Igli Tola: Besimi është çelësi drejt arritjeve

0
178

Igli Tola ka kryer studimet e larta në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera për “Financë dhe Kontabilitet”. Gjatë kësaj periudhe ai përfitoi edhe një bursë nga KE, përmes programit Erasmus për të zhvilluar një vit akademik në Milano, Itali. Falë rezultateve dhe angazhimit të tij në kauza sociale, është zgjedhur student bursant i një prej organizatave më të mëdha gjermane, KAS (Konrad Adenauer Foundation). Aktualisht, Igli është pedagog pranë Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Në një intervistë për CMG ai na tregon për arritjet gjatë karrierës së tij profesionale.

Igli Tola ne interviste per CMG

CMG: Edhe pse në një moshë fare të re juve keni një karrierë të admirueshme ku që në moshë të vogël keni shkëlqyer gjatë studimeve, duke u qenë ndër nxënësit dhe studentët ekselentë. Kjo ka ardhur falë punës suaj, apo ka ndikuar dhe mbështetja e familjes?

Igli Tola: Unë mendoj se ajo që ne bëjmë është pasqyrimi i punës dhe vullnetit tonë, por edhe angazhimi i familjes, pra asgjë nuk është e mundur në këtë botë që të realizohet vetë, pa mbështetjen e njerëzve më të afërt. Normalisht në radhë të parë është familja dhe pastaj miqtë dhe të afërmit. Unë mendoj se çdo gjë është e pamundur dhe një pjesë të këtij suksesit tim unë ja dedikoj absolutisht familjes, përkushtimit dhe sakrificës së tyre që në hapat e mia të para në fëmijëri dhe deri më tani.

CMG: Përse zgjodhët të studionit për ekonomi, apo ishte një pasion i juaji për lëndët ekzakte dhe këtë degë?

Igli Tola: Zgjedhja e fakultetit ekonomik dhe më pas duke u specializuar në fushën e financave ishte një zgjedhje të cilën deri diku unë e mendoja që në fillimet e gjimnazit. Pra momenti që shumica e moshatarëve të mi në gjimnaz ishin akoma në mëdyshje se për çfarë të studionin, unë deri diku e kisha të ndarë mendjen, edhe duke u nisur nga fakti që kam pasur gjithmonë njëfarë reference dhe rezultate shumë të mira në lëndët ekzakte, matematikë apo fizikë. Mendoj se zgjedhja e ekonomisë është diçka që lindi brenda meje dhe erdhi shumë natyrshëm, dhe më pas unë u drejtova drejt saj. Gjithashtu unë besoj se ka të bëjë edhe te njëfarë geni familjar, duke pasur parasysh edhe formimin e prindërve të mi dhe paraardhësve të mi që kanë qenë në profilin tregtar ekonomik dhe normalisht besoj se kjo ndikoi. Prindërit e mi asnjëherë nuk kanë imponuar tek unë një zgjedhje të detyruar, edhe pse kishin preferencë drejt mjekësisë, por asnjëherë nuk më kanë imponuar në zgjedhjen time, por mendoj se duke parë shembullin e tyre edhe unë besoj shkova drejt kësaj dege dhe nuk jam i zhgënjyer.

Igli Tola me Zevendes Kryeministrin e Malit te Zi Dritan Abazovic

CMG: Studimet e larta ju i keni përfunduar me rezultate të shkëlqyera duke përfituar edhe një bursë studimi nga KE dhe programi Erasmus për të zhvilluar një vit akademik në Milano të Italisë. Si ishte eksperienca juaj e studimeve në Itali?

