroqit) ku plaku i shtëpisë tregoi tmerrin asaj nate në të cilen qenë hedhe në gropë e pushkatue 22 persona të pafajshëm si dhe me përafërsi vendin e ” gropës së kuqe”.
Me ndërhymjen e Hysenit, nji buldozer hapi gropën e, për fatin e Hysenit, timin e të 20 familjeve të tjera u zbuluen eshtnat e viktimave: nji unazë ari martese konfirmoi identitetin e njenit prej tyne; ishte unaza e martesës e të ndjerit Zydi Herri, çka dha siguri të plotë se aty ndodheshin viktimat e masakrës komuniste të 26 Shkurtit 1951.
Në vjetin 1993 me ceremoni zyrtare të organizueme prej Bashkisë së Tiranës, eshtnat e të 22 viktimave u rivorrosën në nji vorr monumental të pozicionuem në nji vend të veçantë të Vorrezave të Dëshmorëve në Tiranë. Të 22 viktimat, ashtu si u pushkatuen, të lidhun e të bashkuem prej telave me gjëmba, po ashtu të vllaznuem prej vdekjes vazhdojnë me qendrue në perjetësi tue i rezatue brezit të ri shqiptar mesazhin me vlerë të madhe moralo atdhetar; ” Mos harroni…, para se me qenë, musliman, ortodoks, katolik, bekatshij jeni shqiptarë”.
Personalisht i jam mirënjohës përjetësisht shokut, vëllaut tim të fatkeqësisë, z.Hysen Shehut, për veprën e kontributin e tij në nderim të prindve tonë të paharruem.
Shenim: Të dhanat për shkrimin e masiperm janë marrë prej protogonistit të ngjarjes, Z.Hysen Shehu.
F.G.
( Tregimi, pjesë e librit ” Dromca Kujtimesh” i dërguem per botim

Imazhi mund të përmbajë: një ose më shumë njerëz, njerëz që qëndrojnë, pemë, bimë, lule dhe jashtë

Burimi/Facebook