Jo ‘Non-Paperi’ slloven, ky fakt e rrezikon seriozisht ndarjen e Kosovës

0
44

NGA HAVA ORANA XHUKOLLI

Intervistë me profesorin dhe drejtorin e Institutit për studime evropiane, Prof. Dr. Asoc. Enver BytyҫiPërfituesit milionerë të qeverisë Hoti janë një skandal i madh, të merret drejtësia

Profesori universitar dhe drejtori i Institutit për studime evropiane, Enver Bytyҫi, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti. Këtë qeveri ai e ka quajtur si qeveri e ndryshimit. Sipas profesorit Bytyҫi, Kurti ka disa përparësi, siҫ është ajo në luftën kundër korrupsionit, qeverisja e parlamentit dhe presidencës nga politikanë të rinjë, të pakapur nga krimi dhe korrupsioni etj.

Ai thotë se ‘Qeverisë Kurti i duhet të përballet me zgjuarsi me problemet e mëdha politike që i kanë lënë paraardhësit e tij, sidomos në veri të Kosovës’.

Profesor Bytyҫi ka folur edhe ‘Non-paperin’ slloven, i cili kishtë vërtetuar se është tentuar ndarja e shtetit të Kosovës. Ai vlerëson se do të ketë çdoherë tentativa për ta ndarë Kosovën, edhe kur ajo të jetë në BE e OKB, por që njohja ndërkombëtare e kufizon maksimalisht këtë mundësi, derisa shton se për këtë duhet të jenë të përgatitura institucionet e Kosovës.

Sipas tij, ndarja e vërtetë e Kosovës rrezikohet nga mosprezenca e liderëve të Kosovës në Veri të Mitrovicës.

“Sa kohë që në politikën, qeverinë dhe institucionet e Kosovës nuk do të ketë Hashim Thaçë e Batona, nuk mund ta kërcënojnë atë “Non paper-rët””, ka thënë ai.

Poashtu, profesor Bytyҫi ka folur ndër të tjera edhe për zgjedhjet në Shqipëri, duke thënë se ‘një popull që voton politikanë si Edi Rama është një popull me një kulturë demokratike të ulët, i papërgjegjshëm për jetën e tij’.

“Bota sot”: Cilat janë pritshmëritë tuaja nga Qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti?

Enver Bytyҫi: Qeveria e re e zotit Kurti e krijuar pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti, është një qeveri e ndryshimit. Është shpejt të flitet për sukseset ose dështimet e saj. Sigurisht që ajo do të jetë një qeveri e suksesit, por do të ketë edhe dështimet. E rëndësishme është që dështimet të mos i përjetojë si drama, por të nxitet për refleksion. Mendoj se qeveria Kurti ka disa përparësi: Së pari ajo është e pamësuar me korrupsion dhe erdhi në pushtet me luftën kundër korrupsionit. Si e tillë kjo qeveri e ka shansin që të shënojë përparim të madh në këtë drejtim. Dhe dihet se lufta kundër korrupsionit është thembra e Akilit në shtetet autoritare të Ballkanit Perëndimor dhe pengesa kryesore e integrimit të tyre në strukturat euro-atlantike. Në këtë kuptim një qeveri e pastër prej korrupsionit rrit imazhin pozitiv të Kosovës dhe besimin e saj te partnerët e saj perëndimorë dhe shton shanset për integrime. Së dyti, qeveria e qeverisja e re (kam parasysh institucionin e parlamentit dhe presidentit) janë politikanë të rinj të pakapur jo vetëm nga korrupsioni e krimi i organizuar. Janë të pakapur nga Serbia e Beogradi. Kjo është me rëndësi vitale për rolin dhe përgjegjësitë shtetërore për fatin e Kosovës. Kjo krijon padyshim një pritshmëri të lartë në procesin dialogut midis të dy vendeve. Së treti, mendoj se të gjithë drejtuesit e rinj në krye të institucioneve janë shumë më të aftë e më të përgatitur sesa ata që ishin në këto 10-12 vitet e fundit. Edhe nëse kishte ndërmjet tyre ndonjë “akademik”, ata nuk patën ndonjë shkëlqim në punën e tyre. Qenë njerëz të kompromisit korruptiv, të kapur në interesa personale dhe pa nerva dhe sensibilitet për fatin e shtetit. Tani ky Albini, i cili ishte teorikisht kundër shtetësisë së Kosovës në emër të bashkimit kombëtar, ka shansin t’u dëshmojë atyre, ish-komandantëve dhe ndonjë “akademiku” se shteti është i shenjtë, se shteti është vetë ekzistenca e popullit shqiptar dhe pakicave tjera në Kosovë. Së katërti: Qeverisë Kurti i duhet të përballet me zgjuarsi me problemet e mëdha politike që i kanë lënë paraardhësit e tij, sidomos në veri të Kosovës. Është e patolerueshme që në veri veprojnë strukturat e shtetit serb. Është e patolerueshme që serbët atje nuk i njohin shtetësinë dhe institucionet e Kosovës. Zoti Kurti duhet të investojë në veri të vendit, madje duke krijuar precedentin e diskriminimit pozitiv për atë pjesë të territorit. Të bëjë një projekt dhe të dëshmojë se institucionet e shtetit atje janë prezent jo vetëm me shëtitje në varkën e Ujmanit, por konkretisht në përmirësimin e kushteve dhe jetës së të gjithë qytetarëve.

