Kastriot Myftaraj – Çfare na zbulon lista e pagave e publikuar, për ambasadat e huaja në Shqipëri

0
73

Në listën e pagave të publikuar janë emrat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të punësuar në ambasadat e huaja në Tiranë, si dhe pozicioni i tyre si të punësuar.
Sipas ligjeve ndërkombëtare për përfaqësitë diplomatike, të gjithë personat që punojnë në një përfaqësi diplomatike, dhe që nuk janë të përfshirë në listën zyrtare të njohur nga shteti pritës si anëtarë të akredituar të personelit, duhet të regjistrohen në zyrat shtetërore përkatëse të vendit pritës.
Këtë duhet ta bëjnë jo vetëm kur janë shtetas të vendit pritës, por edhe kur janë shtetas të vendit që ka ambasadën. Në këtë rastin e dytë për ta vlejnë rregullat për të huajt e punësuar në vendin pritës.
Sipas listës më shumë të punësuar shqiptarë ka ambasada e Austrisë, 69 të tillë.
Në të vërtetë më shumë të punësuar vendas ka një tjetër ambasadë nga e cila në listë gjendet vetëm një person i regjistruar si i punësuar dhe për të nuk figuron as emri, as pozicioni i tij si i punësuar.
Kjo është ambasada e SHBA për të cilën nga lista zbulohet se punonjësit vendas të saj nuk janë të regjistruar në zyrat përkatëse të shtetit shqiptar.
Nuk janë hequr emrat e tyre nga lista e publikuar sepse nuk ka ndërprerje të renditjes së emrave, pra të numërtimit rendor.
Pra, është e sigurt që Ambasada Amerikane është e vetmja ambasadë në Shqipëri, punonjësit vendas të së cilës janë informalë, duke qenë kështu ambasada dhe të punësuarit e saj vendas në shkelje të plotë të ligjeve përkatëse të shtetit shqiptar.
Edhe punonjësit shqiptarë të ambasadës amerikane të cilët kanë shtetësi të dyfishtë dhe këta janë pakica sepse duhen 15 vjet punë në një ambasadë amerikane për të marrë shtetësinë amerikane, duhet të ishin të regjistruar në zyrat përkatëse të shtetit shqiptar si të punësuar.
Fakti që të punësuarit shqiptarë të ambasadës amerikane janë informalë është tregues i qartë se ambasada amerikane nuk e ka seriozisht kur flet për zbatimin e ligjeve në Shqipëri.
Gjithsesi nuk mund të mos bëhet pyetja se përse ambasada amerikane nuk e zbaton këtë detyrim të thjeshtë të cilin e përmbushin të gjitha ambasadat e huaja në Shqipëri duke përfshirë ato të Rusisë, Kinës, Izraelit etj?!/Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook