GRATË – Roli i grave në kthimin e botës

0
103

Siç po shihet gjithnjë e më tepër, bota e sotme shkon drejt shkatërrimit. S’ka më shpresë që ajo mund të shpëtojë me forcat e njeriut, sepse – siç po duket – njerëzit, së paku ata që e drejtojnë dhe e sundojnë botën e sotme, të gjitha forcat e veta ia kanë nënshtruar vullnetit të djallit të mallkuar. Ata që sot e sundojnë botën, në vend që të luftojnë për mirëqenien dhe për të ardhmen e lumtur të njeriut, me të gjitha forcat që i kanë luftojnë për shkatërrimin e njeriut, siç e ka krijuar Zoti. Megjithatë besimtari i krishterë është i qetë dhe jeton në shpresë. Nuk dëshpërohet dhe nuk dorëzohet, sepse e di se më në fund fitorja është në dorën e Zotit. Njeriu sot pak gjë mund të bëjë me forcat e veta, por Zoti do të bëjë atë që për njeriun është e paimagjinueshme dhe e pamundshme. Interesant është se Zoti të gjitha veprat e veta të mëdha i bën nëpërmjet njerëzve të vegjël, që në sytë e botës nuk kanë as dije, as fuqi, as vlerë – kështu që më në fund shihet se veprat e tyre nuk janë vepër njerëzore, por pikërisht vepër e Zotit. Hyji Atë botën e ka krijuar. Jezu Krishti, Biri i tij, me vdekjen dhe me ringjalljen e vet e ka shëlbuar. Shpirti Shenjt e shenjtëron dhe e kthen tek Ati. Por si? Nëpërmjet një njeriu të vogël, të thjeshtë e të përvujtë, madje nëpërmjet një Gruaje – nëpërmjet Zojës së Bekuar! Jezu Krishti Nënën e vet Zojën e Bekuar e ka bërë Ndërmjetëse të të gjitha hireve. Të gjitha hiret e Zotit për krejt botën rrjedhin prej Hyjit Atë nëpërmjet Birit të tij Jezu Krishtit, e prej Krishtit nëpërmjet të Virgjërës Mari, Zojës së Bekuar, Nënës së Zotit dhe Nënës sonë qiellore. Zoja e Bekuar, Virgjëra Mari, shumë herë u është dëftuar njerëzve të zgjedhur në dy shekuj të fundit dhe shumë herë ka paralajmëruar luftën vendimtare me djallin e mallkuar, në të cilën do të triumfojë Zemra e saj e Papërlyer. Për këtë arsye që me shekuj kërkon kushtimin e besimtarëve Zemrës së saj dhe lutjen e Rruzares së shenjtë, me anë të cilës mund t’i fitojmë të gjitha hiret e nevojshme për shëlbimin tonë. Madje interesant është që në këtë botë, në të cilën kryesisht sundojnë meshkujt, Zoja e Bekuar paralajmëron se rolin kryesor në ripërtëritjen e fesë dhe në kthimin e njerëzimit kah Zoti do ta kenë gratë. Sikurse në udhën e kryqit Jezusin e kanë përcjellë shumë gra të përshpirtshme, kurse prej burrave vetëm shën Gjoni apostull, po ashtu edhe në ripërtëritjen e fesë rolin kryesor do të luajnë kryesisht gratë dhe pak burra, megjithëse në fund do të kthehen edhe burrat. Por Zoti zakonisht përparësi u jep të vegjëlve, të përvujtëve, si edhe grave, prej të cilave bota nuk pret diçka të madhe – por punë të mëdha nëpërmjet tyre i bën vetë i madhi Zot. Gratë, pra, do ta kenë rolin e madh dhe shumë të rëndësishëm në ripërtëritjen e fesë dhe të Kishës, por jo rolin të cilin duan ta uzurpojnë gratë e ashtuquajturës lëvizjes feministe, që mundohen t’i përvetësojnë edhe ato pozita që nuk u takojnë. Në një dëftim të vet Zoja e Bekuar para 150 vjetëve ka paralajmëruar ngjarjet dramatike që do të ndodhin para mbarimit të botës dhe para fitores së Zemrës së saj të Papërlyer mbi djallin e mallkuar: luftërat, urinë, shkatërrimin e ekonomisë botërore, hutimin e njerëzimit, që nuk do të dijë më se si të orientohet – e atëherë vjen intervenimi i madh i Zojës së Bekuar, e cila do t’ua zbulojë njerëzve, ndërgjegjes së secilit individ, mëkatet e tyre dhe do t’i nxitë në kthim dhe në pajtim me Zotin. Thuhet se në atë kohë meshtarët ditë e natë do të jenë të okupuar me rrëfime të të penduarve. Sepse Zoja e Bekuar do t’i sjell njerëzit te Krishti, por ajo nuk ka pushtet që t’i zgjidhë prej mëkateve të tyre. Pushtetin e zgjidhjes së mëkateve e kanë vetëm meshtarët. Pra, Zoja e Bekuar mëkatarit ia shndrit mendjen dhe e nxit në pendim, por vetëm meshtari – pas rrëfimit të sinqertë të pendestarit – mund t’ia zgjidhë mëkatet. Këtë fakt lëvizja feministe nuk e kupton. Pasi as Zoja e Bekuar nuk mund t’ia shlyejë njeriut mëkatet e tija, por vetëm meshtari, të cilit Jezusi ia ka dhënë këtë pushtet, atëherë as gratë tjera nuk janë të ftuara që të bëhen “priftëresha” dhe “ipeshkvesha”, sikurse kanë filluar të bëjnë në disa bashkësi protestante, të cilat në fakt as nuk e kanë sakramentin e Rrëfimit dhe për këtë arsye as nuk mund t’i zgjidhin njerëzit prej mëkateve. Thirrja e grave të shenjta dhe të përshpirtshme është që t’i afrojnë njerëzit te Zoti, te Jezu Krishti – e atëherë meshtarët do ta kryejnë punën që u takon meshtarëve. Prandaj duhet të lutemi shumë për thirrje të shenjta meshtarake. Sepse Zoti dëshiron t’i shëlbojë të gjithë njerëzit: burrat e gratë. Të gjithë e kanë rolin e vet – edhe burrat, edhe gratë. Gratë do ta kryejnë punën më të madhe në dëshminë e fesë dhe në përhapjen e Ungjillit, por ndarja e sakramenteve është punë e meshtarëve, e burrave të shuguruar për atë detyrë. Kështu prapë krijohet drejtpeshimi në botë. Dhashtë Zoti që gratë katolike sa më shpejt ta kuptojnë rolin e vet dhe të fillojnë misionin e vet të shenjtë të kthimit të botës kah i madhi Zot, nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

Burimi/Facebook/ Kisha Gjakov