Islam Lauka – Lavdi të përjetshme të rënëve të Reçakut

0
132

Sot u mbushën 22 vjet nga masakra e Reçakut, e cila i hapi sytë botës për natyrën gjenocidale të regjimit të Millosheviçit. Gjaku i 45 të rënëve të Reçakut, pa dyshim, qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
Për fat të keq, sot e kësaj dite, mungon drejtësia për viktimat e kësaj masakre. Autorët e saj qëndrojnë në krye të shtetit serb dhe e mohojnë ekzistencën e saj, duke e quajtur një inskenim të shqiptarëve dhe amerikanëve, ndërkohë që dihet botërisht se ajo u krye nga njësia speciale policore serbe, e drejtuar nga majori Goran Radosavjeviç. Vështirë të ketë bisedime konstruktive dhe pajtim midis serbëve e shqiptarëve, pa dënuar krimet serbe të luftës dhe pa kërkuar falje për këto krime, nga ana e Beogradit.
Sot pati shumë vizita të personaliteteve të larta shtetërore e partiake të Kosovës pranë Kompleksit Memorial të Reçakut. Kjo është gjë e mirë, por është e pafalshme për ta që të kujtohen vetëm në përvjetorë, ose në prag fushatash zgjedhore, duke lënë të papërfunduar këtë kompleks, 22 vjet pas masakrës së përgjakshme.
Urojmë që, në 23 vjetorin e saj, më së fundi, të përfundojë ndërtimi i këtij kompleksi të shenjtë.
Lavdi të përjetshme të rënëve të Reçakut dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar!

Burimi/Facebook