Ilir Meta – Me rastin e 30-vjetorit të Meshës së Parë

0
109

Me rastin e 30-vjetorit të Meshës së Parë, si dhe të 4-vjetorit të shpalljes Martirë të Fesë, të 38 Shërbëtorëve të Hyjit, shpreh respektin, mirënjohjen dhe vlerësimin tim për sakrificat dhe kontributin e vazhdueshëm që Kisha Katolike, drejtuesit dhe besimtarët e saj kanë dhënë për përparimin dhe demokratizimin e Shqipërisë.
Si sot, në 4 nëntor 1990, me një akt historik e tepër të rëndësishëm jo vetëm për Kishën, Dom Simon Jubani, me një kurajë civile të pashoq i dha një goditje regjimit komunist, me meshën e mbajtur në varrezat e Rrmajve në Shkodër, duke ju dhënë zemër e rikthyer shpresën tek besimtarët dhe populli shqiptar, të privuar në dekada nga liritë e të drejtat themelore.
Kjo Meshë, e zhvilluar në kushte terrori nga një regjim që po jepte shpirt, riktheu të drejtën e shprehjes dhe lirinë e ndërgjegjes dhe shërbeu si një prelud i ngjarjeve të tjera të jashtëzakonshme, që do të pasonin deri në rënien përfundimtare të dikaturës komuniste në Shqipëri.
Kjo ngjarje vinte si rrjedhojë e qëndrimit, vuajtjeve dhe martirizimit të klerit katolik në Shqipëri dhe sidomos e kurajës së dëshmuar në veçanti nga qytetarët e Shkodrës, të cilët përherë kanë qenë në ballë të lëvizjeve për demokratizimin e vendit.

Fotografia e Ilir Meta


Lumturimi nga Selia e Shenjtë e 38 Martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri, simbole të rezistencës dhe përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave hyjnore, integritetit e dinjitetit njerëzor dhe idealeve kombëtare, është një tregues i qartë i qëndresës, sakrificave dhe kontributit të vyer që kleri ka dhënë në drejtim të mbrojtjes së lirisë së besimit, përparimit e demokratizimit të vendit tonë.

Fotografia e Ilir Meta

Burimi/ Facebook