Historia e Rini Monajkës, heroi që u torturua për përmbysje të regjimit

0
126

ARLINDA ÇAUSHOLLI ME LIBRIN “ÇIZME TË VERDHA”

“Ndershmëria më e madhe është ndershmëria me veten. Kësaj i mëshoj fort, edhe pse e di se mund të jetë jashtë mode. Por nuk marr përsipër të gjykoj asnjë, sepse çdokush e di dhe e njeh zemrën e vet, dhe vendos vetë nëse do ta mbajë të vogël apo vendos që ta hapë. Unë kam zgjedhur të dytën sepse kështu jam rritur, e kjo më pëlqen. Sigurisht është rruga më e vështirë, sepse asgjë nuk të falet kur nuk je pjesë e një kompromisi. Por hapat që bëj janë hapa të vegjël, janë hapat e mi, të sigurt, të drejtë, peshojnë dhe nuk kanë asnjë shans që të kthehen mbrapsht.15036688_723755047776882_9164792911804268407_n-800×600

E vlerësoj lirinë personale dhe shpirtërore pafundësisht, ndaj dhe e vëzhgoj dhe i shkruaj kur mundem…”. E rritur kështu gazetarja shkrimtare Arlinda Çausholli përpiqet vazhdimisht t’i përcjellë ndjesitë e saj edhe te të tjerët. Si? Përmes asaj që di të bëjë më mirë, të shkruarit. Ata që i kanë ndjekur shkrimet e Arlindës të fragmentuara, e ca më vonë, kush i ka marrë të bëra bashkë në librin “Çizme të Verdha” ia njeh të vërtetën. Thjeshtësia e copëzave të jetës së saj, të përcjella thuajse ashtu si i ka jetuar e si i kujton, bëjnë një përmbledhje ndjesish të mira që të shtojnë dëshirën të lexosh më tepër t’i shohësh më të zgjeruara, të mësosh se çfarë ka përtej.

Jo se nuk e ka menduar. Arlinda e ka edhe idenë e një romani, por hë për hë po shijon lëvdatat e librit të parë. Prej “Çizme të Verdha” kemi zgjedhur historinë e Rini Monajkës, djalit shkodran që luftoi për lirinë. Të gjithë e njihnin dikur Rinin në Shkodër, por jo përtej saj. Sot, përmes historisë së Arlindës, e ca më tej të Ritzit, kujtohet një figurë që pati guximin të vepronte për të bërë të mundur atë që gjithë të tjerët ëndërronin.

KRAHËT E LIRISË DHE RINI MONAJKA

Rini Monajka. E njeh kush? Pak nga qyteti im… Për më tepër Shkodra ka pasur lëvizje sociale të sinkronizuar me vrullin e Drinit kur është i inatosur. Se mos vetëm Shkodra. Në ditët e sotme do të ishte mbase një nga djemtë më të lakmuar të pjacës… Prejardhje austriake, i edukuar, dashurues i gjuhëve të huaja, futbollist i talentuar, i pashëm, inteligjent, kurajoz, idealist i lindur dhe i trashëguar. Ka qenë një nga organizatorët e demonstratës së parë antikomuniste në Shkodër në janarin e ftohtë të vitit 1990, atëherë kur sundimi komunist ishte ende shumë i fortë dhe hijet e frikës flinin në krevat bashkë me të gjithë ne. Nuk jeton më.

Kush i qëndroi në këmbë diktaturës që uli në gjunjë dy milionë shqiptarë duhet të ketë qenë hero. Heronjtë nderohen. Për më tepër kush ngriti kokën dhe pa drejt e në sy dorën që e vrau, duhet të ketë pasur një zemër ndryshe nga e jona dhe mendjen e ndritur, ndryshe nga errësira që ka mbërthyer sot mendjet e të gjithëve ne. Monajka me shokë ishin organizuar me ganxha dhe litarë sepse në një demonstratë shkodranësh, të qytetit dhe rrethinave, do të hiqnin bustin e Stalinit atë janar. Kishin përgatitur dhe një orator. Nuk ia dolën dot. Informacioni ishte përhapur siç dimë ta bëjmë ne mirë dhe në Shkodër kishin zbarkuar agjentët e sigurimit. Përbindshmëria e grahmave të fundit. Ka pasur shumë arrestime atë ditë, ka pasur shumë tortura çnjerëzore në ditët në vijim dhe vendime burgimesh. Monajka vetë u rrah dhe u dëmtua barbarisht, në mënyrë të pakthyeshme. Nuk e di a gjallon më ajo qenie që e bëri thuajse të vdekur.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

