GJITHSHKA TË FILTROHET BRËNDA NJË MENDJEJE TE DITUR

0
186

Janko Ll. Pali, “Mesues i Merituar” 1987-1994
ROBERT MARTIKO:
Në kujtim të eruditit Janko Pali
Një individ i veçantë, si i nderuari Janko Pali, nuk mund të përfytyrohet përveçse si një person, i cili qysh në hapat e para të jetës së tij, i kishte vënë vehtes për detyrë të mos jetonte i verbër dhe në errësirë. Dhe këtu nuk dua të bëj fjalë vetëm për të fshehtat me karakter gnoseologjik, të cilat rëndojnë si gur i rëndë në zemrën dhe mëndjen e çdo shkencëtari e filozofi, por edhe për të panjohurat me karakter shoqëroror e politik: madje në fazat e saj më ekstreme, gjaksore, perverse, vllavrasëse, diktatoriale… Përderisa sistemi komunist i cili poshtëroi gjithë shqiptarët, pa përjashtim, gjatë gjysëm shekulli nuk lejonte as rrezen më të vogël të së vërtetës, të binte në Tokën e shumëvuajtur të Arbërit. Nëqoftëse pranojmë se natyra e Qënies Njerëzore është ndërgjegjia, është gjithashtu e vërtetë se brënda saj ekziston edhe dëshira për gjetjen e lumturisë më të lartë e më të mundëshme, madje edhe në kushtet më torturuese e më telendisura për njeriun. Përfytyroni një vend policor si Shqipëria e Kuqe e më pas se ç’farë përpjekjesh të mëdha duhej të bënte individi, për të mbijetuar i ndershëm, ashtu i mbyllur brënda në mikrobotën e tij. Ndofta përsëritet padashur e ashtuquajtura mrekulli e vetmisë, pak a shumë, e përngjajëshme me përjetimin shpirtëror të Abrahamit Biblik, i cili brënda në errësirën e një shpelle nomadësh në Azinë e Vogël, zbuloi konceptin e Perëndisë, të paktën sipas Lamartinit te vepra e tij “Historia e Turqisë”. Në këtë aspekt të shumtë qenë intelektualët shqiptarë, të cilët u mbyllën në vetvehte duke pasur të vetmen dritare – shpellë botën e bukur të Librave e Njohurive, e nëpërmjet tyre gjithë Universin!… Jo pak herë njerëzit kanë rendur drejt këtyre lloj zgjedhjesh të vetëburgosjes shpirtërore e fizike, që pak a shumë të kujtojnë Beit Guvrin apo kavat e panumurta të eremitëve përballë Katedrales së Shën Savës në Malin Atos…