ImageProf. Dr. Enver BytyҫiFOTO GALERI
“Bota sot”: A duhej Qeveria Kurti të marrë tri pozitat udhëheqëse të shtetit?

Enver Bytyҫi: Si rregull është normale që institucionet e vendit të krijojnë një balancë, duke përfaqësuar konsensusin e gjerë në vend, si dhe kategori të ndryshme politike. Por në rastin e zgjedhjeve të 14 shkurtit të kaluar, qytetarët e Kosovës nuk lejuan që pozicionet kryesore në institucione t’i përcaktonin pazaret politike. Për mendimin tim vendimi për të patur tri institucionet ishte i sovranit. Partia që fiton zgjedhjet ka legjitimitet të ketë dy institucionet kryesore, kryeministrin dhe kreun e parlamentit. Ndërsa posti i presidentit u përcaktua nga një votë plebishitare për Vjosa Osmanin. Edhe sikur të mos ishte shpallur në fushatë zgjedhore si kandidate, Albin Kurti do të ishte i detyruar ta mbështeste zonjën Osmani për atë post. Ndërkaq, ajo mori mbështetjen e një pjese të opozitës (LDK-së), me përjashtim votën e tre deputetëve të saj. U mbështet edhe nga dy ose tre deputetë tjerë të opozitës si dhe nga deputetët e pakicave jo serbe. Beogradi ngriti kurth për zgjedhjen e presidentes Osmani. I mbështetur nga disa krerë të politikës opozitare në Prishtinë, Beogradi punoi që ta bllokonte votimin dhe Kurti të detyrohej të thërriste në ndihmë deputetët e Listës Srpska. Disa opozitarë prisnin me kënaqësi që zoti Kurti dhe zonja Osmani të binin në këtë kurth. Por në fund ranë atë vet në rrjetën e këtyre të fundit. Pra, e shoh krejt normale që me një rezultat kaq të thellë politik e individual të votave të 14 shkurtit që të tri institucionet t’i ketë një koalicion, jo një parti. Dhe kam bindjen se midis Kurtit dhe Osmanit nuk ka e nuk do të ketë konformizëm, thjeshtë përkushtim për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

“Bota sot”: Qeveria Kurti është deklaruar se nuk e ka primar dialogun, cili është vlerësimi juaj?

Enver Bytyҫi: Nuk ka rëndësi nëse qeveria Kurti e ka ose jo primar dialogun. Rëndësi ka që kjo qeveri të ndryshojë qasjen, të përgatitet mirë për dialogun me Serbinë dhe të mos bëhet urë e palës serbe. Ne e dimë se kjo ka ndodhur në të kaluarën e afërt. Por nuk duhet të ndodhë në të ardhmen. Nuk ka as arsye që të ndodhë kjo. Pse do të duhej që viktima t’i gjunjëzohet agresorëve serbë, të cilët kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë?! Megjithatë as Kurti dhe askush tjetër nuk mund t’i ikë dialogut me Serbinë. Nëse nuk do të ishte inicuar ky dialog nga paraardhësit e Kurtit, kishte arsye të besonim se qeveria e Kosovës do ta injoronte atë dhe nuk do të pranonte të niste një proces të tillë. Por nuk ndryshohet vendimi në mes të rrugës. Prandaj Kurti dhe Osmani janë “të dënuar” të bisedojnë edhe me Serbinë. Të shohim se çfarë do të sjellë ky dialog. Tani në Bruksel është Vuçiç. Të mërkurën do të shkojë dhe zoti Kurti. Me siguri që presidenti i Serbisë do të dorëzojë një lloj projekti të tijin. Po a do të duhet që kryeministri i Kosovës të shkojë në Bruksel sa për t’u njohur me variantin e Beogradit? Mendoj se jo. Kjo do të thotë se ai do të japë një version të tij se si e me çfarë marrëveshje do të procedohet. Në këtë rast ai është brenda dialogut, edhe pse e ka si prioritet jo primar atë.