U dërgua në dy burgje, përfshirë Burrelin. U lirua në vitin 1991, por fizikisht dhe mendërisht ishte transformuar. Më saktë, deformuar. Vdiq në Austri në 1997. Pranë nuk kishte asnjeri. Për kujtimin e zbehtë të tij flitet dhe shkruhet vetëm nga shokët e vet. Me copëza zemre. Siç dinë ta bëjnë vetëm shokët. Përherë jam përhumbur për të vijëzuar në mendjen time një njeri që arrin të njohë shijen e lirisë. Nuk ia kam dalë dot. E kam të pamundur të përshkruaj idenë se si duhet të jetë njeriu që arrin ta dallojë, të sakrifikojë, të luftojë dhe të japë jetën për të, kur gjithë të tjerët bëjnë të kundërtën. Nuk po shkruaj për heronjtë e Mesjetës dhe rrëfimet kalorsiake që na i morën mendtë kur ishim fëmijë dhe zemrat kur u rritëm dhe ca.

Po flas vetëm për 22 vjet më parë, kur një 37 vjeçar fliste me zë të lartë për lirinë dhe pëshpëriste me zë të shkujdesur për frikën. Flijimet për liri nuk mund të harrohen. Njihen, mësohen, përcillen dhe gdhenden diku. Meqë jemi në valë heronjsh, të merituar apo jo, dhe festa është e lirisë, ata që e shkruan dhe janë pjesë e së shkuarës dhe të sotmes që po jetojmë, e meritojnë të përmenden. Brezi i ri do t’i dëgjonte gojëhapur bëmat e tyre dhe do ta kuptonte më mirë se cila është vlera e ditëve që po jetojmë, për meritë të kujt po i jetojmë, e kujt është taksa e lartë e gjakut që u pagua, dhe nëse ia ka vlejtur jeta e këtyre guximtarëve.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Rini Monjaka
Meqë është festë… dhe jemi përpjekur rrëmujshëm të zbukurohemi… apo të ngjyrosemi ku me shije dhe ku pa shije… të paktën të kujtojmë të pazënët në emra dhe të fortët në kujtime. Ata që i dhanë Shqipërisë shtysën drejt demokracisë dhe ua ndriçuan rrugën të tjerëve. Para një pjese dekorimesh të pabukura të kryeqytetit dhe ca flamujsh prej cope të holluar dhe të dalë fijesh nga era e lirisë së vendit tim duhet të ketë plot emra që duhen nderuar. Fundja, më mirë një kujtim i mirë se një flamur me çmim të lirë.

RINI MONAJKA, I RIU SHKODRAN QË DONTE TË PËRMBYSTE REGJIMIN KOMUNIST Nga FRITZ RADOVANI

Ishte vjeshta e vitit 1968 kur u emnova mësues në fshatin Kosmaç të Shkodrës. Një ditë vjeshte nuk ishte e mujtun shkuemja me biçikletë, prandej u nisa me një kamion që më zbriti në Barbullush, mbasi shiu nuk pushonte asnjë minutë. Posa zbrita pashë te një strehë tue pi një cigare Zef Monajken (Dukagjinin) (1919-1984), të cilin e njifshe prej vitesh. Me vrap shkova edhe unë aty, ku Zefi më shpjegoi se kishte zyrën dhe kishte dalë për pak minuta jashtë…

Tue qeshë, i thashë: “A sheh pra, mos t’ishte cigarja nuk do të shiheshim?!”. Hyna në dhomën e Zefit dhe fillueme bisedën aty ku kishim mbetë… ndoshta muej ma përpara…. Pamja e tij ezmer dhe me mustakë të hollë, nuk i shtonte asnjë vit moshës së tij! Zef Monajka asht kenë një ndër burrat ma intelektualë të Shkodrës. Nuk do të zgjatëm në përshkrimin e aktivitetit të tij mbasi artikulli “Nji meteor në qiellin e vrantë të Shqipnisë”, i z.Ardian Ndreca i shpjegon kjartë dhe me mjaft detaje punimet e tij. Vdekja e Zefit vërtet kje e papritun, por edhe e pa kohë.

