Jozefina Topalli – Ejell Çoba

0
142

Më 25 dhjetor, ditën e Këshndellave, aty nga ora 11, erdhi kapterri i burgut e më tha: “Eja!”. Mbatha këpucët që kisha në fund të dyshekut, u ngrita e dola me të. Unë e pritja transferimin për në Tiranë, por mbasi nuk më tha me marrë teshat, nuk më shkoi nëpër mend një gja e tillë. Kur dola në korridor, një roje më lidhi duart e kapterri më prini. Ecëm nëpër oborr, dolëm në rrugicën “Sumej” dhe u drejtuem te një kamion që ishte ndalë para derës së Sumejve, dajave të mi. Rojet që më shoqnojshin, largojshin familjet që kishin ardhë me sjellë ushqimin për të burgosunit. Kur po rrijsha në rrugicë, m’u afrue motra, që kishte ardhë me një kushrinë me më pru ushqimin. Më pyeti: “Ku po të çojnë?”. I’u përgjigja: “Nuk e di”. Një roje mbas meje m’u kërcënue.
M’u kujtue se Riza Danin e kishin ekzekutue në ballkon, para një grumbulli njerëzish, që britshin: “Në litar, në litar!”. Mendojsha se ashtu po ma banin edhe mue. Tri javë i parruem, me fytyrë si para litarit, tamam pamje për Ecce homo!
Ndër këto mendime pashë prapë motrën, që kishte dalë para familjeve, i ishte afrue paksa kamionit dhe po qante me za. Mendonte se po më çojshin për ekzekutim. Kur i çonte sytë nga unë, mendohesha me çue duart e lidhuna, e me i ba shenjë që të qetësohej, por ishte e kotë, se ajo vazhdonte edhe ma me za
I hodha një sy kalasë njëmijëvjeçare, fushës së përmbytur, mjegullës që kishte mbulue malin e Sheldisë dhe qytetin që po vajtonte nën një qiell plumb e nën një shi të hollë si lotët e heshtuna të shkodranëve, që vajtojshin trimnitë e humbuna. Për gati njëzet e katër vjet, nuk do ta shihja ma qytetin tim!

Burimi/Facebook