Fishta në letrat shqipe

0
110

Në kuadër të 149-vjetorit të lindjes së Homerit Shqiptar, At Gjergj Fishtës, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar organizuan aktivitetin: “Fishta në letrat shqipe”.

Studiuesi Tonin Çobani foli për teatrin e Fishtës i cili përbëhet nga rreth 40 vepra teatrore, ndër të tjera ai tha: “Heronjtë e Fishtës flasin me nje gjuhë të zgjedhur, subjektet i merr biblike, mitologjike dhe nga realiteti i përditshëm duke i ulur këto prane njëri-tjetrit.”
Studiuesi Kolec Cefa e cilësoi Fishtën si një njeri të jashtëzakonshëm i cili qëndron në majën e lirikës dhe epikës së letrave shqipe dhe që duhet lexuar në gjuhën e tij origjinale pa qenë nevoja të kthehet në gjuhën standarde letrare.
Në fjalën e tij përshëndetëse Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, theksoi ndër të tjera se: “Në lidhje me veprën Lahuta e Malcis, Konica do të pohonte që është një vepër të cilën sa do të mundohen vendet fqinje, nuk do ta kenë kurrë. Fishta është një kollos, poet kombëtar. Në këtë përvjetor të ditëlindjes së Fishtës kemi dhe rindërtimin e shtëpisë ku ai ka kaluar fëmijërinë. Shpresoj që me ndihmën e kolegëve muzeologë të fillojë sa më parë muzealizimi i shtëpisë së tij.”
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Znj.Alda Bardhyli, tha se: “Fishta është një figurë i cili vijon të na bashkojë duke na treguar përmes leximeve se qëllimi i artit do të jetë përjetësisht i tillë, humanizmi”

Censurimi i veprave të Fishtës

Veprat e Gjergj Fishtës mbas ndalimit të tyre për të qarkulluar në rrjetet librore, në vitin 1946 iu nënshtruan censurës. Rrjeti bibliotekar e futi nën index dhe mund të shërbeheshin vetëm për studiuesit me autorizim. Ndërsa qarkullimi privat i veprave të tij, iu përshtat situatës së censures, p.sh. duke u fshehur nga kredencat apo bibliotekat.

Një nga mënyrat e qarkullimit në tregun e zi të librit ishte edhe riveshja kamuflazh e tyre. Zakonisht përdoreshin për riveshjen kopertinat e librave sovjetike në gjuhën frënge, si në rastin e Iibrit “Anzat e Parnasit”, të Ex Libris-it – bibliotekës së Mark Ndojës, student i Fishtës.
Krahas Fishtës ka qarkulluar kështu si në kohën e Perandorisë Turke, çdo vepër e ndaluar, pasi kjo përvojë u ringjall. Mbas viteve ’67 këtë teknikë e shtynë më tej klerikët me leteraturën fetare. Antikuaristët e librave, si Tahir Dizdari, e kanë ushtruar në Tiranë teknikën e veshjes kamuflazh.

Leka Ndoja, i biri i Markut, i tregon Drejtores së QKLL Alda Bardhyli, dy libra të ndaluar, marrë nga biblioteka familjare e Gjergj Fishtës të mbetura ende nën kamuflazh.
Librin “Anzat e Parnasit”, që shquhet per satirat politike, është ende nën kopertinën sovjetike “La literature sovietique – kopertina fake”. Këtë libër
e ka qarkulluar Mark Ndoja ndër studentët e tij të Institutit Pedagogjik 4-vjeçar, i cili ruante gjithashtu edhe kryeveprat e tij “Lahuta e Malcisë”, botim i vitit 1937 dhe vepra “Vallja e Parrizit”, botim i vitit 1925.
Këto vepra, Leka i tregon me pasionin e madh të zbulimit të një sekreti, që deri pak vite më parë ishte vetëm i tiji.

Burimi/QKLL/ GazetaMetro