Kur pata shkue për një vizitë mbas disa javësh të vdekjes së Zefit, djali i tij, Rini, më pat tregue disa punime të babës së vet që i ruente me kujdes, e ndër të cilat nuk më harrohet një skicë letrare, ku Zefi përshkruente shkuemjen e tij në një dyqan vojigurit, dikund kah stadiumi i qytetit. Mënyra e vendosjes bidonëve, pritja në radhë, qëndrimi me orë të tana dhe… në fund, shitësja tue thanë: “Mos pritni ma se voji u mbarue e nuk del veç edhe për dy veta!…”, ishte një përshkrim aq i saktë për me kuptue atë mjerim që kishte mbulue Shqipninë nën diktaturën komuniste, sa ndoshta me vështirësi e gjen atë skicë në letërsinë e vendeve të Lindjes komuniste…

Rini ishte i ri, i datëlindjes 11 qershor 1953, një djalë i shëndetshëm, i gjatë, trup sportisti dhe me një pamje mjaft të hijshme. Binte në sy për pashin e tij në grupet rinore të pjacës së asaj kohë. Inteligjent dhe i edukuem tej mase. I ati kishte punue me të tue i mësue edhe gjuhë të hueja si gjermanishten dhe italishten. Shfrytëzonte literaturën e një biblioteke që pakkush e kishte, si ajo që ruente daja i tij Luigj Shestani. Përgatitja e këtij djali jepte shumë e shumë shpresa për t’ardhmen…

Kryesore ishte fryma atdhetare dhe fetare që ishte brumosë në formimin qytetar të këtij djaloshi. Kuptohet se në një familje si ajo e Zef Monajkës nuk mungonte edhe edukimi shpirtnuer antikomunist. Kjo edukatë asht kenë mjaft me pasoja kur punohej pa kujdes nga prindët, por në rastin tonë, ku Zefi kishte kalue një jetë me frikë dhe me roje të madhe, puna ishte ba me aq kujdes sa te djali i tij, Rini, vetëm kur besimi ishte i plotë me biseduesin mund të kuptohej një gja e tillë tek ai. Vitet 1984-’85 ishin vite të ringjalljes së shpresave nga të gjithë shqiptarët.

Ishte ajo kohë kur Shtrausi i Gjermanisë kishte fillue me lëvizë perden e hekurt të Shqipnisë. Takimet e tij me drejtuesit e lartë të shtetit komunist shqiptar sillnin në horizontin tonë të zymtë shpresën e një ndryshimi krejt të pabesueshëm, mbasi dhuna e tejzgjatun e sistemit komunist diktatorial e kishte mbytë çdo andërr të së ardhmes. Shqiptarët dinin se çka asht ba e çka po bahet, por për të ardhmen çdo shpresë ishte pothuej e humbun.

Askush nuk i besonte ndryshimet që mund të baheshin në drejtim të hapjes së kufijve të besimeve fetare, të lirimit të burgosunve politikë apo në ekonominë e tregut, kur ndër dyqane gjindej vetëm shitësi, banakët pa asgja në ta dhe një peshore pa punë… Mbas shkumjes në Gjermani të “profesorëve” Foto Çami dhe Dhimitër Dhora erdhi e u venit gjithçka. Ardhja e një delegacioni nga Gjermania Lindore e Onekerit, i kryesuem nga ministri i Jashtëm i saj, mbas takimit me Ramiz Alinë, tregoi kjartë se Ramizi kishte mbetë vetëm një “shegert” i tregtarëve batakçinj të pazarit të vjetër të Ballkanit dhe asgja ma shumë, që fatkeqësisht po tallej me shansin historik të popullit Shqiptar të martirizuem.

