Islam Lauka – Urime Kosovës, suksese Kurtit dhe Osmanit!

0
72

Dje populli i Kosovës foli shumë qartë: Albin Kurti dhe Vjosa Osmani duhet të jenë udhëheqësit e tij të rinj, ndërsa klasa e vjetër pushtetore duhet të kalojë në opozitë. Në këtë kuptim, vota popullore duhet të lexohet si ndëshkim për kastën e vjetër dhe dështimin e saj në ekonomi, drejtësi, arsim e shëndetësi; për luftën e saj politike të pistë ndaj Albin Kurtit, duke e etiketuar si taleban, antiamerikan, komunist, ultranacionalist, diktator, Putin apo Erdogan të Kosovës; për servilizmin e tyre neveritës ndaj ndërkombëtarëve në përpjekje për të siguruar mbijetesën e vet politike, në dëm të interesave jetike të vendit.
Duke qenë ndëshkim për kastat e vjetra pushtetore, vota e djeshme ishte, njëkohësisht, vlerësim dhe shpërblim për mbajtjen e fjalës së dhënë para zgjedhësve nga Kurti dhe Osmani (reciprociteti me Serbinë, lufta kundër korrupsionit), por edhe për dinjitetin dhe qëndresën e dëshmuar prej tyre ndaj presionit dhe arrogancës së ambasadorit Grenell dhe presidentit Tramp.
Në këtë kontekst, mendoj që edhe komuniteti ndërkombëtar, përfshirë edhe aleatët tanë strategjikë, duhet të përpiqen të kuptojnë drejt mesazhin e votës së djeshme popullore. Dialogu me Serbinë nuk mund të ketë sukses duke e personalizuar atë nëpërmjet mbështetjes së protagonizmit të këtij, apo atij udhëheqësi vendor, duke i bërë presion të njëanshëm palës kosovare për lëshime të reja ndaj Serbisë, duke çuar kështu në tëhuajësimin e popullit të Kosovës ndaj këtij procesi.
Dje populli i Kosovës foli shumë qartë. Ai iu dha mundësinë e artë forcave të reja politike dhe udhëheqësve të tyre të sjellin ndryshimin e shumëpritur. Është radha e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit të flasin dhe të veprojnë me përgjegjësinë dhe largpamësinë e shtetarëve të vërtetë për të justifikuar besimin dhe shpresat e rilindura të një populli të tërë.
Urime Kosovës!
Suksese Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit!

Burimi/Facebook