Meqënëse më shkaktojnë alergji mendimet dhe degresionet fallco të tipit pllakatë, më duhet të shpreh qysh në fillim se në kushte diktature, nuk ka gjë më të izoluar, më të vetmuar e më të abandonuar se sa një njeri të ndershëm, i cili në pamundësi për të ndihmuar bashkatdhetarët, të paktën nuk i dëmton ata. Apo ndryshe, nuk i lufton me mjete e armë fare të lira në kosto, të vëna në përdorim nga Sistemet më Djallëzore, që arriti të krijojë shoqëria njerëzore mbi Tokë. Ku edhe pse të përbuzur e poshtëruar nuk janë të paktë ata që përqafojnë ligjet, modën dhe mënyrën e jetesës artificiale me vullnet, mercenarizëm, dëshirë perverse e servilizëm.
Një prej fizionomive të kundërta me të mësipërmet, që nëpërmjet vetmisë arrinte të fisnikëronte shpirtin e pasuronte mendjen, qe pa dyshim edhe Janko Pali. Përbën fakt të pamohueshëm se në vetmi ky erudit e poliglot arriti të grumbullojë e nxjerrë mjaft shkrime me vlerë të madhe historike e njëkohësisht njerëzore. Sikur Sigurimi Famëkeq i Shtetit të kishte befur një ditë prej ditësh në dhomën e tij, ai do të kishte rënë patjetër në burg. Historikisht njihen të tilla zbarkime ushtarësh me flakën e Ferrit në ballë e shpata të përgjakura në duar, që të kujtojnë Arkimedin me shprehjen e tij të famëshme: “Non turbare circulos meos!” (“Mos më ngacmoni rrathët e mij!”) Për të vijuar më pas tehu i verbër i mercenarit të dhunës i ngulur në trupin e shkencëtarit…
Sot që Janko Pali ndodhet i larguar nga jeta mund ta soditësh atë edhe në dritën e qetë të një Mentori të urtë. E kam fjalën për atë fizionomi të spikatur të Antikitetit, për të cilin Homeri shprehej para me shumë se dymijë vjetësh se nuk nxirrte veç mjaltë nga goja, në krahasim me fjalët e hidhura të Akilit… Në këtë prizëm të mos harrojmë se intelekti njerëzor nuk qëndron kurrë mbi zemrën. Eshtë e vërtetë që një mëndje e zgjuar hap shumë porta që zëmra nuk mund të hapë. Por vallë ju ka shkuar ndonjëherë ndër mend se sa porta nuk mund të hapë dot intelekti, ndërkohë që zemra i hap ato me një lehtësi të habitëshme!… Jo pak herë mendja i jep rëndësi abstraktes veç jo konkretes. Tenton të zbulojë gjëra jo personale dhe bëhet aq qesharake dhe e paaftë kur nuk arrin të zbulojë ato me karakter personal. Vetëm zemra është ajo që dallon të metat e intelektit i cili në mjaft raste i përngjan dhëmbëve të mprehta të një sharre e cila sharron vetvehten.
Edhe vetë filozofia, kjo shkencë e shkencave, e cila instiktivisht sprapson këdo që degjon, të bëhet fjalë për të, gabimisht për mendimin tim, është aq e thatë dhe e pavlerë për vetë individin, saqë nuk arrin ti dhurojë kurrfarë sodisfaksioni, përderisa gjithshka përfundon në boshllëk e abstraksion apo në një rrugë pa dalje… Ndërkohë nuk dua të lë pas dore vlerësimin për njohuritë. Sepse edhe vetë zemra ka shumë nevojë për to. Por dua që, teorikisht, gjithshka të filtrohet brënda një mendjeje te ditur.
Më bëjnë përshtypje disa rreshta të thjeshta në Kujtimet e Janko Palit, qe ndofta mund të kalohen shkarazi e pa u kuptuar, ku ai shkruan se kam qënë një njeri i butë me njerëzit… Edhe pse tashmë i larguar nga jeta ai i drejtohet njeriut të ditëve të sotëshme, si për të zbuluar para syve të tij një bote e cila arrin të revelohet veçanërisht për mendje të mencura e jo vetëm të zgjuara. Konkretisht, shoqëria e Botës së Civilizuar i është larguar mjaft dhunës dhe vllavrasjes më shumë nga çdo vend tjetër në Tokë. Qe pikërisht ajo që hapi e vazhdon të hapë krahët për emigrantët e shumëvuajtur nga gjithë bota, midis tyre edhe shqiptarët… Stonojnë aq shumë brënda në gjirin e kësaj bote natyrat e mbushura me kapadaillëk, mendjengushtësi e egërsi të pandryshuar, klasike.
Me fjalë të tjera mesazhi që na dergon Janko Pali me fizionominë e tij të spikatur prej Nestori të mençur është se të jetosh me dashuri për njeriun, kërkon pjesmarrjen e ndërgjegjes e cila perfeksionohet veç në vatrën e dijeve njerëzore…
Me sytë e shpirtit të hapura!
26/12/2011 17:41:58

Burimi/Facebook/Petraq Pali