“Bota sot”: Me ‘Non-paperin’ slloven u vërtetua se është tentuar ndarja e Kosovës, a ekziston ende një rrezik i tillë?

Enver Bytyҫi: Rreziku i ndarjes do të ekzistojë edhe pasi Serbia ta ketë njohur shtetin e Kosovës dhe Kosova të ketë zënë vend në OKB, pra të jetë njohur ndërkombëtarisht. Por njohja ndërkombëtare e kufizon maksimalisht këtë mundësi. Ndërsa sa kohë zgjidhja nuk është, aq kohë institucionet e Prishtinës duhet të jenë gati për t’u përballur me një rrezik të tillë. Por unë nuk e shoh ndarjen e Kosovës nga “Non paper”. E shoh me mosprezencën e shtetit në veriun e Kosovës. Në Europë, madje edhe në SHBA do të ketë jo pak segmente e qarqe pro-ruse e pro-serbe, të cilat sponsorizohen për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimor në interes të Beogradit e Moskës. Por ata nuk mund të arrijnë asnjë rezultat, nëse nuk gjejnë bashkëpunëtorë në Kosovë. Kësisoj, sa kohë që në politikën, qeverinë dhe institucionet e Kosovës nuk do të ketë Hashim Thaça e Batona, nuk mund ta kërcënojnë atë “Non paper-rët”! Kërcënimi më i madh është mosprezenca e institucioneve të vendit në veri të Mitrovicës. Kjo ka ndodhur qëllimisht deri në krijimin e kësaj qeverie. Kryeministrat e presidenti i mëparshëm nuk patën dëshirë të merreshin me konfliktin e ngrirë në veri të vendit. Bënin shou me shëtitje në Ujman, ose dërguan forcat e ndërhyrjes së shpejtë e policinë të arrestonin Marko Gjuriqin gjithashtu për shou. Por vetëm kaq, sa të kënaqnin emocionet e disa trutharëve, të cilët nuk e dinin se veprime të tilla u kryen në koordinim me Aleksandër Vuçiç. Veriu i Mitrovicës integrohet me një projekt, i cili shoqërohet me një faturë të majme investimesh dhe punësimi, me një plan infrastrukture që e lidh atë pjesë të vendit në mënyrë harmonike me pjesën tjetër të Kosovës, me rritjen e pagave dhe pamundësimin e investimeve serbe të njëanshme në veri. Ka shumë detaje që duhen shqyrtuar dhe hedh në letër, të cilat duhen zbatuar e buxhetuar. Qytetarët e Kosovës nuk do të ndjehen mirë me një diskriminim pozitiv të veriut dhe banorëve të atjeshëm. Por kjo është e paevitueshme për të krijuar kushtet e rikthimit të shqiptarëve të shpërngulur në atë zonë të vendit.

“Bota sot”: Lista e përfituesve nga Rimëkëmbja Ekonomike, a mund të quhet një skandal i Qeverisë Hoti?

Enver Bytyҫi: Përfituesit milionerë të qeverisë Hoti janë një skandal i vërtetë. Kjo dëshmon se ajo qeveri e zgjati jolegjitimitetin e saj deri te ndihma për oligarkët e sponsorët e zgjedhjeve. Dhe kam bindje se gjithçka është bërë nën diktatin e Isa Mustafës. E vetmja arsye pse Abdullah Hoti nuk duhej të ishte kryeministër ka të bëjë me faktin se ai ishte dhe mbetet i gatshëm t’u përulet deri te sholla e këpucës ripave të tillë si Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. E kur një kryeministër ka një karakter të tillë, atëherë ai shndërrohet në vegël dhe jo mjet të shërimit të plagëve të vendit të tij. Si i tillë, zoti Hoti nuk ka pasur asnjë shans të vepronte ndryshe. Në vend që të kujdesej për mjekët, infermierët, arsimtarët, për të gjithë ata që janë përballur e po përballen me pandeminë, Hoti ka shpërblyer të pasurit e Kosovës. Në vend që t’u kërkonte atyre solidaritet për pjesën e dëmtuar nga kjo pandemi, biznesin e vogël e të punësuarit, u jep dhjetra milionë euro atyre që nuk kanë as nevojë, as të drejtë ta marrin këtë ndihmë. Është vërtet skandal i madh. Duhet që me këtë rast, i cili ngjan me qeverisjen e Edi Ramës, të merret drejtësia. Medoemos drejtësia. Madje duhet që me një vendim parlamenti paratë të kthehen në buxhetin e shtetit. Ai që nuk i kthen të përballet me sekuestrimin e pasurisë. Thjeshtë mund të tolerohet afati i kthimit, por kurrësesi moskthimi.

