Holta Bitri gjen nënën biologjike Jorgjie Brahushaj pas 53 vitesh

0
67

Ishte rreth 20 vjeçe kur rastësisht mori vesh se ishte e adoptuar dhe jo nga dikush tjetër por nga vetë nëna që e kishte rritur Jorgjia. Në një debat ajo i thotë “ti nuk më dëgjon sepse nuk je gjaku im”. Kjo fjali i mbeti si “gozhdë” në zemër Holtës e cila për herë të parë dëgjoi historinë e jetës së saj. Duke menduar se e dinte, nënë Jorgjia filloi t’i shpjegonte me lot në sy se Holta kishte lindur në Vlorë më 18 prill 1968 me emrin Rozeta Çuko. Një nënë e re, në rrethana të vështira ishte detyruar t’a braktiste. Rastësisht edhe nëna biologjike quhej Jorgjie. Holta e përjetoi keq këtë moment por filloi t’a lerë në harresë derisa kohëve të fundit, u bind që kishte ardhur momenti për t’a kërkuar. Në studion e “Ka një mesazh pë ty” në TV Klan ajo rrëfeu se nuk ka qenë e lehtë që të ndërmerrte këtë hap meqënëse dhe nëna adoptuese Jorgjia 95 vjeçe jeton ende. Pas një karriere të suksesshme si balerinë e parë në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, në vitet 2000 Holta Bitri emigron në Itali. Sot ajo kishte ardhur enkas nga Italia bashkë me djalin e saj Devis Masini i cili i jepte kurajo nga karrigia e spektatorit në sallë. As ai e as Holta nuk e dinin që dy zonjat e ulura afër Devisit ishin tezet apo motrat nga nëna biologjike të Holtës. Ato kishin ardhur nga Greqia për të parë se kush e kishte ftuar të ëmën e për t’a mbështetur emocionalisht. Momenti i takimit mes motrave ishte vërtetë emocionues por momenti final nuk kishte ardhur ende. Fatmirësisht edhe nëna biologjike Jorgjie Brahushaj (Çuko) jetonte dhe kishte pranuar të vinte në studio. E pyetur se kush mund t’a kishte ftuar në program ajo tha “mbase fëmijët”. Fillimisht pohoi se kishte tre fëmijë, vajzat Alketa e Ermira dhe djalin Gentian. Më pas, me kokën ulur e me zërin që i dridhej rrëfeu se kishte dhe një vajzë të cilën ka qenë e detyruar që t’a braktisë në Shtëpinë e Fëmijës në Vlorë, 53 vite më parë. E përlotur ajo tregoi se kishte qenë shumë e re kur u dashurua me një djalë me të cilin mbeti shtatëzënë. Ai e braktisi dhe Jorgjia e lindi vajzën e vetme. Ishte rritur në një familje pa nënë, ekonomi e dobët dhe me një mentalitet të egër që nuk e pranonte faktin e një fëmije ilegal. Nga Fieri atë e dërguan në Vllahinë të Vlorës për të lindur dhe për 9 muaj ajo qëndroi me vajzën duke i dhënë gji. Më pas u detyrua që t’a lërë por me porosi që askush të mos e adoptonte Rozetën e saj sepse do vinte t’a merrte sërish. Jorgjia u martua dhe të fshehtën e saj e dinte dhe bashkëshorti. Ai e përkrahu sa ishte gjallë që t’a kërkonte vajzën e saj. Jorgjia e pa Rozetën deri në moshën 3 vjeçare. Edukatoret e Shtëpisë së Fëmijës i thonin që vajza ka vesh për muzikë dhe kërcen. Kur ka shkuar herën tjetër, i kanë thënë që të mos e kërkojë më sepse vajza ka ndërruar jetë. Kjo e ka trishtuar pafund Jorgjien por thellë në shpirtin e saj ajo e ka ditur se vajzën e ka gjallë. Nuk ka marrë kurrë guximin t’ua thotë fëmijëve të fshehtën e saj por ata e dinin nga babai i tyre i ndjerë.
Shumë shpejt Jorgjia zbuloi se ajo që e kishte ftuar në program ishte pikërisht vajza e saj e humbur, ajo për të cilën nuk i pushuan kurrë lotët. “Zoti i rregulloi gjërat” tha Jorgjia duke qarë teksa përqafonte me shumë mall vajzën e saj, tashmë 53 vjeçare. “U bëmë familje e madhe” shtoi ajo, të njëjtën gjë që Holta kishte shprehur disa minuta më parë duke thonë se gjithnjë e ka ëndërruar që përveç mamasë të kishte dhe vëllezër e motra. Familja u bashkua. Misioni i “Gjurmëve të Jetës” u përmbush sërish me sukses.
Nëse keni histori të ngjashme, na shkruani në inbox në rrjetet tona sociale ose në email: gjurmetejetes@gmail.com
Linku i emisionit ne YouTube:
https://www.youtube.com/watch?v=HRsLO0aby9A

Mund të jetë një imazh i 6 persona dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 8 persona, njerëz në këmbë, syze, ambiente të brendshme dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe teksti
Mund të jetë një imazh i 4 persona, njerëz në këmbë dhe teksti

Burimi/Gjurmet e Jetes – Traces of Life Albania