Fjalimi i jetes time! Ylli ynë polar – çështja kombëtare.

0
106

Sali Berisha
Mbajtur si sot 30 vjet me pare ne mitingun e legalizimit te Partise Demokratike ne Sheshin Demokracia te Qytetit Studenti.
Mund ta lexoni sipas desherise! sb
Fjala, që Dr. Sali Berisha, anëtar i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike, mbajti në mitingun e Qytetit të Studentëve
(botuar ne gazeten RD, me 5 janar 1991)
Motra dhe vëllezër, qytetarë të Tiranës.
Jemi mbledhur në këtë miting të lirë për të festuar legalizimin e Partisë Demokratike, pra të pluralizmit politik në Shqipëri. Në të vërtetë, dimensionet e kësaj feste janë tejet të mëdha. Së bashku me ne, sot, festojnë vëllezërit tanë në Kosovën martire, që sakrifikuan aq shumë për nënën Shqipëri. Gëzon e feston sot, diaspora shqiptare shumëmilionëshe që, për tempull të përjetshë ka Shqipërinë dhe symbol të saj – flamurin e Skëndërbeut. Me ne janë të pranishëm dhe po gëzojnë të gjithë korifejtë e mendimit demokratik të kombit, duke filluar nga humanitarët shqiptarë të Rilindjes europiane, rilindasit tanë të ndritur, artikektë të ’24-ës dhe demokratët e ditëve të sotme. Por sot janë zgjuar e po na shohin e dëgjojnë mijëra e qindar mijëra bij e bija të kombit shqiptar që prehen në altarin e lirisë e të demokracisë. Të gjithë ata u flijuan që Shqipëria të jetë e lirë dhe demokratike, dhe shqiptari të jetë ashtu siç i ka hije: zot i vërtetë i vetvetes dhe vendit të tij. Prandaj, për të shprehur nderimin dhe mirënjohjen tonë të thellë ndaj tyre, le të brohorasim të gjithë së bashku: Nder e lavdi të gjithë atyre dëshmorëve të lirisë e të demokracisë! Rroftë Nëna Shqipëri!
Por sot, me ne, gëzon edhe mbarë Europa demokratike, opinion demokratik ndërkombëtar, miqtë dhe dashamirësit e vërtetë të kombit shqiptar. Prandaj, si mirënjohje, ju ftoj të brohorasim: Edhe ne si gjithë Europa!. Ne sot kemi edhe një gëzim tjetër. Në vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, padyshim, fuqishëm dhe pozitivisht kanë ndikuar një sërë faktorësh, ndër të cilët më madhorë janë fryma e Helsinkit dhe lufta e vëllezërve tanë kosovarë për liri, demokraci e të drejta njerëzore; faktori Gorbaçov dhe ndryshimet e botës Lindore. Por, e vërteta është de këtë fitore të madhe historike shqiptarët e arritën pa ndërhyrjen e kurkujt, të mbështetur në traditën e tyre të lashtë, kuvendin, dialogun, që për yll polar gjithnomë ka pasur çështjen kombëtare. Le të na prijë gjithmonë kjo çështje për zgjidhjen e të gjitha problemeve të mëdha që kemi përpara. Partia Demokratike, zotohet sot para jush, se do të luftojë pa lëkundje për realizimin e idealeve dhe aspiratave demokratike të mbarë kombit shqiptar. Ajo do të luftojë që shqiptari, si njëri ndër më të vjetrit banorë të Europës së qytetëruar, të gëzojë në realitet të gjitha liritë dhe të drejtat e garantuara nga Kushtetuta e shtetit shqiptar, Karta e KB-së dhe aktet e KSBE-së. Ajo do të luftojë t’i rikthejë Shqipërisë lidhjet e saj të natyrshme me demokracitë e vërteta, aleatët e saj natyralë. Ajo do të luftojë për një Shqipëri të lirë, të përparuar dhe demokratike, të integruar plotësisht në proceset europiane, që të ulet si zonjë dinjitoze në Kuvendin e familjes së vendeve të tjera të Europës. Partia Demokratike do të luftojë pa u lëkundur që, vëllezërit tanë në Kosovë, të gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat demokratike, përfshirë atë të vetvendosjes, që janë të sanksionuara në Kushtetutën jugosllave, Kartën e OKB-së dhe aktet e Helsinikit. Partia demokratike nuk