Gjysma e kosovarëve janë të gatshëm ta lënë vendin

0
25

Matjet e fundit të opinionit publik rezultojnë në shifra alarmante të gatishmërisë së kosovarëve për të dalë jashtë vendit. Sipas hulumtimit të realizuar nga PIPOS, i cili u prezantua ekskluzivisht në emisionin Rubikon, 54.8 përqind e qytetarëve do të emigronin nëse do të kishin mundësi.

Nga 1050 qytetarët e anketuar, vetëm 28.2 përqind kanë thënë se nuk do të emigronin edhe nëse do të kishin mundësi, 11.4 për qind nuk janë të sigurt, ndërkaq 5.6 për qind kanë refuzuar të përgjigjen.

Më të interesuarit për të dalë jashtë vendit janë grupmosha 18 deri në 25-vjeçare, nga të cilët 73 përqind janë deklaruar të gatshëm të emigrojnë, ndërkaq vetëm 16 përqind nuk do ta linin vendin edhe po të kishin mundësi.

Gatishmërinë për t’ia mësyrë perëndimit e kanë shprehur 62 për qind e të anketuarve të grupmoshës 26 deri 35-vjeçare, ndërkaq nga ata të grupmoshës 36 deri në 45-vjeçare, 61 për qind.

Gjysma e të anketuarve të grupmoshës 46 deri në 55-vjeçare janë të gatshëm të dalin jashtë vendit.

Përqindja e të anketuarve që janë përgjigjur se do të emigronin nëse do të kishin mundësi bie në 38% te grupmosha 56 deri në 65-vjeçare dhe 30 për qind te grupmosha mbi 65-vjeçare.

Burimi/klankosova.tv/