Igli Tola: Besoj se në ditët e sotme mundësia për të studiuar jashtë është shumë herë më e thjeshtë se vite më parë. Unë kam pasur fatin, por edhe falë punës sime dhe synimit tim që studimet t’i kryej pjesërisht në Shqipëri dhe pjesërisht jashtë, sikundër një pjesë të studimeve bachelor i kam kryer në Milano të Italisë falë programit Erasmus. Ndërkohë që në studimet master kam qenë i angazhuar bursant pranë fondacionit gjerman KAS (Konrad Adenauer Foundation) dhe falë tyre një pjesë të studimeve i kam kryer në një Universitet gjerman, gjë e cila ka qenë një vlerë e shtuar edhe për formimin tim. Mendoj se më së shumti studimet jashtë dhe ballafaqimi me botën jashtë dhe sidomos me pjesën e Europës perëndimore të ndihmon për të formuar kulturën e punës, dëshirën drejt eksplorimit dhe mendimit kritik. Kjo është diçka që pavarësisht po mundohemi ta kultivojmë dhe imponojmë në shoqërinë shqiptare, është diçka jo aq prezente sa në Perëndim. Këto janë gjërat që unë i kam si pjesët më të rëndësishme dhe vlerat më të mëdha të formimit tim jashtë dhe që mundohem të ua përcjell studentëve të mi sot.

Igli Tola gjate nje eventi (Facebook)

CMG: Aktualisht juve jeni pedagog në fakultetin e Ekonomisë. A ka modele si ju ekselentë nga studentët tuaj?

Igli Tola: Gjithmonë ka pasur studentë të mirë që normalisht duan mbështetje dhe ndihmë për t’u vlerësuar dhe më pas për t’u stimuluar dhe për të ecur më tej në formimin e tyre profesional dhe pse jo dhe akademik. Unë kam aktualisht shumë studentë te të cilët shoh dëshirën dhe vullnetin për të ecur përpara. Thejsht unë mendoj se ajo që ne duhet të bëjmë si pedagogë, por dhe si shoqëri në tërësi është të gjejmë mënyra për t’i stimuluar dhe për t’u dhënë shembullin që edhe përmes arsimit dhe punës arrihet të bëhet një karrierë dhe të formohet një jetë e pranueshme, arrihet të krijohen të mira materiale të nevojshme, dhe jo të mendohet që arsimi nuk sjell të ardhura dhe të ardhme.

Igli Tola, (Facebook)

CMG: Ju si e shikoni të ardhmen tuaj, do të investoni në karrierë në Shqipëri apo mendoni që të largoheni në një shtet tjetër?

Igli Tola: Mundësia për të studiuar jashtë më ofroi normalisht edhe mundësinë që unë të qëndroja jashtë dhe të zhvilloja një karrierë atje. Unë mendoj se duhet të jemi koshient që një karrierë jashtë deri diku është dhe më e vështirë për shkak të konkurencës më të lartë. Duke qenë se një i huaj në vend tjetër nuk mundet të jetë i barabartë, pavarësisht se në vendet e Europës perëndimore kjo gjë është deri diku e kapërcyer si pengesë, unë mendoj që guri i rëndë peshon në vendin e vet. Pra, duhet të përpiqemi së paku për të bërë ndryshimin dhe për t’u angazhuar në vendin tonë, por që nuk e përjashtoj në asnjë moment një mundësi për të lëvizur jashtë, edhe pse nuk është nga planet e mia. Duke pasur parasysh dinamikën e gjërave dhe mënyrën sesi gjërat ndodhin në vendin tonë, mund të ndodhë dhe me mua siç ka ndodhur dhe me shumë kolegë të mi që vjen një moment që pavarësisht arritjeve të tyre zgjedhin që të largohen edhe duke sakrifikuar disi nivelin e tyre hierarkik në pozicionet e punës apo në të ardhurat e tyre, por thjesht për një jetë si më të qetë dhe të mirë. Kjo gjë nuk është në planet e mia të afërme që të tregohem realist.

CMG: Së fundi një mesazh për dëgjuesit dhe gjithë të rinjtë shqiptarë.

Igli Tola: Mendoj që ne si të rinj kemi mundësinë që ato ndryshime që duam t’i shohim të realizuara. E vetmja gjë është se ne duhet të gjejmë mënyrën sesi dhe duhet të kuptojmë forcën e bashkimit, pra të mos mundohemi të sulmojmë njeri-tjetrin, por të mundohemi që duke bashkëpunuar dhe besuar te njerëzit sepse besimi është hapi i parë dhe çelësi drejt arritjeve

Intervistoi: Gazmend Agaj

Burimi/albanian.cri.cn/