“Bota sot”: Si i shihni zgjedhjet në Shqipëri, kush ka gjasa më tepër të udhëheq Shqipërinë pas 25 prillit?

Enver Bytyҫi: Zgjedhjet në Shqipëri të ditës së djeshme u zhvilluan në një frymë tensioni. Opozita denoncoi shkelje të shumta, sidomos sa i përket fenomenit të shit-blerjes së votës. Për shkak të indiferentizmit të SPAK dhe prokurorisë dhe për arsye të bashkëpunimit të policisë me krimin e organizuar në këtë fenomen deformimi të zgjedhjeve, ndodhën ngjarje të rënda, si ajo e Elbasanit ku u vra një person dhe u plagosën katër të tjerë. Por ndodhi kjo edhe në Kavajë, Dibër etj. Megjithatë opozita dëshmoi një epërsi të vogël ndaj mazhorancës së Edi Ramës. Në Kosovë ndodhi përmbysje e klasës politike të korruptuar, në Shqipëri duket se ka ndodhur një kthesë e vogël në qëndrimin ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Thuhet se opozita ka epërsi dhe me 73 deputetë formon mazhorancën dhe qeverinë. Megjithatë votat për Edi Ramën janë vota të shumta. Për mendimin tim një popull që voton politikanë si Edi Rama, është një popull me një kulturë demokratike të ulët, i papërgjegjshëm për jetën e tij. Një popull që voton fyerjen e bullizmin, po ashtu dështimin dhe lidhjet kriminale të qeverisë me bandat, nuk është i përgjegjshëm për demokracinë dhe lirinë e tij. Tani mbetet të certifikohet rezultati zgjedhor dhe të mësohet sa më shpejt se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme, Lulzim Basha apo Edi Rama, sepse thashë që rezultati paraprak i exit polleve është i ngushtë midis dy palëve. Nëse do të qeverisë edhe një mandat Edi Rama, kam bindje se Shqipëria do të kthehet akoma më mbrapsht në rrugën e saj të integrimeve dhe Shqipëria do të hapë dyert për aktorë të lindjes, para së gjithash Turqisë problematike në autoritarizmin e saj.

“Bota sot”: Pse mendoni se Vuҫiҫ po shqetësohet për humbjen e mundshme të Edi Ramës në zgjedhje?

Enver Bytyҫi: Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që hapur një lider serb të ndërhyjë në zgjedhjet elektorale në Shqipëri, siç ndodhi me mikun e Edi Ramës në Beograd, Aleksandër Vuçiç. Nuk ka raste të tjera, as në kohën e Millosheviçit, kur një politikan serb të nxitë konfliktin veri-jug në vendin tonë si Aleksandër Vuçiç. Dhe kjo mesa duket i pëlqeu Edi Ramës, sepse nuk tha asnjë fjalë për këtë qëndrim të shefit të shtetit të Serbisë. Ndërkaq duhet thënë se edhe po fitoi Edi Rama ai nuk do të mundet më të luajë rol të madh në projektet e Aleksandër Vuçiç kundër kombit shqiptar dhe Kosovës. Megjithatë presidenti serb e do Edi Ramën në vend të Lulzim Bashës si kryeministër të Shqipërisë. Ardhja e Lulzim Bashës krijon një kimi bashkëpunimi të mrekullueshme midis Prishtinës dhe Tiranës. Ky bashkëpunim është dhe mbetet prova e rezistencës dhe përballimit me sukses të provokacioneve serbe kundër Kosovës. Ndërsa me Edi Ramën ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë problematik. Nuk do të ketë harmoni midis liderëve politikë në Kosovë dhe kryeministrit të supozuar Edi Rama në Shqipëri. Sepse ndryshojnë konceptet, filozofitë, parimet dhe qasjet për çështjen shqiptare në Ballkan dhe çështjen e Kosovës në veçanti. Edi Rama ka qasje e filozofi pro-serbe, ndërkohë që në Kosovë mendojnë krejt ndryshe. Aleksandër Vuçiç-it i intereson Rama për shkak se ai shpreson që me ndihmën e tij ta dobësojë pozicionin e liderëve dhe institucioneve të Kosovës përballë Serbisë. Nëse humb Rama presidenti serb e humb këtë mundësi të artë të tij. Kjo është e gjitha për atë çfarë përfaqëson qëndrimi i kreut të shtetit të Serbisë ndaj zgjedhjeve në Shqipëri.

Burimi/Bota Sot