Filip Pjeter Guraziu – Rexhep Mitrovica (1888 – 1967)

0
21

RUBRIKA RRAJËT
(PËR MOS ME HARRUE RRAJËT)
Rexhep Mitrovica (1888 – 1967)
NR.95
Rexhep Mitrovica (Mitrovicë, 18 janar 1888 — Stamboll, 21 maj 1967) veprimtar i çështjes kombtare, nënshkrues i Deklaratës së Pamvarësisë së Shqipnisë, nëpunës, ministër dhe kryeministër i Shqipmisë gjatë vjetëve 1943-1944. D.K.
Jeta
Leu në Mitrovicë, në nji familje atdhetare e fisit Hot me prejardhje prej Shkodrës. Gjyshi itij, Mehmet Ago Pasha , në moshën madhore , rreth viti 1855, u largue prej fisit në Shkodër. Mësimet e para fillore në gjuhën turke i bani në Mitrovicë. Në vjetin shkollor 1902/1903 , kur ishte 14 vjet, vazhdoi mësimet në gjimnazin Mbretnor të Selanikut ( Lice turk), shkollimin e naltë në Paris detyrohet me e ndërpre mbas dy vjetësh prej vdekjes së të atit.
Arsimtari A. Vokrri kumton se mbas kthimit në Shkup, Rexhepi mori drejtimin e shkollës profesionale aty, ku veçohet formimi prej tij e nji biblioteke të shkollës me rreth 700 libra. S’bashku me Bedri Pejanin e Sali Gjukën më 1908-n udhëhoqi nji fushatë propagandistike si parapregatitje për Kongresin e Manastirit.
Në prill të 1910 merr pjesë në Kongresin e Dytë të Manastirit.
Merr pjesë në Shpalljen e Pavarësisë në Vlonë, me 1912 ku firmos Rexhep. Ishte ai që propozoi sekretarët e Kuvendit:“Si u mbaruen këto punë, zoti Rexhep Beu mori fjalën e tha që si kryetar i kuvendit të zgjedhet Ismail Qemal Beu, si shkrues i parë Luis Gurakuqi e shkrues i dytë z. Shefqet bej Daiu. Delegatët e pëlqyen këtë kërkim e të propozuarit me të përplasurn duersh”. Me 7 mars 1914, Mitrovica mori pjesë në pritjen që iu ba Princ Vidit, i cili zbriti në Durrës. Me fillimin e Luftës së Parë Botnore u largua në Austri. Me 1916-n u vendos në Vienë. Atje studioi katër vjetë me radhë shkencat pedagogjike. Tue njohë vendimet e Kongresit Arsimor të Lushnjës (gusht 1920) për problemin e sistemit arsimor, Mitrovica menjëherë filloi punën për shtrimjen e rrjetit arsimor. Kongresi arsimor, që kishte si synim njisimin e organizimit të shkollës e zhvillimin e matejshëm të sistemit arsimor ekzistues, me iniciativen e Rexhep Mitrovicës, punoi në drejtim të sigurimit të kuadrit arsimor, të unifikimit të programeve mësimore, hartimit të teksteve shkollore, pregatitjes së disa projektligjeve, të cilat synojshin sanksionimin e drejtimeve kryesore që do të kishte arsimi në shtetin e ri, si: organizimi i institiucioneve qendrore arsimore, dokumentacionit shkollor etj. Kështu, Këshilli Kombtar nën udheheqjen e Rexhep Mitrovicës miratoi ligjet: “Mbi organizimin qendror të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi organizimin themelor të Ministrisë së Arsimit”, “Mbi ndjekjen e detyrueshme të shkollës”, “Mbi emnime e shpërngulje mësuesish”, “Mbi ngritjen e mbajtjen e ndërtesave shkollore”, “Mbi tekstet shkollore” e “Mbi bursat”. Rexhep Mitrovica përkrahu e ndihmoi organizimin e mbajtjen e Kongresit Arsimor të Tiranës (22.7 – 3.8.1922) ku u morën gjithashtu vendime të randësishme për demokratizimin e shkollës, laicizmin e saj, njisimin e punës mësimore, u miratue programi i ri i shkollës fillore, u caktuen afatet e shkollës fillore, u vendos me u hapë shkolla të ulta profesionale trivjeçare e Gjimnazi gjashtëvjeçar, me naltësue rolin e landëve shkencore, u shtrue nevoja e ngutshme për zbatimin e parimit të konkretizimit. Hodhi idenë e hapjes së nji biblioteke kombëtare në Tiranë. Në politikë në vjetët 1920-1924, si ministër i Arsimit mbas 26 dhjetorit 1920 në qeverinë e Xhaferr Ypit; anëtar i Komitetit të Kosovës në Degën e Durrësit. Mit’hat Frashëri rekomandoi që në Kongresin e Lidhjes Shqiptare të Shoqnisë së Kombeve me qenë Rexhep Mitrovica, Eshref Frashëri, Bedri Pejani, Sejfi Vllamasi dhe Aleksandër Xhuvani. Rexhep Mitrovica inspektoi e ndihmoi shkollat shqipe në veri e në jug të Shqipërisë, ndikoi që parlamenti shiptar ,e dhanë votbesimin për shkollën profesionale, autorizoi shumën prej 60 mijë franga ari për me plotësue ndërtesen e kolegjit të filluem prej turqve me 1910. Shkolla u pague prej qeverisë e përgjegjësia për sigurimin e lokalit ra mbi shqiptarët. Shkolla profesionale shqiptare ose Shkolla Teknike Shqiptaro-Amerikane