Ajo që ndodhi në vjeshtën e 1988 me Shqipninë asht fatkeqësia ma e madhe historike mbas Luftës së Dytë Botnore, mbasi ishte hera e parë që Shqipnisë i ofrohej një e ardhme me një prospektivë madhështore nga një prej superfuqive ndër ma të mëdhatë e ma të zhvilluemet e botës, siç ishte aso kohe Gjermania Perëndimore, e paangazhueme ende me pjesën e vet Lindore. Angazhimi i Ramiz Alisë: “Se edhe bar do të hamë e parimet nuk i shklasim!…” asht krimi ma i madh kundër popullit e atdheut të vet.

Po, a u mjaftue me kaq ? – Jo, sepse në mbrendsinë e tij ziente krimi. Këtë e vërtetojnë kufomat e djelmëve të rijë të mashtruem ndër kufij, të shporuem nga qindra plumba automatiku dhe të lidhun në hunj me tela me ferra, tue u shëtitë ndër pjacat e qyteteve…të të gjithë Shqipnisë. Ky ishte “ligji” me të cilin mashtruesi komunist gënjente dhe “shpërblente” rininë shqiptare, në pragun e shpërbamjes së sistemit të vet aq të dashtun… Muri i Berlinit ra! Ora e Lirisë nuk ndalej! Në dhetorin e 1989, Çaushesku jep shembullin e “ruejtjes së parimeve komuniste”… Shqipnia vazhdonte udhën e martirizimit komunist. Me 14 Janar 1990, u thye njëherë e përgjithmonë miti i atij sistemi përbindësh!

Demonstrata e heshtun në Sheshin e Dëshmorëve të Shkodrës njofton Tiranën ende të kuqe se komunizmit gjakatar i erdhi fundi. Mijëra veta të grumbulluem në atë shesh, presin rrëzimin e bustit të diktatorit gjeorgjian Stalin. Mijëra veta drejtuen sytë nga toka, presin kur po shprazën mbi kokat e tyne automatikët nga dritaret e hotel “Turizmit”, Sahatit Inglizit, apo apartamentit mbi PTT e qytetit, që ishin të mbushun me sampistët kriminel të ardhun nga Tirana, vetëm për gjakderdhje e masakra ndaj rinisë “rebele” shkodrane.

Mungonin disa djelm, të cilët një natë ma parë ishin tradhtue e kapë nga forcat speciale të ardhuna për këtë qellim nga Tirana, të kryesueme nga krimineli Zylyftar Ramizi… Mikrobusët e bardhë të poliklinikës vazhdonin fotografimet dhe gatishmëninë! Mungonte edhe Rini Monajka, djali trim që kishte njoftue Ambasadën Gjermane për aksionin e organizuem me këtë rast.

Rini ishte ndër kryesorët e kësaj vepre heroike me të cilën do t’i tregohej botës mbarë se në Shkodër gjaku i martirëve të ramë nën shpatën e diktaturës komuniste po vlonte në damarët e Rinisë dhe se, nuk kishte shkue huptë… Numri i të arrestuemve i kalon të 120 të rinj dhe të reja, që torturohen mizorisht nga organet e Sigurimit. Një pjesë përcillen për Tiranë ndër labirintet e zymta të ministrisë së terrorit.

Shumë familje në ankth nuk dinë ku i kanë djelmët e vajzat e tyne. Mbas disa muej tortura e vuejtje një grup u dënue me nenet 57 dhe 55 të Kodit Penal të RPSSH, që ishte në fuqi më këtë motivacion: “Për krijimin e një organizate kundër revolucionare me karakter antisocialist. Për krime kundër shtetit dhe për përmbysje të tij me dhunë…”, pra, siç shihet, rruga e hetimeve të çonte drejt plumbit. Ndër ta ishte edhe Rini. Nuk mjaftonte fraktura e kafkës së kokës në tortura, por duhej të vuente edhe me burg. Qëndrimi i tij burrnor asht një model i qëndresës kundrejt diktaturës ma mizore që ka përjetue Shqipnia për 47 vjet. Ndonëse kjo Rini u torturue me mjetet ma të paligjshme, ende sot askush nuk ka mbajtë asnjë përgjegjësi, përveç asaj që terroristët janë të penduem për çka nuk kanë mujtë me ba!…

