Ilir Shaqiri – PARANDJENJË E PASTËR

0
105

Muzika është fenomen i natyrës psikologjike me rëndësi të madhe njerëzore, si shprehje e caktuar e vetëdijes estetike të njeriut dhe objekt i qëllimeve morale e sociale të tij.

PARANDJENJË E PASTËR

Dy perde më shumë në qafën e çiftelisë
për hatër të një kënge që s’këndohej ndryshe,
fundshekulli i shpërfilljes, apo i risisë,
Zeusi mungonte, Hadi me mëdyshje.

S’na duhen ndërmjetëzat, asgjë tjetër shtesë,
këngëve të mallëngjyeshme s’iu duhet maxhor,
dërdëllisnin trutharët zëshëm, pa pendesë
Ministrat e Ferrit dhe ca shërbëtorë.

Edhe Prometeu shpërfillur na shihte,
rebelimin tonë nuk e miratonte,
përveç Apollonit që me zell na ndiqte,
derisa kënga bëri krahë të fluturonte!

Sa e depërtueshme vinte kjo muzikë
nga dy nota të reja në një degë qershie,
në buzët tona të çara këngë dhe pak frikë,
parandjenjë e pastër – drithërimë dashurie!

Risi e fundshekullit muza jonë e re,
sikur një lugë ajkë në korën e bukës,
kundraorfeianët me britma pa fre:
këto gjëra i zgjidh vetëm hyji i luftës.

Janë trille artistësh këto ndërmjetëza shtojcë.
Mendojnë s’e kanë gjetur ilaçin e zemrës,
me dy krane të këputura nga një rrëmojcë
s’ngjallet e pangjallshmja me jehun e këngës?!

Atje vetë liria kotej përtejvarrit,
priste një koncert falas për të vdekurit,
melodi e pamundur vinte në veshët e Hadit
me ritmin e plasur sikur n’dërrasë të vekut.

Cerberët e pushtetit duhet të ishin fjetur,
i pashmangshëm pakti për udhën e nisur,
ringjallës të asgjësë, psherëtinin mekur:
kush guxon të panjohurën duhet t’jetë pak i krisur.

Lëreni të çmallen t’u djersijnë ballët,
le t’u mbes veç kënga ajo që i mburr,
se edhe e vdekura një çast mund të ngjallet
me kusht që me të të mos shihen kurrë.

E pafituara regëtinte si një dritë e zbehtë
kur skena u hap zhurma u fashit,
afsh i papërmbajtur, frymëmarrje e fshehtë,
derisa e qenësishmja u përplot me dritë!

Në mbretërinë e të vdekurave nuk kishte flutura,
dyesi Euridika, ndoshta e mosqenë,
po kush s’e kthen kokën një çast nga e bukura,
nga e ajo e ndritshmja që na shëmbëllen?!

Përndritja e të fituarës, përjetësimi i saj
në një degë qershie plot perde e gjysmënota,
shkalla e tretë e gëzueshme mbeti e pafaj,
plotnim bukurie me tingujt që i ka bota!

S’ka më të përhumbur dashnorë si dikur,
nga thirrjet e hijeve s’kthehet koka pas,
në Mbretërinë e Hadit fle shekulli i sëmurë,
Liri – këngë diellore të zura e s’të humbas!

ISh

Marre nga profili i Kengetarit ne Facebook