Jakov Milaj pionier i Antropologjisë Shqiptare – Nga Ilirjan Gjika

0
104

Ajo që e bëri të famshëm Jakov Milajn si intelektual, është padyshim libri i tij monument: “Raca Shqiptare”, vepra e parë antropologjike në Shqipëri. Kur u botua ky libër, në ato ditë janari të vitit 1944 autori ishte ende i ri, vetëm 31 vjeç, megjithëse njihej si shok i Migjenit, Petro Markos, Branko Merxhanit, Andrea Varfit, Mitrush Kutelit dhe Vedat Kokonës. E thënë ndryshe ai ishte pjesë e elitës intelektuale në Shqipërinë e viteve 30-40-të. Me një profil të spikatur krijues ai do të ishte protagonist i një sërë ngjarjeve të kohës, derisa regjimi komunist e detyroi të heshte për një periudhë të gjatë kohe, duke e persekutuar dhe spostuar si figurë të kulturës dhe shkencës shqiptare.

2
Jakov Milaj lindi në 30 Mars 1912 në lagjen Shkozë të qytetit të Fierit, në familjen e Naun Milajt, një tregtari të vogël, që jetesën e tij dhe të familjes e siguronte me punë të ndershme. Fëmijëria dhe rinia e hershme e Jakovit do të kalonin me shpejtësi në kohë të vështira dhe plot tallaze si: L. I. Botërore, Kongresi i Lushnjes, Lufta e Vlorës, lëvizja demokratike e viteve 1920-1924, etj. Tek i riu fierak ndikuan me personalitetin e tyre figura të tilla si patrioti demokrat, Naum Prifti, kushëri i tij dhe mësuesi i gjimnazit, apo intelektuali i shquar Mirash Ivanaj, ministër i mëvonshëm i arsimit.
Qysh në bangat e shkollës së mesme, Jakovi i ri u angazhua fuqishëm në lëvizjen kulturore, ku për një kohë do të jetë dhe kryetar i shoqatës kulturore“Besa Shqiptare”. Përvojën e grumbulluar në Shkodër, si një veprimtar i shquar shoqëror, ai e vuri në zbatim vite më vonë në qytetin e tij të Fierit. Së bashku me studentë të tjerë si Jorgji Xoxa dhe Namik Resuli, Jakov Milaj do të ishte nismëtari i organizimit të shoqërisë sportive Apolonia, ku do të zgjidhej për disa vite edhe kryetar i saj. Aty punoi për organizimin e aktiviteteve sportive së bashku me Mustafa Kacaçin të cilin e kishte patur shok qysh në gjimnazin e Shkodrës. Pas përfundimit të shkollës së mesme, Milaj, shërbeu disa kohë si mësues dhe si sekretar i Komunës Kolonjë. Në këtë kohë ai nisi të shkruajë dhe të merret me publicistikë në një sërë gazetash dhe revistash të shtypit shqiptar si: Arbëria, Përpjekja Shqiptare, Gazeta e Tiranës, Besa, Vatra, etj.
Në vitin 1935, Jakov Milaj merr pjesë në Kryengritjen e Fierit ku pas dështimit të saj u arrestua dhe u dënua nga gjyqi special me burgim të përjetshëm. Duke përfituar nga amnistia e disa muajve më vonë, ai do të lirohet dhe do të niset më pas për në Itali, ku vijoi studimet në Universitetin e Torinos për veterinari. Në Torino, Jakov Milaj, do të ishte njëri prej atyre që ndau çastet e fundit me Migjenin, i cili kishte shkuar për tu kuruar në senatoriumin e Tore Peliçes. Në takimin e fundit, Millosh Gjergj Nikolla, i besoi atij dorëshkrimin e poemës ‘’Vargjet e Lira’’, të cilën Milaj e ruajti dhe e solli në Shqipëri, duke ja dorëzuar së motrës Ollgës.
Me kthimin në Shqipëri nisi punën si veteriner, fillimisht në fermën e Xhafzotajt dhe më pas në nënprefekturën e Fierit. Gjatë okupacionit Italian, Jakov Milaj, kreu për një kohë të shkurtër detyrën e ministrit të bujqësisë dhe pyjeve në qeverinë e kryesuar nga Maliq Bushati, gjatë vitit 1943.
‘’Si ministër kërkova që zonat pyjore të shkëputeshin nga administrimi Italian dhe që policia pyjore Italiane të zëvendësohej me policinë shqiptare. Kërkesa ime nuk u përfill nga Bushati dhe Pariani, ndaj dhashë dorëheqjen. Ishte një turp ajo Qeveri’’ shkruan vite më vonë Jakov Milaj në kujtimet e tij.
Gjatë periudhës së pushtimit gjerman Milaj mbeti i pa angazhuar dhe në janar të vitit 1944 botoi librin ‘’Raca Shqiptare’’. ‘’Megjithëse Tirana ishte e çoroditur në atë periudhë çuditërisht qarqet intelektuale e pritën mirë librin, vijon përsëri ai në kujtimet’’.

