Kastriot Myftaraj – “Cili është kontributi i partisë suaj në fitoren e së majtës, profesor?”

0
92

Pasi në zgjedhjet e vitit 2013 fitoi koalicioni i majtë, ku bënte pjesë edhe Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit, dikush nga drejtuesit e LSI-së, votat e së cilës kishin qenë vendimtare për fitoren, e pyeti Skënder Gjinushin, partia e të cilit nuk kishte fituar asnjë deputet:
“Cili është kontributi i partisë suaj në fitoren e së majtës, profesor?”
Profesor Gjinushi, i cili është njeri me humor u përgjigj si matematikan:
“A e mbani mend nga shkolla e mesme teorinë e algoritmeve? Unë kam meritën e krijimit të algoritmit që na solli fitoren në këto zgjedhje dhe që në gjuhë popullore mund të shprehet kështu: Kontributi im kryesor është që mora vota nga PD dhe ia dhashë LSI-së.”
“Si e paske bërë këtë gjë, profesor?”- E pyetën.
“A e dini se cili është faktori kryesor që në këto zgjedhje shumë vota që në 2009 kishin shkuar për PD-në i shkuan LSI-së? Ky faktor është administratori i CEZ (kështu quhej në atë kohë OSHEE) që vuri Saliu, Sahit Dollapi. Ky Sahiti i cili është tropojan i vuri të gjithë faturistët e energjisë elektrike tropojanë dhe ata të gjithë mbushnin fatura aforfe. Kështu që faturistët e Sahitit u bënë mbledhësit e vërtetë të votave për LSI-në nga ata që nuk donin të votonin për PS-në.”- Tha Gjinushi.
“Mirë profesor, le ta pranojmë për një moment si të vërtetë, po ç’ lidhje ke ti këtu?”
“Si nuk paskam lidhje? Sahiti ka qenë në PSD dhe një herë kur më takoi më tregoi teserën e vjetër të partisë që e ruan ende. Me siguri që teserë të PD-së nuk ka marrë ende. “Mërzitesh ti profesor nëse unë shkoj në PD?” më tha kur PD erdhi në pushtet në 2005. Kishte qenë për disa kohë emigrant në Greqi dhe ishte kthyer. Çfarë t’ i thosha unë?”
Përtej humorit, Gjinushi ka të drejtë për një gjë. Sahit Dollapi është simbol i keqpërdorimit tribal të pushtetit nga PD në vitet 2005-2013. Pasi i çmendi qytetarët kur drejtonte Ndërmarrjen e Ujësjellësit, vazhdoi ta bënte këtë gjë kur mori në dorë faturimin e energjisë elektrike. Dhe në zyrat e qeverisjes së PD-së kishte gjithandej “Sahitë” të tjerë.
Tani njerëzit e PD-së thonë: “Kryesorja është që të ikë Rama se është e keqja më e madhe!”
Me këtë pohojnë vetë që edhe PD është e keqja e këtij vendi. Dhe për më tepër PD në pushtet bëhet po aq e keqe sa PS në pushtet. Kësaj i thonë: Të ikë Mafia, të vijë Ndrangheta!
Dhe PD ka gati shumë “algoritma” të llojit të Sahit Dollapit për t’ i zbatuar nëse vjen në pushtet, duke nisur që nga ato të familjes së Bashës dhe Berishës./Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook