Kastriot Myftaraj – Rudy Giuliani si Myzafer Pipa, ose si regjimet shtypëse përdorin mënyra të ngjashme

0
71


Është e çuditshme se sa ngjashmërinë kanë në mënyrat që përdorin regjimet që shtiren si demokratike por që kanë synime diktatoriale, që i mbajnë të fshehura për momentin.
Në 1946 regjimi i “çlirimtarëve” në Shqipëri, të cilët shtireshin si qeverisje demokratike, por që kishin vendosur një diktaturë ende të maskuar komuniste, duke dashur t’ i frikësojë shqiptarët me shembuj tmerrues, për t’ i bërë të nënshtruar, përzgjodhi ndër të tjerë avokatin e guximshëm Myzafer Pipa për ta goditur.
Regjimi i porsavendosur i Enver Hoxhës për të treguar transparencë i transmetonte të plota në Radio Tirana seancat e gjyqeve ndaj kundërshtarëve politikë, madje vendoseshin edhe megafonë në sheshe që të mund të dëgjonin ata të cilët nuk kishin aparat radio në shtëpi.
Nga kjo përfitoi një avokat i guximshëm Myzafer Pipa për t’ u thënë shqiptarëve nëpërmjet valëve të Radio Tiranës që nga salla e gjyqit dhe botës se elita e kombit shqiptar po gjykohej dhe dënohej nga një trup gjykues i kryesuar nga një ish-teneqexhi (nr. 2 i regjimit Koçi Xoxe, i cili në fakt kishte qenë ndihmësteneqexhi pasi teneqexhi ishte i ati) dhe me prokuror një ish-kafexhi (Bedri Spahiu I cili kishte braktisur shkollën për arsye të veprimtarisë komuniste).
Myzafer Pipa, avokati me diplomë perëndimore juristi u dëbua nga salla e gjyqit dhe pas kësaj u arrestua dhe vdiq i tortuaruar gjatë hetimeve në shtator 1946. Që nga ajo kohë avokatët në Shqipëri dhe jo vetëm atae kuptuan sesi duhet të silleshin. Me Myzafer Pipën regjimi i ri bëri një shembull tmerrues për të gjithë shqiptarët të cilët kishin kundërshtime ndaj regjimit të ri. Kumti ishte i qartë: E patë se çfarë i ndodhi këtij që guxoi, prandaj nënshtrohuni, ulni kokën se do ta pësoni si ai.
Të tillë shembuj të tmerrshëm u bënë te shkrimtarët, gazetarët, tregtarët e më pas te vetë njerëzit e regjimit.
Me të njëjtën logjikë si regjimi komunist në Shqipëri po vepron edhe regjimi i Biden në SHBA dhe këtë e tregon rasti i Rudy Giuliani. Ky avokat dhe ish-prokuror shumë i njohur, inicues i luftës kundër mafies në Itali, tani është vënë nën goditjen e institucioneve që po përdoren si armë të regjimit “Biden”. Me vendim gjykate Giulianit iu hoq e drejta për të ushtruar profesionin e avokatit me arsyetimin se ka thënë gënjeshtra për manipulimin e zgjedhjeve të fundit presidenciale amerikane. Tashmë Giuliani është vënë zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria federale amerikane dhe FBI për veprimet që ka kryer si avokat i Trump posaçërisht në Ukrainë dhe rrezikon seriozisht të dënohet me burgim në moshën 77 vjeç. Në të vërtetë ajo që ka bërë Giuliani është se ka kërkuar të gjejë prova të korrupsionit të djalit të Presidentit Biden në Ukrainë.
Çudi e madhe! Administrata e Biden me anë të Sekretarit Blinken e fut në listën e zezë emrin e djalit të Sali Berishës për shkak të përzierjes në veprimtari korruptive, pa paraqitur prova, ndërsa një avokat amerikan kriminalizohet zyrtarisht thjesht sepse kërkon prova në një vend tjetër për veprimtarinë korruptive të djalit të Presidentit?!
Është e qartë se me Giulianin kërkohet të bëhet një shembull tmerrues për të gjithë të tjerët. Kumti është i qartë: Shikoni sesi e pësoi ky, prandaj rrini urtë ju të tjerët. Regjimet shtypëse përdorin mënyra të ngjashme./Kastriot Myftaraj