Ndërkohë që në vitin 1945 nën akuzën si kolaboracionist, Milaj u dënua nga gjykatat me 15 vjet burg. Pasi bëri 6 vjet të tillë, në kampe pune si në Kamëz dhe Xhafzotaj, u lirua duke përfituar nga amnistitë por ju nënshtrua internimit, fillimisht në Llakatund të Vlorës dhe më pas në fshatin Shtyllas të Fierit. Më në fund në vitin 1956 lejohet të vendoset në Fier, së bashku me familjen dhe po këtë vit nisi të punojë në Ndërmarjen Bujqësore ‘’Çlirimi’’, në të cilën punoi derisa doli në pension.

‘’E kam njohur doktorin për here të parë në fermën Çlirim si një njeri të përkushtuar, intelektual, i cili nuk e kishte për turp që në mes të bagëtive të jepte kontributin e tij’’, theksonte në kumtesën e tij të mbajtur në sesionin shkencor ‘’Etnogjeneza e shqiptarëve në optikën e veprës së Jakov Milajt’’, Prof. Bedri Dedja në vitin 1995.
Krahas punës së përditshme si mjek veterinar derisa doli në pension, Jakov Milaj u mor edhe me literaturën profesionale ku botoi tetë libra mbi blegtorinë, të cilat ishin një ndihmë e çmuar për plotësimin e njohurive mbi këtë fushë. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Fier, ku me kënaqësi të veçantë priti edhe shndërrimet demokratike të viteve 1990. Vdiq në 2 Janar të vitit 1997 në moshën 85 vjeçare.

Ndërkohë që në vitin 1945 nën akuzën si kolaboracionist, Milaj u dënua nga gjykatat me 15 vjet burg. Pasi bëri 6 vjet të tillë, në kampe pune si në Kamëz dhe Xhafzotaj, u lirua duke përfituar nga amnistitë por ju nënshtrua internimit, fillimisht në Llakatund të Vlorës dhe më pas në fshatin Shtyllas të Fierit. Më në fund në vitin 1956 lejohet të vendoset në Fier, së bashku me familjen dhe po këtë vit nisi të punojë në Ndërmarjen Bujqësore ‘’Çlirimi’’, në të cilën punoi derisa doli në pension.
‘’E kam njohur doktorin për here të parë në fermën Çlirim si një njeri të përkushtuar, intelektual, i cili nuk e kishte për turp që në mes të bagëtive të jepte kontributin e tij’’, theksonte në kumtesën e tij të mbajtur në sesionin shkencor ‘’Etnogjeneza e shqiptarëve në optikën e veprës së Jakov Milajt’’, Prof. Bedri Dedja në vitin 1995.
Krahas punës së përditshme si mjek veterinar derisa doli në pension, Jakov Milaj u mor edhe me literaturën profesionale ku botoi tetë libra mbi blegtorinë, të cilat ishin një ndihmë e çmuar për plotësimin e njohurive mbi këtë fushë. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Fier, ku me kënaqësi të veçantë priti edhe shndërrimet demokratike të viteve 1990. Vdiq në 2 Janar të vitit 1997 në moshën 85 vjeçare.

