Kastriot Myftaraj – Një këshillë të thjeshtë atyre që do të votojnë për Partinë Demokratike në 25 prill

0
255

Këshilla është e thjeshtë. Ata që do të votojnë për PD-në le t’ i pyesin kandidatët për deputetë në takimet me zgjedhësit nëse e kanë librezën e anëtarit të PD-së dhe nëse po, le t’ ua tregojnë se të çfarë date e kanë. Madje e mira do të ishte që në faqen zyrtare online të PD-së të paraqiten librezat e kandidatëve. Unë me këtë rast them se jam bërë anëtar I PD-së që në dhjetor 1990 por dorëzimin e librezës ma vonuan disa muaj për një arsye që do ta tregoj këtu për herë të parë. Në PD u anëtarësova sepse ishte partia e parë opozitare por kisha një dyshim që e shpreha dhe bëri që emri im të shënohet me rreth të kuq si “ekstremist”, ashtu si te ai filmi “Rroftë Zapata” ku diktatori Diaz shënon me rreth të kuq emrin e prijësit të famshëm kryengritës të mëvonshëm Emiljano Zapata, pas një pyetjeje që ky i bën në një takim të tyre.


Në 30 dhjetor 1990 u mbajt në Korcë mitingu i parë i PD-së në shesh, ku folën drejtuesit e kësaj partie, Azem Hajdari, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Eduard Selami. Para mitingut ata mbajtën një takim në një sallë me anëtarë të PD-së. Unë bëra një pyetje: “Si do të marrim pjesë në zgjedhje kur me Kushtetutën në fuqi ndalohet që çdo parti tjetër veç PPSH të ketë pushtetin në vend? Cila parti në botë merr pjesë në zgjedhje në të cilat e ka të ndaluar të fitojë? A nuk duhet që PD ta kushtëzojë pjesëmarrjen në zgjedhje me shfuqizimin e këtij neni të Kushtetutës?”
Dhe në fakt Kushtetuta e vitit 1976 u shfuqizua vetëm pas zgjedhjeve të para pluraliste të 31 marsit 1991, në 30 prill të atij viti. Një servil, prej drejtuesve vendorë të PD-së më tha që nga paneli drejtues i mbledhjes se si shpjegohej që unë i njihja kaq mirë ligjet e shtetit komunist. Unë iu përgjigja se Kushtetutën e kishim mësuar në shkollë të mesme, në lëndën e Historisë së PPSH dhe ai vetë kishte marrë të njëjtën notë si unë, 10. Njëri prej të ardhurve nga Tirana thirri në mikrofon parullën e ditës: “Do të fitojmë apo jo?” dhe të pranishmit nisën të ulërijnë si robotë: “Po, po, po!”
Në atë kohë ende nuk ishin shpërndarë librezat e anëtarësisë dhe kishte thjesht lista me emra. Kur u bënë librezat, për mua nuk kishte. Dikush nga drejtuesit vendorë të partisë më tha se emri im ishte shënuar me rreth të kuq, si ekstremist. “Si Zapata!” më tha ai.
Dhe do të ishte profesor Petrika Minga, kryetari i PD-së që në mes të vitit 1991 nënshkroi librezën time të anëtarësisë të cilën e ruaj edhe sot dhe fotografinë e së cilës po e paraqes këtu, me emrin dhe nënshkrimin e z. Petrika Minga. Profesor Petrika është gjallë edhe sot dhe mund ta pohoje. Më pas kur profesor Petrikën e mënjanuan nga PD, si të padëshiruar për Berishën, disa servilë të këtij të fundit e akuzuan ndër të tjera se kishte anëtarësuar ekstremistë në parti. Libreza ime mban numrin 6929.
Megjithëse mora librezën nuk pata veprimtari partiake. A kanë librezë anëtarësie kandidatët e PD-së në këto zgjedhje, që nga kryetari Basha? Lulzim Basha në librin e tij nuk thotë se kur e ka marrë librezën e anëtarit të partisë dhe ç’ numër mban ajo. As kandidatët e tjerë, duke nisur që nga të parët e listës në qarqe, si Tomor Alizoti, Flutura Açka, Mark Marku?
Për Berishën ka një tjetër problem, se kur e dorëzoi librezën e anëtarit të PPSH, pra të komunistit. Ngritja në poste të larta partiake e njerëzve pa librezë anëtarësie është një problem i vjetër në PD. Në kohën që Jozefina Topalli u katapultua si çandidate për deputete e PD-së, para zgjedhjeve të vitit 1996, në PD-në e Shkodrës pati kundërshtime pikësëpari se ajo nuk ishte anëtare e partisë. Topalli nuk ka thënë asnjëherë se kur u bë anëtare e PD.
Një tjetër ish-nënkryetar i PD-së, Astrit Patozi, në 1991 ishte nismëtar i krijimit të degës së PSD të Skënder Gjinushit në Kavajë. As ai nuk thotë dot se kur e mori librezën e anëtarësisë së PD-së. E njëjta gjë vlen dhe për Sahit Dollapin, sekretar organizativ i PD-së I cili gjithashtu ka qenë nismëtar i PSD në Tropojë, në 1991.
Në gusht 1997, në një mbledhje të degës së PD-së në Korçë, ishin të deleguar nga Tirana Ridvan Bode dhe Genc Pollo. Ish-deputeti i PD-së, Bahri Bregu, u ngrit dhe duke tundur librezën e tij të anëtarësisë tha:
“Kjo është libreza ime e anëtarësisë në parti me nr. kaq. I lutem z. Bode të më tregojë të vetën.”
Z. Bode nuk kishte asnjë të tillë. E megjithatë dy muaj më vonë Bode u bë sekretar I përgjithshëm i PD-së që sipas statutit ishte nr. 2 në parti.
Në 1999, kur Besnik Mustafaj u bë sekretar i marrëdhënieve me jashtë në PD, ai tha publikisht se ishte ishte pranë PD-së por pa qenë në PD. Edhe ai nuk tregon dot se kur e ka marrë librezën e anëtarësisë. E njëjta gjë vlen edhe për Bamir Topin, ish-nënkryetar i partisë, për Aldo Bumçin ish-kryetar i degës së Tiranës etj.
Në 2005 Berisha e zgjidhi këtë problem duke shtuar një pikë në statutin e partisë, sipas së cilës deputetët bëheshin edhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të partisë. Ironia ishte se anëtarët e Këshillit Kombëtar duhet të ishin detyrimisht edhe anëtarë partie. Kështu që u bë një shkelje tjetër.
Nëse anëtarët dhe mbështetësit e PD-së nuk duan të trajtohen si robotë ata duhet t’ u kërkojnë kandidatëve që të tregojnë librezën e anëtarësisë në parti./Kastriot Myftaraj

Burimi/Fabook