mund të pranojë si të përjetshme, ndarjen e kombit shqiptar. Prandaj, dhe do të luftojë me mjete paqësore dhe në kuadrin e proceseve integruese Europiane, të realizohen të drejtat e tyre për përparim dhe bashkim kombëtar. Partia Demokratike do t’ju sigurojë minoriteteve që jetojnë në Shqipëri të gjitha të drejtat konstitucionale dhe ato që rrjedhin prej akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, duhet të kemi të gjithë të qartë se rruga e demokracisë, nuk është një autostradë pa pengesa. Lula çeli në dimër – tha Kadareja. Prandaj, detyrë e parë e secilit është që ta mbrojë sa të vijë pranvera, se pastaj ajo, gjithë vendin do ta lulëzoje.
Në emër të Partisë Demokratike kam nderin të parashtroj para jush kërkesat që vijojnë:
Së pari, me qëllim që në Shqipëri të realizohen zgjedhje të lira, pluraliste, në përputhje me standartin ndërkombëtar, të shtyhen për në fillim të muajit maj zgjedhjet për në Kuvendin Popullor dhe të ndryshohet ligji për zgjedhjet, të ndryshohet Komisioni i Hartimit të Kushtetutës dhe Komisionin Qendror i Votimeve, mbasi janë të ndërtuara nga partia që është në pushtet ddhe nuk i përshtaten realitetit të sotëm pluralist.
Së dyti, Partia Demokratike ju bën thirrje forcave demokratike të Shqipërisë, që ta mbrojnë demokracinë e re nga rreziqet e mëdha që po i kanosen, ndër të cilët kryesori është burokracia shqiptare.
Burokratët, shumë prej tyre të krimbur prej privilegjeve dhe në verbësi të plotë politike, janë të gatshëm që lirinë dhe pavarësinë e vendit ta lidhin Burokratët, shumë prej tyre të krimbur prej privilegjeve dhe në verbësi të plotë politike, janë të gatshëm që lirinë dhe pavarësinë e vendit ta lidhin me kolltukun e tyre. Ata tani po montojnë strategjinë e tensionit, po shpifin, po hartojnë plane të zeza dhe kurthe djallëzore.
Proceset demokratike në Shqipëri nuk janë çështje të një grupi njerëzish; ato në të vërtetë janë shpirti i një kombi mijëravjeçarë, me të cilin dogmat bolshevike dhe të tjera janë të qëndrueshme sa byrma para diellit. Këto procese janë mbarë popullore, mbarë europiane; mjerë ai që ngrihet kundër tyre.
Por, vëllezër dhe motra, një armik tjetër i madh dhe jo më pak i rrezikshëm për demokracinë në Shqipëri, është edhe zgjimi i demonit të hakmarrjes dhe urrejtjes, të cilin e nxisin dhe e dëshirojnë armitë e kombit dhe të demokracisë. Megjithatë, unë kam bindje të plotë se, edhe planet e projektet e tyre, do të dështojnë. Historia jonë tregon se shqiptarët janë kombi i pajtimit, se kur është fjala për çështjen kombëtare ata lidhin besën dhe mbyllin çdo plagë dhe dinë që, fermentin shkatërrimtar të hakmarrjes, urrejtjes dhe vëllavrasjes, ta Historia jonë tregon se shqiptarët janë kombi i pajtimit, se kur është fjala për çështjen kombëtare ata lidhin besën dhe mbyllin çdo plagë dhe dinë që, fermentin shkatërrimtar të hakmarrjes, urrejtjes dhe vëllavrasjes, ta shndërrojnë në virtytin e pajtimit, urtësi dhe unitet kombëtar.
Çdo shqiptar duhet të mos harrojë se, në historinë tonë të vështirë e të dhimbshme, vuajtjen e dhimbjen më të madhe i pati nëna shqiptare. Le të na pajtojë pra, dhimbja e saj, lotët e saj, hatri i saj, qumështi i saj. Rroftë nëna shqipëtare!
Prandaj, Partia Demokratike dhe mbarë opinioni demokratik shqiptar e konsiderojnë të domosdoshme hartimin dhe zbatimin e një politike të pajtimit kombëtar, bazuar në dialogun ndërmjet forcave politike të interesuara dhe në përputhje me normat juridike të njohura.
Rroftë Demokracia!
Rroftë Partia Demokratike!

BurimiFacebook/Sali Berisha