Njohës i thellë i shumë disiplinave shkencore, Jakov Milaj konsiderohej në gjallje si një ‘’enciklopedi lëvizëse’’. Janë me dhjetra studimet e tij të botuara në formë librash, broshurash, artikujsh në revista dhe gazeta. Ai ju prezantua publikut dhe rretheve intelektuale si historian, publicist, eseist, linguist, etnolog, zooteknik, veterinier dhe antropolog. Aktivitetin e tij intelektual, Milaj, e nisi në fushën e publicistikës, ku nisi të shkruajë qysh në bangat e shkollës. Artikujt e pare ishin nga historia dhe përkthime të marra nga shtypi i huaj. Mund të përmendim artikuj mbi Markonin, Letërsinë Bullgare, Qemal Ataturkun, Jetën e Bet’hovenit, të cilat i përkasin fushës së shqipërimit, kurse nga publicistika historike mund të përmendim artikuj të botuar në gazetat e kohës si ‘’Hymni i Flamurit’’, ‘’Dom Ndre Mjeda’’, ‘’Zonja Marigo dhe flamuri kombëtar’’, ‘’Dita e Flamurit’’, ‘’Vlora në 28 Nëntor’’, ‘’Tiparet e Ilirëve’’, ‘’Kostandin Kristoforidhi’’, etj.

Gjatë gjysmës së pare të viteve 1930, J.Milaj, punoi si redaktor në gazetat: ‘’Vatra’’, që drejtohej nga Timo Dilo dhe ‘’Përpjekja Shqiptare’’ e Branko Merxhanit. Pikërisht këtu, ai njohu siç e përshkruan në kujtimet e veta në një ditë vere të vitit 1936 ,në një nga restorantet e Tiranës, atë, që do të bëhej një nga miqtë e tij më të ngushtë, Migjenin.
Ndërkohë krahas publicistikës, Jakov Milaj, kishte pasion të veçantë për historinë. Studimet historike ai i nisi fillimisht duke grumbulluar material terreni, për të vazhduar me hulumtime më të gjëra dhe punime sintezë. Punime të tilla si: ‘’Fieri ynë i lashtë’’, ‘’Ngritja e flamurit në Fier’’, ‘’Kisha e vjetër e Fierit’’, ‘’Vrionasit’’, ‘’Fieri në luftën e Vlorës’’, ‘’Naun Prifti’’, etj, përbëjnë sot një nga burimet kryesore për historinë e Fierit dhe rajonit të tij.

Gjithashtu kujtimet e Jakov Milajt për kryengritjen e Fierit të vitit 1935, ku ai ishte një pjesëmarrës aktiv, janë një nga punimet më të mirë në këtë fushë. Kështu Jakov Milaj është i pari që formulon tezën se stacioni i parë i degës jugore të Egnatias është Fieri, emri i të cilit në antikitet ishte Ad Novas. Po kaq intriguese është edhe teza tjetër që ai e hedh tek studimi i kishës së Shën Gjergjit, ku midis të tjerave thotë se: ‘’Në shekullin e XVI, për të përkujtuar emrin e Gjergj Kastriotit, një pjesë e madhe e kishave të Shqipërisë i ndërruan emrat e tyre nga emrat e mëparshëm në Shën Gjergj, veçse për të mbajtur gjallë ëndrrën e lirisë’’.
Krahas aktivitetit intelektual, Milaj, punoi me përkushtim edhe në profesionin e tij, duke u shdërruar edhe në një nga personalitetet e kësaj fushe në vendin tonë.

