HESHTJA DËMTON CIVILIZIMIN – FENOMENI, DIANA ZIU

0
84

Nga Pierre-Pandeli Simsia
Heshtja, dëmton civilizimin!
Kështu e kam titulluar një shkrimin tim para pak vitesh, botuar në shtypin shqiptar…


Zëri i një gruaje të nderuar, zëri i një femre, zëri i një zonje, zëri i një artisteje të mirënjohur dhe të suksesshme, zëri i një pedagoge arti, zëri i kompozitores Diana Ziu, këto ditët e fundit, theu heshtjen.
Dhe, zëri i saj, mendim shqetësimi i saj, ajo thyerje e heshtjes, ka “pushtuar” disa studio televizive në Shqipëri, shtypin shqiptar, portale, web site të ndryshme, po dëgjohet, po lexohet, po përkrahet nga një pjesë e mirë e shoqërisë artdashëse shqiptare.
Ajo thyerje e heshtjes e artistes së nderuar, duket se ka shkaktuar një “tërmet” në artin shqiptar, tërmet sa edhe i vonuar, “tërmet”, që edhe duhet të ndodhte.
Zonja Diana Ziu, si profesioniste e artit muzikor që është, shprehu shqetësimet e saja me mënyrën se si organizohet, se si bëhet përzgjedhja e këngëve për në aktivitetin e madh kulturor muzikor mbarëkombëtar, siç është festivali i fundvitit që mbahet në javën e fundit të dhjetorit, që e ka fillimin e tij në vitin e largët 1962, organizuar nga Radiotelevizioni Shqiptar, që, sipas një tradite, siç edhe është emëruar ajo traditë, kënga fituese e atij festivali, shkon automatikisht në Festivalin Evropian.
Artistja Diana Ziu, me kulturë të lartë profesionale, po shpreh mendimet e saja, mendime që janë përkrahur dhe mirëpritur nga pothuajse pjesa më e madhe e shoqërisë artdashëse shqiptare anembanë globit ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët.
Diana Ziu, me shumë të drejtë, theu heshtjen që edhe duhej të ishte thyer kohë më parë!
I kam ndjekur me shumë vëmendje dhe interes këto ditët e fundit shkrim mendimet e artistes Diana Ziu në shtyp, në portale të ndryshme, në studiot televizive dhe e mbështes plotësisht shqetësimin e saj.
Diana Ziu e theu heshtjen me shqetësimin e saj, jo për interesin e saj personal, jo pse nuk iu aprovua kënga e saj që paraqiti për në festivalin e dhjetorit, por, ajo po trajton, madje edhe me fakte, çështjen e rëndësishme, mënyrën e përzgjedhjes së këngëve, të këngëtarëve, pa kaluar në filtrin e një komisioni profesionist për të vlerësuar dhe për të aprovuar këngët pjesëmarrëse në festival.
Edhe pse jetoj prej shumë vitesh në anën tjetër të oqeanit, i kam ndjekur festivalet e viteve të kaluar, këngëtarët fitues që edhe na kanë përfaqësuar të gjithë neve si komb në festivalet evropiane.
Edhe unë, sipas mendim dëshirës sime, që ndoshta edhe nuk përputhen me mendim dëshirat e njerëzve të tjerë, kam shprehur nëpër vite pakënaqësitë e mija për këngën, këngëtarin fitues përfaqësues që, për hir të së vërtetës, kanë qenë për të dëshiruar; veçoj këngëtarët e mirënjohur: Frederik Ndoci, Eugent Bushpepaj, Anjeza Shahini, Aurela Gaçe, Nora Nishliu, Juliana Pasha, këngëtarë, të cilët me këngët, me zërat e tyre të fuqishëm dhe melodioz, kënduar me kulturë të lartë profesionale, e kanë merituar duke edhe na nderuar.
Vitin e kaluar, pata fatin e mirë që të isha i ftuar nga Eurosong për të marrë pjesë në Festivalin Evropian, mbajtur në Lisbona, Portugali dhe, për fatin tim të mirë, në hotelin ku unë dhe bashkëshortja ime qendruam për një javë, hoteli pranë arenës ku edhe u mbajt Eurosong-u, ku edhe ishin akomoduar një pjesë e mirë e organizatorëve, këngëtarëve të shteteve të ndryshme evropiane, një nga organizatorët, me të drejtë, në bisedë e sipër, u shpreh: I urojmë suksese Shqipërisë sivjet, për përzgjedhjen që ka bërë, duke sjellë në këtë festival këngë të bukur këngëtarin Eugent Bushpepaj…
Dhe, me të drejtë, zëri shpërthyes i këngëtarit Eugent Bushpepaj, u vlerësua si zëri më i mirë mashkullor në atë festival evropian, ashtu siç u vlerësua edhe zëri i shkëlqyer i këngëtarit të mirënjohur Frederik Ndoci në festivalin evropian pjesëmarrës.
Dhe, ai rast, ka qenë ndër të vetmit që juria e festivalit të dhjetorit në radiotelevizion, i dha çmimin e merituar.
Po përse vallë duhet të qendrojë akoma ky rregull që, kënga, këngëtari fitues i festivalit të dhjetorit organizuar nga Radiotelevizioni Shqiptar, të shkojë edhe në festivalin evropian?!
Jemi ndër të vetmit shtet përfaqësues në Eurosong, që kënga fituese e festivalit të shkojë atje duke na përfaqësuar të gjithë ne si komb, përzgjedhje të tillë që e ka edhe Italia që përzgjedh këngën fituese të Festivalit të San Remos?!
Përse vallë duhet të jemi akoma imitues?!
Sa shumë aktivitete të ndryshme muzikore zhvillohen në Shqipëri gjatë gjithë vitit?
A nuk mund të përzgjidhet edhe nga një komision profesionistë të muzikës, këngë përfaqësuese në eurosong një nga të gjitha ato këngë të bukura që këndohen gjatë vitit?
A nuk do ishte një përzgjedhje më se e merituar nëse një këngëtar, këngëtare, siç janë përshembull: Marko Strazimiri, Klinti Çollaku, Artur Vera, Ervin Ahmeti, Dario Zela, Mishela Rrapo, etj. etj. që edhe pse të rinj në moshë, por me një zë të ëmbël dhe melodioz, me një vokal shpërthyes të jenë përfaqësues në festivalin europian.
Sa shumë këngëtarë të tjerë të suksesshëm dalin fitues nga konkursi Gjeniu i vogël, që duhet të na përfaqësojnë në festivalin europian?!
Shpreh mendimin tim personal, le të rishikohen edhe njëherë nga profesionistët e muzikës shqiptare përzgjedhja e këngëve pjesëmarrëse në festivalin kombëtar të dhjetorit, këngëtari apo këngëtarja fituese dhe të na përfaqësojë denjësisht në Eurovision.
Boll më me zhgënjime të këngëve dhe këngëtarëve fitues.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Burimi/Facebook/Fjala jone e lire .