Ibrahim Morina – DORËHEQJE QË NUK MJAFTON…

0
147

Si rrallë ndonjëherë, 72 orët e fundit kanë qenë të mbushura me ngjarje, të cilat kanë prodhuar “lajme të mëdha”, por për më tepër kanë provokuar dhe nxitur zhvillime të mëdha. Demonstrues, kryesisht të rinj, janë derdhur rrugëve të Tiranës dhe qyteteve kryesore, jo vetëm në shenjë proteste ndaj vrasjes së bashkëmoshatarit të tyre Klodian Rasha, por edhe si pjesë e revoltës ndaj pasigurisë dhe pamundësisë që (s’) ju ka ofruar qeveria për të punuar e jetuar në Shqipëri…
Ajo që nisi me vrasjen pas shpine nga policia të një 25-vjeçari të paarmatosur, kulmoi me revoltën qytetare. Dorëheqja e ministrit ë Brendshëm Sandër Lleshaj, një prej “lajmeve të mëdha”, është vetëm pasoja e asaj vrasje…, por që nuk mjafton. Treguesi më i mirë i kësaj pamjaftueshmërie është mosstepja e protestuesve, të cilat vetëm pak orë pas dorëheqjes së ministrit, na dhanë mundësinë, që nga pamjet e protestës së mbrëmshme, të shohim se policia me dhunën e saj ekstreme, deri edhe në përdorimin e armëve, është po ajo që ka qenë edhe kur ministër kishin Sandër Lleshajn.
Ndaj dorëheqja e tij, nuk mjafton…
Frymëzimi i kësaj lloj sjellje për këtë lloj Policie, nuk kanë qenë as Saimir Tahiri, as Fatmir Xhafaj, së fundmi as Sandër Lleshaj. Sepse, ndërsa i pari, Saimir Tahiri, do të mbahet mend më tepër si “drejtor i fermës” më të madhe të kanabisit, i dyti, Fatmir Xhafaj, i cili megjithëse më përpara iku se sa qëndroi si ministër i Brendshëm, merak më të madh kishte “të rregullonte punët” e vëllait të tij të kërkuar edhe ndërkombëtarisht. Ky i treti, Sandër Lleshaj, si “sukses” të punës së tij, do të ketë të tregojë barsoleta me policë, por edhe për “transaksionin e suksesshëm” të blerjes për 49 mijë euro të një BMW-je 100-mijë eurosh, të re dhe luksoze…
Frymëzimi i kësaj lloj sjellje për këtë lloj Policie, ka vetëm një emër…, Edi Rama.
Në fillimin e mandatit të parë qeverisës, ende kanë mbetur të skalitura në memorien e gjithsecilit prej nesh, “operacionet” e para të Policisë…, arrestimi dhe burgosja e debitorëve të varfër të energjisë elektrike. Vetëvrasja e ndonjërit prej tyre, ishte vetëm ngritja e siparit për “rolin e ri” që po merrte Policia, atë të sjelljes arrogante, shoqëruar me dhunë, terror e gjobvënie, së fundi edhe me vrasje, deri edhe për mosmbajtje maske… Dhe pas çdo “suksesi” të tillë të Policisë, Edi Rama, kryeministri i 7 viteve të fundit të Shqipërisë, mes artikulimeve të përsëritura, “burg” dhe “arrestime”, do na kujtonte, por edhe do të na bënte të shihnim dhe të ndjenim, se ishim rikthyer në epokën e “shtetit policor”.
E gjithë kjo sjellje “e filozofi” vrastare e Policisë, po “të pasurohet” me korrupsionin galopant, të cilin jo më larg se mbrëmë, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim nuk e përjashtoi veten kur u shpreh se, “… të gjithë e pranojnë që korrupsion është një kancer këtu në Shqipëri. Është në perceptim por është edhe në realitet”, ka një emërues të përbashkët…, dështimin e mosçeljes së negociatave të Shqipërisë,dështimin e integrimit të saj në BE…
Pa dyshim, që të mos kemi në të ardhmen Klodianë të vrarë pas shpine nga Policia, që të shërohemi nga metastazat e kancer-korrupsionit, për më tepër që të na hapen portat për në BE (jo në versionin 3D, siç i hap Edi Rama çdo vit), na bie me kosto më të vogël të këmbëngulim me protesta, largimin e tij një orë e më parë.

Nga Ibrahim Morina