“Fytyra e babait pas telave me gjemba”

0
94

“Tërhiqeshim zvarrë për të parë babain në burg qysh fëmijë e shikonim vetëm nga ato telat dhe kur e shkojshim herën tjetër as nuk e mbanim mend fytyrën e prindit. Fëmi të traumatizuar”, rrëfen Fatmira Hasimja Përmeti. Me bashkëshortin e saj, Esmer Përmeti, të dy fëmijë të prindërve të shpallur “armiq të popullit”, rrëfejnë historinë e dhimbshme të jetës së tyre nën diktaturën komuniste. Ata trashëguan prej prindërve peshën e rëndë të diktaturës që i mbajti si skllevër për 45 vjet. Përballja me persekutorët dhe zaptuesit e shtëpive të tyre dhe zhgënjimi me sistemin e ri pas rënies së diktaturës.

Mirush Përmeti ishte babai i dy vajzave, e në pritje të fëmijës së tretë, bashkë me bashkëshorten Bedrien kishin thurrur ëndërra për të ardhmen. Jetonin në vilën e ndërtuar prej tij me sqimë e prej së cilës përhapeshin aromat e luleve e portokajve në rrugën Pjetër Budi. Por bashkë me këtë godinë të ngrohtë, kultura e formimi i tij, deri më vitet 1945 e vënë në shërbim të Shqipërisë do t’i ktheheshin në bumerang. Si ish-gjimnazist i shkollës amerikane Harry Fultz e i diplomuar në Padova, inxhinieri , ishte një nga pretendentët më të lakmuar të diktaturës, për tu shpallur “armik populli”. Në arrestimin e parë të tij në vitin 1945, pinjollët e partisë do të dështonin për mungesë provash. E megjithatë, fati i tij si i dhjetëra inxhinierëve ishte paracaktuar. Sinjali i parë, ishte urdhëri i Spiro Kolekës në 1 korrik të vitit 1945, për mobilizim të tijin në tharjen e Kënetës së Maliqit, ndërsa afati 7 mujor për kryerjen e punës, ishte gracka. Të vetëdijshëm për këtë mision të pamundur, dhe në tentativat për të shpjeguar se kjo nuk mund të arrihej, ata u ndeshën me akuza e sulme, fillimisht verbale të komunistëve, që i etiketonin si sabotator..

“Nëna thotë që kur erdhi herën e fundit nga Maliqi ishte shumë i tronditur, nëna e kishte pyetur dhe ai i kishte thënë se atje ishte krijuar një situatë shumë e keqe edhe njerëzit u thonin; jo borgjezët; jo sabotatorët, edhe kërkojnë për një periudhë shumë të shkurtër tharjen e kënetës gjë që është e pamundur të realizohet”

Me pretendimin se inxhinierët mund të ishin agjentë të angloamerikanëve dhe nën presionin e mospërmbushjes së afatit të punës, inxhinier Mirushi do të ishte në grupin e dytë të inxhinierëve që do të arrestoheshin. Për djalin e vetëm të doktor Bedri Përmetit u vendos dënimi me pushkatim. I ati i mpirë nga dhimbja bën kërkesë për faljen e jetës së 34-vjeçarit.

“E dënuan babën me pushkatim gjyshi im doktor Bedri Permeti i beri kërkesë Presidiumit për faljen e jetës meqenëse e kishte dhe djalë të vetëm, kërkesa u refuzua, dhe përfundimisht e ekzekutuan”, rrëfen Esmer Përmeti.

E tronditur nga dhimbja e madhe që i kishte shkaktuar humbja e njeriut që dashuroi, babain e tre fëmijëve, Bedrie Përmeti, e shoqëruar me një zonjë të moshuar shkon të nesërmen sapo bie errësira të kërkojë trupin e tij në bregun e lumit të Lanës ku u pushkatuan. Një bari aty pranë u tregon se ku kishte ndodhur gjëma, dhe ajo nis e shokuar të gërmojë. Me një grusht dhe që ishte hedhur mbi trupin e viktimave gjen të shoqin, për ta vajtuar e për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Me shpresën se një ditë do t’i bënte të paktën një varr ku të prehej, por kjo nuk ndodhi asnjëherë, për shkak se mbi eshtrat e tyre u ndërtua Uzina Dinamo.

“Një fshatar i ndershëm i ka tregu se këtu e kanë varrosur nga unaza e njohu. Kush ta kompenson atë”, tregon Fatmira Përmeti, bashkëshortja e Esmer Përmetit.

Vetëm pak ditë pas 3 dhjetorit, kur 2 vajzat dhe djali Esmeri, që sapo kishte lindur do të mbeteshin jetim, në vilën e Mirush Përmetit do të sillej të jetonte familja e Islam Radovickës. Por, vuajtjet s’kishin të sosur për bashkëshorten e ve të Mirushit, në shtëpinë e së cilës nisën të hynin disa komisioner të partisë duke inventarizuar gjithçka kishte brenda. Ky ishte një sinjal që paralamëronte një tjetër ngjarje të errët. Pjesë e atyre ditëve, përmes një vizite u bë edhe çifti Panajota dhe Vasil Konomi, të cilët pas familja e Mirushajve të nxirrej jashtë, e kishin parë vilën si të përshtatshme për të jetuar aty.

“Sekuestruan gjithçka dhe ne nuk mund të mernim asgjë. Kemi dalë me rrobat e trupit”, tregon Eser Përmeti.

