Hajdari bën denoncimin e fortë/ Kriminelë me makina të blinduara takuan politikanë me peshë, qyteti u fik!

0
58

Deputetja Rudina Hajdari, kandidate e ‘Nismës Thurje’ në Elbasan, ka denoncuar vazhdimisht se si grupet kriminale mbështesin partitë politike në zgjedhje, konkretisht PS-PD, duke garantuar shitblerjen e votës, madje dhe përmes shantazheve.

Në një prononcim ekskluziv për CNA.al, ajo tha se i qëndron 100% deklaratave dhe se organizatat kriminale kanë mbëshetje politike dhe janë të ndara mes forcave të vjetra.

Sipas saj, sa herë ka zgjedhje ato aktivizojnë të gjitha strukturat e tyre dhe i vënë në shërbim të shtabeve elektorale.

Madje, sipas Hajdarit, sa më shumë afrohen zgjedhjet aq më shumë shohim e kemi për të parë konflikte të forta të cilat do të jenë derivat i përplasjes së këtyre organizatave kriminale.

Ajo zbuloi gjithashtu, se disa ditë më parë në Librazhd, makina të blinduara u parkuan në mes të sheshit të qytetit, dhe disa persona të lidhur me krimin e organizuar takuan disa personazhe politike me peshë në qytet dhe më pas u larguan.

“Në Elbasan operojnë disa organizata kriminale të cilat janë ndër më të fuqishmet në vend. Biznesi i tyre kryesor është importimi dhe përpunimi i kokainës nga Amerika Latina e më pas eksportimi i saj drejt vendeve europiane.

Këto organizata kanë mbështetje politike dhe janë të ndara mes forcave të vjetra të politikës shqiptare. Nëse shikoni historikun rritja apo zbehja e aktivitetit të tyre varet nga forca politike që është në pushtet. Aktiviteti i tyre kriminal mbështetet nga qeveritë përkatëse dhe për këtë arsye sa herë ka zgjedhje ato aktivizojnë të gjitha strukturat e tyre dhe i vënë në shërbim të shtabeve elektorale. Për rrjedhojë sa më shumë afrohen zgjedhjet aq më shumë shohim e kemi për të parë konflikte të forta të cilat do të jenë derivat i ërplasjes së këtyre organizatave kriminale. Ndaj unë them shpesh se partitë e vjetra operojnë si banda, sepse në fakt ligjin e bëjnë bandat. Jo më larg se disa ditë më parë në Librazhd ndodhi një skenë e pakëndshme për banorët. Disa mjete të blinduara u parkuan në mes të sheshit të qytetit, persona të lidhur me krimin e organizuar takuan disa personazhe politike me peshë në qytet dhe më pas u larguan. Gjatë kësaj periudhe qyteti sikur u fik, askush nuk pipëtinte dhe në fakt askush nuk guxoi as të bënte një video.

Ky është një akt i pastër intimidimi ndaj qytetarit, një kërcënim për të orientuar votën e tyre aty ku ka interesin organizata kriminale.”

Kundrejt këtyre kërcënimeve, Hajdari dha e një mesazh për qytetarët, duke bërë apel që të mos tremben nga presioni dhe intimidimi, port ë bëjnë zgjedhjen e duhur me 25 prill.

“Ndryshimi nuk do të vijë me magji por me votë. Nëse je i lodhur nga të njëjtat fytyra që premtojnë të njëjtat gjëra për 30 vite dhe nuk prodhojnë asgjë në dobinë tënde, ka ardhur koha ti ndëshkosh me votë dhe të mbështesësh të rinj e të reja që kanë pasion dhe energji për të punuar për vendin. Në 25 Prill dil dhe voto për mua dhe skuadrën time.

Mos u tremb nga presioni dhe intimidimi, ata nuk mund të na bëjnë dot asgjë nëse ne jemi të bashkuar.

Jam e sigurtë se në 25 prill ju do të bëni zgjedhjen e duhur dhe së bashku do të nisim një rrugëtim të ri për Shqipërinë, për ta lënë pas korrupsionin, varfërinë, krimin dhe emigrimin.”

Burimi/CNA.al