Ilir Shaqiri, promotori – udhërrëfyesi i suksesit tim

0
72

Shkruar nga: FATMIR MAKOLLI
Mjeshtër në çifteli
Ilir Shaqiri, promotori – udhërrëfyesi i suksesit tim
Veprimtaria ime me çifteli në dorë, që 40 vite, më ka mundësuar të takojë dhe të njoh shumë artistë, këngëtarë, kompozitorë, shkrimtarë nga mbarë bota.
Për ketë e falënderoj Zotin që ma dha talentin, por edhe njerëzit që më përkrahen gjithmonë me të gjitha mundësit dhe dijen e tyre! Ndihma dhe përkrahja e secilit prej tyre për mua ka qenë tepër e rëndësishme dhe në ketë drejtim duhet veçuar përkrahjen e pa rezervë të një këngëtari, një artisti, një shkrimtari e kompozitori, një djali të Drenicës heroike, Ilir Shaqiri.
Këngët e Ilirit janë këngë që më flejnë në zemër, si për nga vija melodike, si për nga përmbajtja e tekstit dhe sapo ta marr çiftelinë në dorë, gishtat lëvizin, vallëzojnë vetvetiu, sepse ç’prej së kam filluar t’i dëgjojë kanë zënë vend në memorien time. Këngët e tij më një të dëgjuar ta kënaqin veshin, më dy herë të dëgjuara ta mbushin shpirtin, më tri e më tepër të dëgjuara ke për t’i kënduar edhe vet, pavarësisht a je, apo nuk je këngëtar.
Njohja me Ilirin për mua ishte si regjistrim në një fakultet universal, ku do të mësoja për instrumentet, për muzikën, për letërsinë, për historinë, për jetën, për humanizmin, sepse ai është një det njohurish e përvojash…
Unë e vizitoja shpesh në studion e tij në Prishtinë, përgjatë bashkëpunimeve tona të suksesshme, dhe një ditë të bukur më tha: FAT (ashtu siç më thërret gjithmonë me shkurtesën e ëmbël të emrit tim) dëgjomë: krejt çka din e çka mund të bësh me çiftelinë tënde, dera e studios sime për ty është e hapur 24 orë; në orën 4 të mëngjesit nëse të vjen ndonjë inspirim, të lutem eja menjëherë pa kurrfarë hezitimi, sepse frymëzimi vjen dhe po se regjistrove ikën e nuk kthehet më.
Këto fjalë më dhanë forcë, vullnet dhe optimizëm për t’iu përvesh punës për kompletimin e krejt atij materiali që kisha në kokën time, duke vënë në sprovë virtuozitetin e gishtave të mi. Me ndihmën e Ilirit bëmë kompletimin e albumit muzikor me 9 melodi instrumentale, duke i përdorur të gjitha llojet e çiftelive, në të gjitha akordimet e mundshme ku tingëllojnë bukur ato. Nga ky album shkëputëm për video-klip melodinë instrumentale “Koha për çifteli” të kompozuar dhe orkestruar nga Korab Shaqiri, atëherë student në “Akademinë e Arteve të Bukura”, dega kompozicion në Tiranë. Iliri bëri skenarin për xhirim dhe do vinte vet në sheshet e xhirimit që i kishte përcaktuar. Do të fillonim në fshatin tim të lindjes në Marec. Aty erdhën disa nga kushërinjtë e mi për të shikuar xhirimet. Qeni që u shkonte pas u ndal nja 20 metra prej nesh, u ul dhe po na shikonte. Xhirimi filloi dhe e terë vëmendja e ekipit ishte përqendruar te interpretimi im, te loja ime me çifteli. Iliri vuri re se edhe qeni që po na shikonte nga larg po i gëzohej kësaj melodie të bukur, duke lëkundur bishtin saktësisht me ritmin që përcillte melodia. I tha kameramanit: ktheje kamerën, xhiroje qenin; shih çka bënë çiftelia, instrument që kënaqë gjithçka të gjallë mbi tokë. Por, derisa kameramani u pozicionua drejt tij, qeni u largua. U përpoqëm të gjithë, duke e joshur atë (qenin) me copa buke e pite (që na kishin sjell kushërinjtë e mi për drekë), por ishte e kotë. Qeni nuk donte bukë, nuk donte pite, as vëmendjen tonë nuk e donte, e donte vetëm tingëllimën e bukur të çiftelisë, të cilën po e shijonte nga një largësi e madhe nga ku s’mund ta fokusonte kamera jonë. Pas xhirimeve, kushërinjtë e mi na shtruan drekë vendi, ku na pikshin bërrylat nga mjalti që rridhte si ar i lëngshëm.
Gjatë jetës njeriu ka ngitje, por ka edhe rënie. Ka rënie të ndryshme, por rënia e shëndetit është ma e frikshmja. Kjo më pat ndodhur edhe mua për një kohë, gjatë së cilës e takova Ilirin, sa për një kafe. Ai më vërejti se nuk jam mirë dhe më pyeti për shqetësimet. Me vete kisha edhe një grusht ilaçe. I mori ato në duar dhe filloi të më shpjegonte për to, për indikacionet dhe kundërindikacionet e tyre. Nuk kisha harruar se studimet e para Iliri i ka pasur në degën farmacisë. Që nga ajo ditë unë i kam lëne ilaçet mënjanë dhe kam vepruar sipas udhëzimeve të tij, sepse fjalët dhe këshillat e tij u bënë ILAÇ për mua dhe me shëruan!
Pra, funksionon maksima e popullit tonë të urtë: MIKU I MIRË TË SHËRON EDHE ME FJALË.
12 tetor, 2020
Prishtinë

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Burimi/facebook/Ilir Shaqiri