Fjalimi i Prof. Ernest Koliqit në mbledhjen e antarëve të partisë “Blloku Kombëtar Indipendent” në emigracion, mbajtur në Belgjikë, në 1971.

0
33

Vëllazën të dashtun,
Antarë të B.K.I në Belgjikë,
Pikësëpari ju falenderoj me gjithëve me zemër për pjesmarrjen tuej dhe jam i lumtun qi ndodhem mes jush në Belgjikë për të mbajtë këtë fjalë. Detyra akademike qi nuk munden të shtyhen po më ndalojnë me plotësue dëshirin tuej dhe temin, sidoqoftë më njehni shpirtnisht pranë jush sot.
Si nji ndër themeluesat e Bllokut dhe nji prej antarëve ma të vjetër me moshë më lejoni bashkë me përshndetjen teme urimtare, tju drejtoj disa fjalë të thjeshta mbi randësinë e kësaj mbledhjeje qi ka vështrime të shumta e të ndryshme.
Na Bllokistat jemi gjithnji në llogorin antikomunist, ashtu si ishim atditë qi u themelue para 25 vjetve Partia jonë. Kurrrgja ska ndryshue në Shqipni, prandej kurrgja ska ndryshue as në drejtimet e synimet tona. Tirania kuqalashe sot mshefet me marifetin ma të madh nën nji maskë përparimi dhe përpiqet mos me ia zbulue fytyrën e vet të vërtetë të huejve por në realitet ajo është mizore e antinjerëzore ashtu si e ka njoftë shumica prej jush kur trimnisht asaj i jeni kundërvu me armë në dorë. Qëllimet e Bllokut jesin ato qi ishin. Duem të japim, si e kemi dhanë der sot, kontribut sa ma të zellshëm për clirimin e vendit tonë, për kthimin e tij në hulli të traditave të shëndosha stërgjyshore, për përtërimjen e flakës vëllaznore në votrën e Atdheut, sot të shkretueme.
Na kemi vupërherë Shqipnin mbi Partin. Kët qëndrim mbajmë edhe sot. Dashunija e kulluet pa ambicje e interesa vetjake na shtyn me u shtri dorën të gjitha grupimeve antikomuniste të mërgatës për nji marrveshje qi ta harmonizojë veprimtarinë e tyne me ate tonën.
Qëllimi kryesuer i Bllokut asht nji Shqipni shqiptare, e lirë në lulzim të përjetshëm të dokeve fisnike, natyrisht të këndelluna në frymën e kohnave të reja.
E dij se ju ushqeni po këto mendime e këto ndjesina. Ky asht ideali i juej qi keni shugurue me prova trimnije.
Sot, në këtditë, tue kujtue therorinat e gjakun e derdhun për liri e naltësim qytetnuer të Shqipnisë, ta çojmë mendjen te dëshmorët qi banë fli jetën për ideale kombëtare dhe të përsërisim besën me vazhdue luftën kundra çdo armiku qi ato ideale i cënon.
Rrnoftë Shqipnia, Nanë e të gjithë atyne qi kanë gjak iliro-thrak ndër deje e qi flasin shqip!
Rrnoftë Blloku Kombtar Indipendent!
p.s. Profesor Ernest Koliqi, të cilin koha e njohu mjaft mirë por jo shqiptarët e Shqipërisë së sotme, është cilësuar (bashkë me shumë shqiptarë të tjerë siç është dhe atdhetari i mrekullueshëm Xhafer Deva) si “kuisling ose e thënë ndryshe kolaboracionist” nga regjimi i zi i komunizmit. Nëpërmjet kësaj fjale të tij të mbajtur në Belgjikë në vitin 1971 ndjehet fort arsyeja përse etiketoheshin me emërtime të tilla shqiptarët më atdhetarë e më të devotshëm për bashkim e prosperitet kombëtar.
Së shpejti do të sjell një analizë mbi shqiptarët e etiketuar si kolaboracionistë, mbi përpjekjet e idetë e tyre, punën e angazhimin e tyre për Shqipërinë deri ditën që mbyllën sytë.
Turpi për harresën e këtyre shqiptarëve të mëdhenj që nuk i vijnë më Shqipërisë mbetet i të gjithëve ne të sotmëve në botën shqiptare sepse duke mos ditur asgjë mbi të shkuarën përpos mashtrimeve të komunistëve e larove në shërbim të tyre deri sot, ne kemi minuar fatin e Shqipërisë dhe e kemi mbytur atë në injorancë me vjedhje, turpe e vëllavrasje deri sot.
Duke mos e njohur filozofinë e mendjeve më brilante që ka pasur ky vend ne kemi degraduar duke vënë në udhëheqje prej 76 vitesh antishqiptarë vrasës e hajdutë, imoralë e skandalozë sa është turp t`i përmendësh ndërsa ne i kemi vënë mbi kolltukë e vazhdojmë ende. Kjo është e pafalshme, tregon një miopi e injorancë shumë të thellë në shkallë shumë të gjerë shoqërore e kjo duhet të jetë këmbanë alarmi e tmerri për ne që po u shkatërrojmë të ardhmen fëmijëve tanë me duart tona.
Ervina Toptani

Burimi/Facebook/Pro Gegnishtes/Arjan Tivari