Hipokrizia e Ramës/ Nga çfarë kërkon të fshihet kryeministri

0
77

Kryeministri Edi Rama ka pasur një sërë daljesh mediatike gjatë ditëve të fundit. Takime me drejtuesit e policisë, takime me kryebashkiakët, etj.

Në fakt duket sikur jemi në fushatë zgjedhore, dhe Rama flet si opozitar. Apo a thua se e mori sot pushtetin, dhe tani do vërë “rendin dhe sigurinë në shina”.

Një ditë më parë, Rama “tregoi dhëmbët” para uniformave blu. Duke folur jo si një kryeministër që sapo ka marrë mandatin e tretë, pra pas tetë vitesh qeverisje, por a thua se sot mori pushtetin, pas tetë vitesh opozitë.

“Keni 100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhim maksimal, nga i pari tek i fundit. 100 ditë asnjë më shumë, që qytetarët të marrin frymë të lehtësuar duke e parë Policinë e Shtetit në një nivel tjetër.”-iu drejtua Rama një ditë më parë drejtuesve “të rinj” të Policisë.

Rama i quan “drejtues të rinj”, por në fakt janë thjeshtë dhe vetëm të njëjtët drejtues, që vetëm sa u janë ndryshuar vendet. Rama pas tetë vitesh, dje u kujtua që situata e rendit dhe sigurisë është jashtë kontrollit, dhe i dha “ultimatum” policisë.

Por, e njëjta situatë duket se është edhe me kryebashkiakët. Rama sot mblodhi me urgjencë kryebashkiakët dhe i paralajmëroi që të mos përzihen me probleme të prokurimit publik sepse do ta pësojnë. Po ashtu ai tha se për çdo shkelje do merren masa nga dënime me gjobë deri tek denoncime në SPAK.

Ndërsa duke u ndalur edhe tek rasti i ish-kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe, Rama lau duart si “Ponc Pilati”. E përjashtoi nga PS, e “pushkatoi” para përfundimit të gjykimit dhe tha se “PS nuk mund të jetë mburojë dhe as avokat i askujt”.

Por, mesa duket Rama ka harruar, ose bën sikur, sepse Fatos Tushe nuk u zgjodh sot kryebashkiak dhe as nuk u bë sot pjesë e Partisë Socialiste, ku Rama është kryetar.

Fatos Tushe u zgjodh për herë të parë në krye të Bashkisë së Lushnjes në vitin 2007. Në viitn 2009 u dorëhoq nga posti dhe u zgjodh deputet i PS-së.

Në vitin 2011 dha dorëheqjen si deputet, sepse kandidoi për Bashkinë e Lushnjes në zgjedhjet lokale, ku dhe fitoi ku dhe ka qëndruar në krye të kësaj bashkie për gati tre mandate. Dhe është zgjedhur nën siglën e PS, parti e cila ka kryetar kryeministrin Edi Rama.

Fatos Tushe, apo cilido tjetër kryebashkiak që Rama paralajmëroi sot, janë të zgjedhurit dhe të suportuarit e tij dhe kryeministri nuk mund të tentojë të fshihet pas gishtit, apo tiu hedhë hi syve shqiptarëve. Rama nuk mund të thotë para shqiptarëve se “Unë nuk di ç’bëhet në shtëpinë time”.

Pas asaj që ndodhi në Bashkinë e Lushnjes, minimalisht Rama do të duhej t’iu kërkonte falje shqiptarëve dhe të paktën të mbante përgjegjësi morale. Dhe jo të kapardiset ekraneve me paralajmërime farsë. Rama nuk mund të fshihet me shoë dhe propagandë.

Burimi/CNA.al