Ilir Shaqiri – Kambanat arbëreshe sot na e dhanë kumtin e trishtueshëm.

0
105

Kambanat arbëreshe sot na e dhanë kumtin e trishtueshëm. Flamujt e komunitetit artistik arbëror janë ulur në gjysmështizë, është ndarë nga jeta poeti, kantautori, artisti i madh arbëresh Zef Kakoca.
Ai u lind në Shën Mitër – Korone të Kalabrisë me 27 shtator, 1957.
Bëri studimet klasike te Kolegji i Shën Adrianit, aty ku mësoi dhe ligjëroi De Rada i madh. Universiteti i Kalabrisë i dha titullin profesor në Gjuhë dhe Letërsi të huaj, duke mbrojtur suksesshëm disertacionin mbi veprën e Fan Nolit.
Punën e vazhdoi si profesor i gjuhës franceze në Rossano, ku dhe banonte.
Si autor, kompozitor dhe këngëtar fitoi gjashtë herë Festivalin e Këngës Arbëreshe, në të cilin ka qenë dhe drejtor artistik për katër vjet.
Recitalet muzikore – teatrale “De Rada dhe Milosao” me grupin artistik “Zjarri i Ri”, “Rrënjat e Arbërisë” (Le radici dell’ Arbëria), “Udhëtimet e Arbërisë” (I percorsi dell’ Arbëria) dhe “Homazh De Radës”, ishin produkt i shpirtit dhe mendjes së tij brilante.
Aktivitetet kulturore, artistike e teatrale i shtriu në të gjitha katundet arbëreshe dhe këndej detit: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.
Nga publiku dhe nga kritika është konsideruar personaliteti më artbërës dhe përfaqësuesi më autentik i këngës poetike arbëreshe, përçues dinjitoz i traditës, historisë dhe kulturës arbërore.
Ka qenë kryetar i shoqatës “Arbitalia”, e para gazetë arbëreshe on line (www.arbitalia.it).
Në vitin 2009, në Napoli të Italisë mori, “Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Kreativitetin”, çmim që u jepet personaliteteve të larta të kulturës mesdhetare.
Deri sot ishte anëtar i Komitetit Shkencor për Vlerësimin e Komuniteteve Arbëreshe në Zyrën Rajonale në Kalabri (Ministria e Arsimit).
Anëtar i Komitetit Shkencor në Institutin Regjional të Kalabrisë për Komunitetin Arbëresh.
Kryetar i Shoqatës Arbëreshe në Corigliano-Rossano.
Drejtues i librit digjital “Le Perle di Arber”.
Në vitin 2015, u laureua me titullin “Naim Frashëri i Artë”, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë.
Në vitin 2017, botoi romanin e parë “La Terra di Yll”.
Në vitin 2017, u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve të Kosovës.
Zefi la pas vetes shumë këngë të bukura arbëreshe, la përmbledhje poezish të botuara e të pa botuara, la romanin e radhës përgjysmë, la këngë të nisura, ashtu siç la përgjysmë URËN MBI DET, një projekt që e nisem bashkë viteve të fundit dhe që na lumturonte fort.
Na e le këngën ngrirë në buzë, o vëlla…
Më fal për këto dy kokrra loti…, se edhe shqiponjat ndalen fluturimin, duke parë shpirtin tënd të bardhë tek merr udhë nëpër qiell…
Lamtumirë!

Shkruar nga Ilir Shaqiri

Burimi/Facebook