Kastriot Myftaraj – Si dhe pse Sokol Balla e ka shantazhuar Edi Ramën në librin e tij të fundit “Dëshmia e puçit”

0
75

Sokol Balla është një prej gazetarëve më të afërt me Edi Ramën. Nga ato që Balla thotë në librin e tij të fundit të botuar këtë vit, për marrëdhëniet e tij me Ramën, arrihet në përfundimin se ka një miqësi të vjetër me të.
Por nga libri i fundit del se Balla qartësisht është i pakënaqur me Ramën për disa arsye: Që Rama nuk e ndihmoi kur Ballën e larguan nga Top Channeli, që Rama i ka dhënë shumë pushtet ish-gruas së tij Belinda Balluku, që Rama nuk e kupton që edhe gruaja e tretë e mikut të tij dëshiron të ketë dhe të shpenzojë para sa ish-gruaja e dytë ministre, që vetë Sokoli dëshiron të ketë dhe të shpenzojë para sa partneri i ri i ish-gruas ministre.
Këto janë arsyet që Balla në librin e tij të fundit “Dëshmia e puçit”, të botuar këtë vit, gjërat më interesante që thotë nuk janë ato për ngjarjet e 21 janarit 2011 që është tema e librit, por ato që kanë të bëjnë me të kaluarën e Edi Ramës.
Sokol Balla e përshkruan kështu hyjrjen dhe ngjitjen e Edi Ramës në politikën shqiptare:
“Rama u kap fort pas amerikanëve dhe shfrytëzoi gjithçka, nga Sorosi e deri tek Bilali për t’ u shfaqur si alternativa e tyre më e pranueshme. Edi Ramën e ndihmoi edhe fati, edhe për faktin se në kohën e rrëmujshme të tranzicionit kur shteti ra, dhe shërbimet e huaja rekrutonin me çmime outlet-i liderët e rinj politikë shqiptarë ai endej rrugëve të Parisit si një hippie, si një ‘lady in waiting’ i pushtetit, kur të vinte koha e të puqeshin rrethanat, që nuk ishin me të në dhjetor 1990.”(Sokol Balla, “Dëshmia puçit”, Botim i UET PRESS, Tiranë 2021, f. 35)
Balla kështu me një nënkuptim të hidhur iu bën jehonë talljeve që iu bënë Edi Ramës si nusja e Bilalit kur shkoi në këtë cilësi në drekën e Obamës. Madje Balla e quan Ramën një “Zonjë që pret”! Balla pra le të nënkuptohet se Rama është homoseksual siç është përfolur.
Gjithashtu Balla nuk mungon që t’ i bëjë jehonë edhe asaj që në emisionin e tij televiziv e quan një teori konspiracioni, mbështetjes së posaçme që Rama ka nga Sorosi.
Në libër Balla tregon me krenari edhe gjëra të tjera të papëlqyeshme për Edi Ramën si kjo më poshtë:
“Intervistën e tij të parë kur u fut në politikë si ministër kulture, ma dha mua për revistën ‘Klan’. Por pa e parë fare shkrimin nuk i dilte e keqja me kopertinën, ku e kisha nxjerrë me një foto duke ngrënë makarona dhe një veshje, që të kujton sot refugjatët sirianë të luftës.” (f. 55)
Sokol Balla nuk thotë se kush ia dha këtë fotografi të Edi Ramës të bërë në Francë. Kjo është fotografia ku Edi Rama paraqitet me një taqiyaj (takije), ose kapuç islamik në kokë, duke ngrënë makarona. Edi Rama dha shpjegime për këtë fotografi 16 vjet më vonë në emisionin humoristik të Ermal Mamaqit në Digitalb, “6 ditë pa Ermalin”. Përzgjedhja u bë qëllimisht që që çështjes t’ i jepej natyrë komike. Shpjegimin e Ramës mund ta shikoni në videon e emisionit në Youtube, nëse shkruani:
6 ditë pa Ermalin Edi Rama Pj. 1
Shpjegimi është në minutën 14.
Edi Rama tha se kjo fotografi është bërë në një qytet francez në Die, ku ai përfaqësonte Shqipërinë në një festival kulturor, së bashku me shqiptarë të tjerë. Ai tha se kapuçin islamik e mbante për shkak se ishte koha kur bëhej lufta në Bosnjë dhe boshnjakët muslimanë nuk gjenin solidaritetin e duhur në Europë. “Unë jam mysliman, kjo ishte ideja e mbajtjes së kapuçit”, tha Rama.
Çudia është se shumica e boshnjakëve muslimanë nuk i paraqiteshin botës me një veshje të tillë arabe si e Ramës, për të kërkuar solidaritet. Si ai visheshin vetëm një boshnjakët ekstremistë islamikë. Gjithsesi, me fjalët e mësipërme Rama pohoi atë që dihej dhe ishte thënë me kohë, se në atë kohë ai endej në Paris dhe në qytetet e tjera franceze i transvestuar si musliman me pamje arabe.
Sokol Balla thotë në libër se në 2009 Edi Rama i ka thënë para zgjedhjeve të atij viti:
“nëse fitoj unë gjysmën e pushtetit e ke ti.” (f. 55)
Në të vërtetë Rama në një masë të madhe e mbajti fjalën kur fitoi zgjedhjet por nuk ishte faji i tij që Sokol Balla u nda me gruan e tij e cila është ministre e rëndësishme e Ramës.
Thotë edhe gjëra të tjera Sokol Balla për Ramën në libër por shkon gjatë t’ i sjell të gjitha. Gjithsesi, fakti është që Sokol Balla, në një gjuhë të koduar na ka thënë në këtë libër se di për Edi Ramën më shumë se ç’ shkruan në libër dhe se mund t’ i shkruajë ato që di për të. Pra e shantazhon Edi Ramën./Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook