Ibrahim Xhemajli – Ndjenjë e njejtë….

0
97

Më 7 gusht të vitit 1985 isha liruar nga vuajtja e dënimit 4 vjeçar për shkak të pjesëmarrjes aktive dhe organizimit të demonstratave 11 e 26 mars në Prishtinë e 3 prill 1981 në Ferizaj ( siç shkruan edhe në aktakuzë).
Pa kaluar as 6 muaj më erdhi ftesa për shërbim ushtarak në APJ – siç ishin të obliguar (sipas ligjit) edhe shqiptarët në ish Jugosllavi.
Të shkoj a mos shkoj …ishte pyetja.
Pas shumë dilemave shkova.
Ishte kohë shumë e keqe.
Shumë ish ushtarë shqiptar iu ishin kthyer në arkivole famljeve të tyre.
Ishte rrezik i madh,sidomos për ata të dënuar për prishjen e rendit kushtetues ,socialist,vetqeverisës e ku e di se çka si dhe për cenim të integritetit terrioral të ish Jugosllavisë.
Shumë shqiptarëve në APJ iu montuan vepra e procese gjyqësore e u dënuan me dënime drakonike e disa tjerë edhe i vranë.
Duke shërbyer në APJ ishin dënuar me burg të rëndë edhe bashkveprimtarët Fadil Vata,Murat Bytyqi e Avdush Limani të cilët i takova në vuajtjen e dënimit në “Zabella “të Pozharevcit.
Me një fjalë ishte rrezik i madh edhe për mua prandaj duhej të isha shumë i kujdesshëm.
Më ishte caktuar të shërbej në një kazermë ushtarake në Beograd,ku si në kazerma tjera edhe këtu kishte ushtarë e oficerë nga të gjitha viset në ish Jugosllavi.Edhe këtu ishim shumë ushtarë shqiptarë.
Shqiptarët në përgjithësi ishin djem të mirë por nuk kishin qenë të përcaktimeve tona, në përjashtim të njërit -ing Jusuf Llumnica.
Dmth unë e Jusufi duhej të ruheshimi se shumë lehtë mund të na montonin diçka…dhe ashtu bëmë -rrinim në distancë.Jusufi më ka treguar pastaj se e kishte heq të zitë e ullirit nga oficeri i sigurimit në kazermë, duke u marrë shpesh në pyetje ( kohë pas kohe) e duke u pytur për mua…por Jusufi,të cilit i detyrohem shumë, nuk më ka rënduar me asnjë gjë – e nuk e ka folur asnjë fjalë që kanë mundur ta përdorin kundër meje…
Montimet dhe vrasjet ndodhnin zakonisht pak para përfundimit të shërbimit ushtarak…
Si shpëtova …?
Shërbeja në një Çetë që kishte 117 pjesëtarë dhe shpesh na mbanin “orë politike” ku shpesh u folte edhe për klasikët e marksizmit,( për të cilët kisha lexuar shumë në burg) por unë zakonisht nuk flisja gjersa një ditë u detyrova ta kundërshtoj ligjëruesin për disa interpretime të gabuara …
Kjo ishte një befasi për gjithë Çetën sa mbretëroi një qetësi e jashtëzakonshme kur fola… Menjëherë fitova një përkrahje: “Tako Xhemo”,”Tako Xhemo”.Disa më përkrahen nga respekti ( isha një nga ushtarët më të moshuar aty) e disa për inat të ligjëruesit të bezdisshëm.
Për këtë edhe respektohesha nga ushtarët.Dorën në zemër unë publikisht ua kisha tërhequr vërejtjen gjithë ushtarëve të Çetës :”se sikur edhe 100 vite të rrijmë sëbashku unë asnjëherë nuk ju shaj prandaj mos gabon ndonjëri të më shaj mua,siç po e shoh ju po shaheni në mes veti me nënë e babë,se nuk ju duroj…”Dhe jo vetëm që nuk më kanë ofenduar kush por edhe kam qenë i respektuar.Kjo ishte një e mirë se nëse është tentuar të montojnë diçka në raport me nacinalizmin tim e urrejtje nacionale ndaj tjerëve -e kanë pasur shumë vështirë…
Unë vazhdoja t’i kryeja detyrat e mia që kërkohej dhe silleja mirë me ushtarët.
Ndoshta kjo ndikoj që edhe të më caktojnë në një vend pune komod -në repartin e pastrimit gjegjësisht në ndrrimin e këmishave dhe rrobava tjera.Ishte një ambient i veçantë dhe shpesh mbetesha aty i vetmuar ,ngase edhe mirëmbajtjen -pastrimin etj i kryeja unë,edhe pse edhe të tjerë ishin të punësuar këtu.
Komandant kishim një oficer nga Bosnia i cili sillej mirë me mua.
Shpesh ushtarët në këmishat e tyre harronin lekë dhe përshkak se ndërrimi i rrobave u bënte pa evidencë,ku ushtarët vinin me të vjetrat dhe i merrnin të reja ose të pastra, nuk mund ta dinim se kush i ka harruar.