Mbasi mbaroi fakultetin në 17 korrik të vitit 1939 ai nisi punën si shef laboratori në Durrës e më pas në Korçë. Në nëntor të vitit 1939 e gjejmë në Fier duke themeluar shërbimin veterinari të kësaj nënprefekture. Si inspektor veterinar ai punoi me përkushtim duke i vënë njohuritë e tij të thella në shërbim të kësaj fushe. Pas Çlirimit vijoi të punojë përsëri në profesion, fillimisht në Kamëz, Xhafzotaj, Llakatund të Vlorës dhe më pas në Ndërrmarjen Bujqësore Çlirimi në Fier ku qëndroi si kryeveteriner derisa doli në pension. Përveç punës në terren, këshillave dhe konsultave të panumërta, Jakov Milaj, dha një ndihmesë të jashtëzakonshme në një numër botimesh të shumta të karakterit praktik dhe shkencor.

Në vitin 1960 u botua libri i tij: ‘’Si të rritim viça të shëndoshë’’, i cili u pasua nga të tjerë libra që u publikuan nga shtëpia e propagandas bujqësore. Të tilla ishin ’’ ABC-ja e mjelëses’’ në vitin 1973, ‘’Sëmundjet e derrave’’ më 1973 dhe ‘’Shënime mbi pjellorinë e lopëve’’, botuar në vitin 1982. Jakov Milaj ishte edhe autor i një sërë librash shkollore për studentët e degës së veterinarisë në Institutin e Lartë Bujqësor. Mund të përmendim: ‘’Rritja e Buallicës’’, ‘’Sëmundja e viçave në rritje’’, ‘’Mbrojtja e shëndetit të kafshëve bujqësore’’, etj. Gjithashtu si autor dhe bashkëautor ai botoi një sërë artikujsh shkencor në vitet 1965-1981, si në ‘’Buletinin e Shkencave Bujqësore’’ dhe gazetën ‘’Drapër dhe Çekan’’ që botohej në Fier.

Por vepra që e bëri të njohur Jakov Milajn është: ‘’Raca Shqiptare’’, e cila është e para monografi antropologjike në të cilën provohet prejardhja e popullit shqiptar në mënyrë shkencore. ‘’Çdo shkencë e mirëfilltë ka prekursorët e saj. Është e vërtetë se antropologjia si pjesë e shkencave albanologjike u fut në udhë të mbarë në këto dekadat e fundit, por ajo ka si pionierin e saj, dr. Jakov Milajn, thekson për të Pr. Dr. Aleksandër Dhima (Etnogjeneza e shqiptarëve në optikën e veprës ‘’Raca Shqiptare’’ të dr. Jakov Milaj, Sesion Shkencor, Fier, 24. 04. 1995).

Për mesazhet që sjell ‘’Rraca Shqiptare’’, tonet patriotike dhe frymën e pastër kombëtare vetë autori shkruan se, ‘’nuk ishte antropologjia qëllimi kryesor i librit. Në atë kohë në Shqipëri flitej për çdo gjë, veç për ndjenjën kombëtare flitej pak’’. Ndërsa për këtë libër Prof. Anton Çeta, i deklaroi autorit 50 vjetë pas botimit të tij se, ‘’Në Kosovë, Rracën Shqiptare e kemi mbajtur si Ungjill’’.

“Raca shqiptare që ka ruajtur gjatë mijërave vjetve kaq pastër gjakun, bukurinë e saj plastike dhe virtutet e rralla shpirtërore, duhet të zbukurohet dhe të përmirësohet shumë më tepër tani që dallgët e rrepta të kohëve të errëta kanë kaluar dhe priten për të ditë më të bardha”, e përfundon studimin e tij Milaj (Jakov Milaj, Raca shqiptare, Ismail Mal Osmani, Tiranë, 1944, f. 151).
Pas botimit të parë në janar 1944, libri “Raca shqiptare” është ribotuar tre herë të tjera. Fillimisht në Prishtinë nga “Valton” në vitin 1994 dhe më pas në Tiranë në vitin 1995 nga “Eurorilindja”, si dhe në vitin 2005 nga shtëpia botuese “Uegen”.

Burimi/fierisot.com/