Fjala e Presidentit të Republikës, SHTZ, Ilir Meta, me rastin e dekorimit të zotit Muharrem Salihu, me titullin “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”

0
132

I dashur zoti Muharrem,
te dashur familjare te tij,
të nderuar autoritete, dhe të pranishëm te tjere,
jemi mbledhur sot për të nderuar një figurë emblematike të diasporës sonë kombëtare, zotin Muharrem Salihu. Ai përfaqëson një prirje të kahmotshme të kësaj diaspore:
lidhjen me trojet amëtare dhe kontributin e pandërprerë në favor të saj.
Muharrem Salihu është një ndërmarrës i klasit të parë në Itali, në Veri të saj, në një rajon si Veneto me standarte të larta manaxheriale.
Ne vitin 2018 nga 1.068.000 biznese ndermarrja e tij ishte ne top 10-shin e me te mireve. Ai jeton atje prej shumë vitesh me familjen e tij dhe fare mirë mund ta kishte vazhduar gjithë përditshmërinë e tij në Venecia. Do të ishte i lumtur, do të ishte rehat ai dhe fëmijët e tij, të afërmit e tij, sepse suksesi në biznes ja mundëson këtë. Mund të kishte marrë prej kohësh shtetësinë italiane. Mirpo jo: sipas një modeli të hershëm të rilindjes sonë kombëtare që gjen energji të re tek te diaspora e Amerikës, ajo e Italisë, , Muharremi kthehet rregullisht tek rrënjët, tek fshati i vet Tupallë, pjesë e komunës së Medvegjës, në Republikën e Serbisë.
Ky kthim tek rrënjët, kjo jete ne mes Venedikut dhe Medvegjes, ka prodhuar rezultate të shkëlqyera në favor të kombit, komunitetit të tij.
Muharremi ka financuar kërkimin, studimin e valleve, e kostumeve popullore të Medvegjës dhe realizoi konferencen shkencore mbi trashegimine kulturore. Ky kontribut është një hipotekë që ne të dëshmojmë botërisht gjurmët e ekzistencës sonë të hershme kombëtare në Medvegjë, komunën më të madhe në Luginën e Preshevës, që sot po mpaket. Po tkurret. Por Muharremi nuk don ta lejojë këtë.
Dhe Muharremi na ka bërë thirrje dhe ne t’i bashkohemi ndërmarrjes së tij kombëtare:
prej vitesh ai lufton të ndalë një proces perfid të mpakjes sonë si komb, në kufijtë ekstremë të ekzistencës sonë si shqiptarë, kufij që janë rrudhur vazhdimisht në dy shekujt e fundit. Është i ashtuquajturi proces i pasivizimit të adresave. Prej vitesh ai flet me ne, me autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës për këtë problem, flet me Komisionin e Venedikut, me Kongresin Amerikan, me Parlamentin Europian. Nëse ne nuk shkojmë të shohim ato vende të mrekullueshme, Banjën e Sijarinës, nje mrekulli natyrore, Medvegjën e gjeneral Veli Dedit, Tupallen e akademikut Idriz Ajeti, etj, nuk do të kuptojmë Muharremin, rrënjët e Muharremit, rrënjët tona, gjakun tonë. Unë e kam bërë këtë udhëtim dhe e kam kuptuar Muharremin. Kam kuptuar se pse Serbia synon të shpopullojë Medvegjën në një lojë perverse të korrigjimeve të pabarabarta territoriale.
Duke udhëtuar në Medvegjë, kam kuptuar se pse Muharremi ka vendosur të investojë në një fabrikë në Medvegjë. Kjo fabrikë jo vetëm mundëson qëndrimin e familjeve shqiptare, por dhe bashkëjetesën ndëretnike. Kam kuptuar pse ai ka financuar një muze, një amfiteatër për shfaqje kulturore në shqip, afër lagjes së vet, afër varreve të të parëve, afër shtëpive që janë shtyllat e ngulura përjetësisht të ekzistencës sonë si komb në ato vise. Shembulli vlen për të gjithë si ai që duan të kthehen!
Ky nderim sot për Muharremin, është nderim dhe për të gjithë ata si Muharremi, që kanë vendosur të rezistojnë. Të qëndrojnë. Të mos braktisin vatrat e të parëve.
Falemnderit Muharrem, që na bën krenarë me veprën tënde sot.
Dikush që nuk e kishte bërë udhëtimin, për të rritur ndërgjegjësimin për kontributin e tij kombëtar, e quante metaforikisht: Don Kishot ose I Fundmi i Mohikanëve.
Don Kishoti luftonte për kauza fisnike, por nuk fitonte;
I Fundmit i Mohikanëve, ishte ndër banorët etnikë të fundit mbetur në trojet e veta përballë kolonizatorëve. Dikur kolonizatorët fituan, i getoizuan autoktonët në rezervate.
Jo, Muharremi nuk është as Don Kishot dhe as i Fundmi I Mohikanëve. Ai është njëlloj Rilindasi Modern. Ai na ka ndërgjegjësuar ne, përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare për dramën e bashkëvendasve të vet. Me vonesë, por ja arriti.
Na fal Muharrem që jemi kujtuar kaq vonë.
Falemnderit që na zgjove nga gjumi ynë I retorikës kuazi patriotike, por bosh brenda.
Më vjen mirë që diçka po bëjnë dy ministritë tona të jashtme sot. Falë nxitjes së Muharremit. Inkurajoj krijimin e Këshillit Politik dhe vendosjen e tij në Medvegjë simbolikisht, për të ndalur hemoragjinë tonë kombëtare atje.
Urime!
Tiranë,22 dhjetor 2020/Medvegjasot/

Burimi/Medvegja Sot