Kampi i Qafë-Barit dhe Burgu i Burrelit ishin e ardhmja e Rinit. Një çudi ndaj kësaj demonstrate në Shkodër ishte qëndrimi jo dashamirës i të gjitha shteteve fqinjë. Jugosllavia sigurisht parandiente diçka, e justifikueshme. Një stacion i radios greke pak muej para kishte transmetue: “Sikur të hapën kufijtë e Shqipnisë, nuk kanë me mbetë as breshkat aty, edhe ato do të ikin!…”, edhe kjo ishte një e vërtetë. Italia si gjithnjë përsëriti qëndrimin e saj që ka mbajtë përgjatë shekullit XX. Më datën 16 janar 1990, pra dy ditë mbas demonstratës, demokristjani i njohtun Roco Butiglione jep një deklaratë për shtypin: “Më datën 14 dhjetor unë isha në Shkodër, por gjendja në atë qytet ishte e qetë. Nuk më ka ra në sy ndonjë demonstratë…”.

Me plot gojën, një turp për atë deputet të demokristjanes italiane. Ai me të vërtetë ka kenë në Shkodër, madje edhe në “Kafe të Madhe”, edhe i ulun te dritarja e tretë pranë xhamit në krahun e djathtë të kafes, sepse e kam pa unë me sytë e mi në ora 11:15, pikërisht, kur në shesh ishin mbi 4000 veta në demonstratën e heshtun… dhe zotni demokristjanit nuk i kishte ra në sy asgja, tue kenë jo ma larg se 20 ml. nga busti i Stalinit. E çka me pritë nga socialistët? Në vitin 1991, Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shkodrës, vetë kryetari Ferdinand Temali kërkoi me forcë lirimin e të dënuemve për rrëzimin e monumentit të diktatorit Stalin.

Me pjesëtarët e grupit u lirue edhe Rini Monajka, ndonse i gjymtuem nga shëndeti. Kur e takova mbas lirimit ndjeva vërtetë një kënaqësi që ky djalë ishte i lirë dhe gjithmonë me shpresë se do të përmirësohet edhe me shëndet, mbasi ngjyra e verdhë e fytyrës vazhdonte me e shoqnue… Mbas lirimit nga burgu, Rini ashtu si shumë të tjerë që dhanë kontributin e tyne, tue rrezikue jetën për të ardhmen demokratike të Shqipnisë, u harruen… shumë shpejt! Kishe shumë dëshirë që t’i jepej mundësia e një kurimi të mirë kur mora vesh se iku në Austri…, por ndodhi e kundërta… ndoshta … “autoambulanca” e paharrueshme, që më 14 janar 1990 qëndronte para hotel “Turizmit” në Shkodër… e kishte ndjekë deri në Austri, deri në Villach, ku më datën 1 maj 1997, Rini Monajka mbylli sytë krejt i vetmuem…

Këta pak rreshta në shenjë mirënjohjeje për ditët e lirisë që na solli Rini, ia kushtova në 55-vjetorin e lindjes së këtij ylli në qiellin e pafund të demokracisë. Dikur, në krahun e majtë të monumentit të Stalinit ishte një gur mermeri i daltuem. Ishte mendue mbi të me u vendosë një shqipe me krahë të hapun, simbol i së cilës ishte ruejtja nën krahët e saj: “Lavdia e Dëshmorëve të Lirisë”. Një ditë guri kaloi nga hoteli…

Do të ishte me vlerë për qytetin e Shkodrës, që në parkun mbas monumentit të Luigj Gurakuqit të vendoseshin disa gurë të daltuem (25 X 35 cm.) me emnat e martirëve dhe të dëshmorëve të Shkodrës… ku në një prej këtyne gurëve, duhet daltue edhe emni i nderuem i shkodranit të paharrueshëm: RINI MONAJKA (DUKAGJINI) 1953-1997.

© Panorama.al

Burimi/panorama.com.al/