Ilia Karanxha – KONGRESI I DYTË I MANASTIRIT (2-3 PRILL 1910)

0
170

Ky tubim u thirr me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit dhe
në të morën pjesë 20 delegatë, që përfaqësonin 34 klube e shoqëri të vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit e të Janinës, si edhe klubet shqiptare të Stambollit, të Selanikut e të qendrave të tjera.
Nnë këtë kuvend pati një numër mjaft të madh delegatësh nga qytetet e vilajeteve të Kosovës dhe të Manastirit, nga Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Vuçiterna, Shkupi, Tetova, Dibra, Struga, Ohri etj. Midis delegatëve ishin Dervish Hima, Fehim Zavalani, Petro Nini Luarasi, Hysni Curri, Ferit Ypi, Bedri Pejani, Qamil Shkupi, Gjergj Qiriazi, Bejtullah Gjilani, Themistokli Germenji, Tefik Panariti, Hajdar Blloshmi, Abdullah Efendiu (nga Struga), Qazim Iliaz Dibra, Rexhep Mitrovica, Xhafer Kolonja etj. Kryetar i Kongresit u zgjodh Bedri Pejani, ndërsa sekretarë Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.
Qëllimi i këtij Kongresi ishte të diskutonte çështjet që kishin të bënin me mbrojtjen e shkollës, të shkrimit me alfabetin latin, të kulturës kombëtare kundër reaksionit xhonturk dhe kundër politikës asimiluese të xhonturqve. Kongresi do të merrte masa të mëtejshme për zgjerimin e rrjetit të shkollave shqipe dhe për zhvillimin e kulturës shqiptare në tërësi. .
Në Kongresin e Dytë të Manastirit, ashtu si në ato të mëparshmet, u mbajtën edhe mbledhje të fshehta, në të cilat u diskutuan çështje të tilla politike, siç ishin forcimi i komiteteve të fshehta dhe masat që duheshin marrë për përgatitjen e një kryengritjeje të përgjithshme. Por, ndërsa për komitetet e fshehta u mor vendim që të zgjeroheshin e forcoheshin më tej, për përgatitjen e kryengritjes së përgjithshme nuk u mor ndonjë masë. Kjo çështje u la të diskutohej e të vendosej në kongresin e ardhshëm. Sipas të dhënave të bashkëkohësve, në mbledhjet e fshehta u hartua edhe një program politik, të cilin ata e quanin platformë “të autonomisë së Shqipërisë”, ku, përveç të tjerave, parashikohej njohja zyrtare e kombit shqiptar, mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë dhe njohja e saj si gjuhë zyrtare. Megjithatë, ky program nuk u përfshi në asnjërin nga dy aktet e shpallura botërisht të Kongresit.
Kongresi i Dytë i Manastirit, ashtu si mitingjet, protestat dhe manifestimet e tjera që u zhvilluan në Shqipëri në pragun e këtij kuvendi, në shkurt-mars të vitit 1910, shprehën vendosmërinë e shqiptarëve për mbrojtjen e shkrimit shqip, të shkollës dhe të kulturës kombëtare në tërërsi. Ato ishin, njëherazi, një paralajmërim për kryengritjen e armatosur që do të shpërthente në pranverën e vitit 1910.

Burimi/Facebook