u krye në prill të vjetit 1922. Ministri i Arsimit Rexhep Mitrovica bashkëpunoi ngusht me udhëheqësit e shkollës profesionale, Harry Fultz, Charles Holingshed etj. Me përkrahjen e Ministrisë së Arsimit e vëçanërisht të Rexhep Mitrovicës, u themeluen organizatat profesionale të mësuesve të Shqipnisë, si: “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Durrësit” (8 janar 1922), “Lidhja e mësuesve të prefekturës së Shkodrës” (18.6.1922), “Lidhja shoqnore e arsimtarëve të Korçës” (23.3.1923) etj., që çuen në krijimin në Tiranë të Lidhjes së Përgjithshme të Arsimtarëve të Shqipërisë” (gusht 1924), në botimin e revistës “Arsimtari”. Në vitet 1925-1939 veproi në Kosovë e mandej n’emigracion.
Me 6 prill 1941 Gjermania naziste sulmoi Mbretninë Jugosllave, gja që pritet me entuziazëm prej krenëve të popullit shqiptar të Kosovës të cilët kishin pësue politikat shpopulluese të Jugosllavisë. Mbas ndamjes së Kosovës në tre zona ndikimi, asaj italiane (që iu bashkue Shqipnisë ‘së vjetër’), gjermanes (Mitrovica, Podujeva, Vuçiterni) e bullgares. Zona gjermane ra nën kontrollin e vendasve, Bedri Pejanit, Xh. Devës. Delegacioni shqiptar, mbas akuzave të ministrit Aqimoviq se gjoja shqiptarët vritshin serbët, ofroi të dhana relevante me të cilat dëshmohej se kjo ishte një rrenë e madhe serbe. Rexhep Mitrovica e Xhafer Deva nxorën 20-30 fotografi të shqiptarëve të masakruem e të hedhun në Ibër (1941), tue dëshmuar se shqiptarët janë ata që e kanë pësue prej kriminelave serbë. Bedri Pejani pohon se bashkë me Rexhep Mitrovicën, Ali Dragën, Vehbi Frashërin e Kudret Kokoshin kanë qenë edhe disa herë të tjera në Beograd, ku kanë paraqitë pikëpamjet e qëndrimet e tyre për moscopëtimin e Kosovës. Në nji mbledhje tjetër që u mbajt në Podujevë midis palës shqiptare e asaj serbe, ku palën serbe e përfaqësonte Vojvoda Kosta Peqanci, komandant i çetnikëve në kufi, u gjykuen sulmet e masakrat e çetnikëve në kufijtë veriorë të Kosovës. Në kët kohë gjermanët urdhnuan burgosjen e ebrejve e romëve me origjinë prej Egjiptit, mirëpo, mbas ndërhymjes së Rexhep Mitrovicës, Xhafer Devës, Ago Agait e Vehbi Frashërit, ky vendim nuk u zbatue, përkundrazi, iu mundësue ebrejvekalimi përmes korridorit të sigurt nëpër Drenicë, të tërhiqen deri në Shqipni. Rexhep Mitrovica kishte marrë në dorëzim detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare Shqiptare në trojet e çlirueme. Përveç organizatorit të veprimeve luftarake, u angazhe me pasion edhe në aksionin për pajtimin e gjaqeve në Kosovë. Punoi e luftoi për mbrojtjen e tanësinë territoriale shqiptare prej sulmeve të forcave çetnike. Kur pa se italianët po i favorizojshin forcat malazeze, sulmoi randë ushtrinë e tyne. Kjo veprimtari e tij ra në sy të fashistëve italianë, të cilët në gusht të 1943 e arrestuen. U dënua disa vjet me akuzën “për veprimtari kundër regjimit italian në Shqipëri”. Burgun deri më 13 shtator, bashkë me Bedri Pejanin, Mehdi Frashërin, Xhelal Mitrovicën etj. e vuejti në Porto-Romano afër qytetit të Durrësit.U zgjodh kryetar i KQ të Lidhjes së Dytë të Prizrenit me 16 shtator 1943. Me 16 tetor 1943 u mblodh në Tiranë Kuvendi Kombëtar, i cili shpalli “Këshillin e Nartë të Regjencës” të përbamë prej Mehdi Frashërit, Fuat Dibrës, Atë Anton Harapi, e Lef Nosi e më 5 nandor 1943 Regjenca emnoi qeverinë me kryeministër Rexhep Mitrovicën, të cilit iu besua edhe detyra e Ministrit të Kulturës Popullore. Në maj 1944, jep dorëheqjen si kryeministër e kthehet në Kosovë. Mërgimi-
Në gjysën e nandorit 1944 grupi i kosovarëve, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva, Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica, e Rexhep Krasniqi, mori rrugën e mërgimit. Mbas nji qëndrimi dyjavor në Zagreb ata shkuen në Austri. R. Mitrovica kishte shëndet delikat e u detyrue me u shtrue në senatoriumin afër qytetit Feldkireh bri kufinit zviceran. Mbrapa, grupi i shokëve kosovar e morën në itali Rexhep Mitrovicën e përmirësuem. Fillimisht u vendosën në Gjenova e, mbas dy muejsh, me ndihmën e nji deputeti turk me origjinë shqiptare prej Prizrenit, mik personal i Xhafer Devës, i siguruen Rexhep Mitrovicës lejen për me jetue në Turqi, ku dhe vdiq.

Burimi/Facebook/Pro Gegnishtes