Pavarësisht lutjeve të nënës lehonë ata s’do t’i lejonin të merrnin as djepin e foshnjës, duke iu përgjigjur me egërsi se “fëmija juaj nuk meriton këtë krevat”… madje se ajo duhet t’u ishte falënderues që po i linin të jetonin. Pas kësaj zallamahie, bashkë me familjen e Radovickës do të zhvendoseshin në një shtëpi të vjetër pranë rrugës së Dibrës. Jeta e nuses së ve të Mirush Përmetit ishte përmbysur, dhe ajo duhet të mendonte se si të rriste e vetme 3 vogëlushët.

“Pas kësaj nëna ime mbeti me tre fëmijë të vegjël dhe u detyrua të futet në punë se ndryshe nuk kishim si ta përballonte jetën. Ka bërë punë shumë të rënda në ndërtim me punë krahu nëpër kanale . Më kujtohet kur ishim tek rruga e Dibrës kur ishim tek 15-katëshi nëna punonte tek pallatet e shallvareve bëheshin ato pallatet 5-katësh, por për të ngrejtë tullat disa gra që ishin i ngarkojshmin me tulla në kurriz, dhe furnizonin ustallarët deri në katin e 5-të”, tregon Esmer Përmeti.

Shtëpia ku jetonin në kushte të mjerueshme do të shembej në vitin 1965, dhe dy familjet do të zhvendoseshin në një tjetër të banesë ngjashme në rrugën e Elbasanit, jo shumë larg nga ish vila e tyre që tani i përkiste familes Ikonomi.

“Na ka mbetur ne që të kishte jetuar edhe 3 vjet se ka vdek në ’87-ën… dhe tre vjet… Peng e kishte sepse e donte atë shpi biles kalojshim se i kishim dhe aty afër dhe e kishte panik dhe ta shikonte. Dhe më thoshte mua ktheje pak kokën dhe shife pak shtëpinë se unë nuk mund ta kthej kokën se kush e di më shef njeri nga ata të regjimit dhe më thotë pse e shef”, rrëfen Fatmira, bashkëshortja e Esmer Përmetit.

Bedrijen, nusen e bukur e fisnike të Mirushit, lodhja do ta shndërronte në një trup rozafe të murosur në një sistem të kalbëzuar, pa prekur asnjëherë brendinë e saj. Do të mbyllte sytë 3 vite para rënies së diktaturës, me plot pengje e brenga të shkaktuara nga ai regjim famëkeq.

“Nëse do kishte qenë gjallë mamaja do i jepnin ca lekë po kush ja kompenson asaj dhimbjen që i morën burrin ajo sa ka jetu e ka pas atë filmin e vrasjes”, tregon Fatmira.

“Ne e pritëm me shumë kënaqësi dhe entuziazëm ndërrimin e sistemit edhe një nga pikësynimet tona ishte që të riktheheshim në shtëpinë e babait tonë. Atë e kishim jo vetëm si pronë por edhe nga ana shpirtërore që e kishte ndërtu dhe projektu me duart e veta” thotë Esmer Përmeti.

Familja Konomi do të jetonte në atë vilë deri në vitin 1993 dhe largimi i tyre prej saj, jo vetëm nuk do të bëhej me konsensus, por do të shoqërohej me rezistencë të fortë e deri me përballje në gjykatë.

“Patëm vështirësi nuk patëm mirëkuptim madje patëm edhe situata të kompikuara edhe na u desh me gjyqe edhe përfundimisht se ne kishim tapinë po ata kishin bërë një blerje shtëpie nga pasuria e shtetit të asaj kohe dhe ishin dy tapi për të njëjtën shtëpi kështu që njëra duhet të binte poshtë. Nuk na pritën me qejf madje bënë edhe cik rezistencë mos hyni. Donim të prezantoheshim edhe me gruan e Vasil Konomit, ajo tha ju kot bëni rezistencë se do vini këtu ju nuk vini dot këtu asnjëherë sepse po të kthehen pronat tek pronarët atëherë Shqipëria bëhej shumë rrëmujë edhe prishej qetësia e Shqipërisë”, rrëfen Fatmira.

Fatmira, bija e tregëtarit ish të përndjekur Selim Hasimja, deri më sot ka marrë vetëm 3 këste të dëmshpërblimit, nga tetë që janë në total.

“Doli ky ligji për dëmshpërblimin e të pushkatuarëve të barasvlefshme me 8 vjet burg që na u duk e çuditshme megjithëse ajo u vendos dhe s’kishim ca thoshim tani u bë 30 vjet demokraci dhe gjatë këtyre 30 viteve kemi marrë vetëm 3 këste që i bie si mesatare një në dhjetë vjet dhe mbeten 5 të tjera që me këtë ritëm nuk e di se çfarë do ndodhi njerëzit po vdesin , vazhdimisht se mosha ecën. Shumë njerëz vdesin pa i marrë ato. Nërkohë që vitet kalojnë njerëzit vdesin nuk marin asgjë. Edhe ne 3 këste kemi mare 3 vëllezërit prisnin kur do i marim, nuk arritën, vdiqën”, rrëfen Fatmira

Dëmshpërblimi , si dhe procesi i kthimit të tokave tek pronarët, kanë qenë në sinkron në mosfunksionimin e tyre. Zvarritja në 3 dekada ka ndikuar edhe opinionin publik, duke krijuar vatra diskutimi, për përfshirjen e trashëgimtarëve në trajtim. “Si të mos dërshpërblehem unë apo fëmijët e tjerë që tërhiqeshim zvarrë për të parë babain në burg qysh fëmijë e shikonim vetëm nga ato telat dhe kur e shkojshim herën tjetër as nuk e mbanim mend fytyrën e prindit. Fëmi të traumatizuar”, thotë Fatmira Përmeti Hasimja.

Vitet po ikin, dhe shpresat tek familjarët e ish të përndjekurve po zbehen duke mbjellë zhgënjim në procesin e shumëpritur të integrimit të tyre dhe të demokracisë…

Burimi/kujto.al