Lekët e harruara ia jepja komandantit,të cilit i dilte punë për të gjurmuar se kush i kishte harruar.
Kjo ndodhte jo rrallë dhe nganjëherë mërzitej e më thonte “ pa po pij Bollane”… dhe vërtetë u përdornin për pije por jo nga unë.
Unë i leja aty -në depo,i merrnin punëtorët tjerë ushtarë dhe blenin pije e i sjellnin aty….
Një ditë kërkuan vullnetarë për të dhënë gjak u lajmërova edhe unë (nga parimi se është mirë të shpëtosh jetë) pa e ditë se do të shpërbleheshim me dy ditë pushim,që në fund do të më shërbenin shumë.
Si ?
Shërbimi ushtarak ishte 12 muaj dhe secilit ushtar i takonte edhe pushimi vjetor,të cilin nuk e kisha shfrytëzuar.
Dita e lirimit pritet me padurim nga gjithë ushtarët dhe kah fundi thujse ditët kalojnë me shumë vështirësi …
Për mua ishin edhe më të vështira ku për çdo ditë zgjohesha me një ndjenjë pasigurie dhe prisja sihariqin se jam i akuzuar për ndonjë gjë ose ndonjë kurthë apo të papritur…
Me ndjenja të tilla kisha kaluar 11 muaj dhe prisja takimin e padëshiruar me oficerin e sigurimit,për çka më kishte paralajmëruar Jusufi…
Është interesante sa kah fundi i shërbimit ushtarët nuk llogarisnin vetëm për ditën kur lirohen personalisht por edhe të shokëve të tyre…Një ushtar nga Sllovenia -Mateo,që punonim bashkë e që e dinte se nuk e kisha shfrytëzuar pushimin më kurajoi se së shpejti do të lirohem dhe filluam llogaritjen dhe dilte se edhe 9 ditë mund të lirohem …
Unë në vend se të gëzohem fillova të stresohem se zakonisht ato “të papriturat” ndodhnin në ditët e fundit…
Takimi i ardhshëm me oficerin e sigurimit nuk më shqitej nga mendja…
dhe gjersa isha thelluar në mendime
kur m’u drejtua slloveni :”Xhemo,Ti lirohesh të hënën tjeter po pse nuk jep edhe një herë gjak dhe i fiton dy ditë dhe pasiqë është weekend lirohesh të premten”…Nuk më kishte shkuar ndërmend.
Ide e mirë por kisha frikë se po sinjalizoja oficerin e sigurimit…Vetëm për te mendoja.
“Daj krv Çoveçe, idesh kuçi pre…” – m’u drejtua slloveni dhe tha se edhe unë do të vie me Ty”. Dhe ashtu u bë.
Shkuam e dhamë gjak.
Edhe tri ditë i kalova nën ethe dhe të enjtën shkova te administrata ia tregova librezën e gjakut dhe më tha zyrtarja se eja neser e shkarkohesh.
Të nesermen vesha rrobat civile ( që i kisha blerë më herët) dhe shkova përsëri në zyrën e admanistratës për t’u shkarkuar.Dhe duke kryer këtë procedurë hyri “papritmas “ oficeri i sigurmit dhe kur më pa tha :”skinesh..”-
Pohova me kokë dhe memzi thashë “Da”….
“Aha” – tha.
“Aha “ pra thashë me vete dhe dola.
Mora shpejtë autobusin deri te stacioni i trenit dhe nga aty me trenin e parë shkova në Ferizaj…
Me një ndjenjë të njejtë – të frikës për takimin me oficerin e sigurimit të kazermes në Beograd ku kisha kryer shërbimin ushtarak prita edhe ditën e sotme,përkatsisht telefonatën me autoritetet nga Drejtoria për Sigurinë e Pacientit,nga e cila varej se a do të dilja nga karantina një javore e Covidit apo jo.Ngurroja të telefonoja …
Mendoja se gjatë bisedës mos po gjejnë diçka dhe do m’i shtojnë ditët e izolimit…
Bëra zemren gur dhe telefonova.
Dhashë nr me të cilin ishte krijuar identiteti im në këtë Drejtori.
Lexuan journalin dhe pastaj filluan pyetjet të cilat kërkonin përgjegje të sinçertë.Kur personi i autorizuar më dëgjoi deri në fund më komunikoi vendimin se nuk ka nevojë të jem më tutje në izolim,pasiqë nuk përmbaj rrezikun për t’i infektuar të tjerët.
Pra ,të dashur miq e familjarë, ju njoftoj se sikur oficerit të Sigurimit Serb ia hodha edhe Covidit,sëpaku për 12 javë jam i sigurtë. Urraaaa!
Shëndet e mbarësi për të gjithë të infektuarit! Shërim të shpejtë!
Suksese!

Burimi/Facebook