Kastriot Myftaraj – Si u përpoq Hasan Polaci (i vetëquajtur “Prishtina”) të pengonte shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në interes të Serbisë, në 1912

0
80

Në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Maqedoninë Veriore qarkullon një ide që ka prirjen të shndërrohet në mit historik të dëmshëm se ndarja e trojeve shqiptare në 1912 ndodhi për shkak se nuk u pranua ideja e Hasan Prishtinës që në tetor 1912 të mbahej një mbledhje në Shkup me përfaqësuesit e lëvizjes kombëtare shqiptare nga të gjithë trojet, për të cilën mbledhje thuhet se do të shpallte pavarësinë e Shqipërisë.
Por thonë, këtë mbledhje e sabotoi Ismail Qemali I cili donte që ajo të mbahej në Vlorë. Nëse do të ishte shpallur pavarësia në Shkup, thonë plëqyesit e kësaj anecdote historike, atëherë Kosova dhe trojet e tjera shqiptare do të kishin mbetur brenda kufijve të shtetit shqiptar. Pra, përzgjedhja e vendit të shpalljes së pavarësisë do të kishte kushtëzuar vendimin e Konferencës së Fuqive të Mëdha në Londër për kufijtë e Shqipërisë.
E vërteta e qartë historike është ndryshe. Kundërshtimi i Ismail Qemalit ishte shpëtimtar për çështjen kombëtare shqiptare. Ismail Qemali e kundërshtoi idenë e Hasan Prishtinës se ai, ashtu si Hasan Prishtina, ishte në dijeni se që gjatë verës së vitit 1912 po shtoheshin zërat për fillimin e luftës ballkanase, domethënë të një mësymjeje të aleancës së shteteve ballkanase kundër Perandorisë Osmane në Ballkan, çka edhe ndodhi. Dhe nëse do të ishte tubuar në Shkup elita politike kombëtare shqiptare do të gjendej në kurth.
Për këtë mjafton të thuhet se Shkupi ishte një nga qytetet e para që u pushtua nga Ushtria Serbe me nisjen e luftës ballkanase. Shkupi u pushtua në 26 tetor, disa ditë pas hyrjes së Serbisë në luftë. Vetë Hasan Prishtina u kap nga serbët në Shkup dhe u dërgua në burgjet speciale serbe në Beograd, prej nga ku u lirua disa muaj më vonë.
Kundërshtimi i Ismail Qemal Vlorës, liderit politik të lëvizjes kombëtare shqiptare e shpëtoi kombin shqiptar nga një katastrofë e pandreqshme që do të kishte qenë kapja nga serbët në Shkup e të gjithë elitës politike kombëtare shqiptare. Nëse do të kishte ndodhur kështu, nuk do të kishte pasur shpallje të pavarësisë së Shqipërisë, dhe as krijim të shtetit shqiptar të cunguar nga Konferenca e Londrës e përfaqësuesve të fuqive të mëdha. Sepse fuqitë e mëdha nuk mund të krijonin një shtet, të cilin nuk e dëshironin banorët e atij territori dhe kjo dëshirë duhej të ishte shprehur me anë të përfaqësuesve të tyre.
Nëse do të ishte vepruar sipas idesë së Hasan Prishtinës, kufiri i Serbisë do të kishte qenë bregdeti shqiptar adriatikas dhe Durrësi do të ishte bërë një qytet serb. Nëse nuk do të ishte krijuar shteti shqiptar në 1912, nuk do të mund të çlirohej as Kosova në 1999, se parakushti për çlirimin e Kosovës ishte që të ekzistonte shteti shqiptar i cili do të shërbente si bazë e luftës së UÇK-së, që nga ana e saj do të shërbente për të iniciuar ndërhyrjen e NATO-s.
Hasan Prishtina nuk mund të mos e kuptonte se ideja e tij për thirrjen në Shkup të një tubimi të elitës politike kombëtare shqiptare, bartte një rrezik shumë të madh. Është shumë e dyshimtë që disa muaj më vonë serbët e liruan Hasan Prishtinën, pasi e kishin kapur në Shkup.
Pavarësia nuk mund të shpallej në asnjë qytet tjetër vec Vlorës për shkak se para se të shpallej Pavarësia duhej marrë mbështetja e fuqisë së madhe që ishte aleatja kryesore e shqiptarëve, Austro-Hungarisë. Të gjithë kombet ballkanase të pushtuar nga osmanët ishin pavarësuar me mbështetjen e një fuqie të madhe, sllavët të Rusisë, grekët edhe të Britanisë së Madhe përvec Rusisë. Pra prijësi i lëvizjes kombëtare shqiptare, që ishte Ismail Qemali, duhet të shkonte paraprakisht në Vienë. Ismail Qemali nuk mund të shkonte në Vienë për të marrë takim me shtetarët austro-hungarezë, kur të donte, por kur ta ftonin që të shkonte atje për të marrë takime në zyrat e larta shtetërore. Por ftesa për Ismail Qemalin dhe kumtimi i mbështetjes austro-hungareze ndaj tij kushtëzohej nga bisedimet e Vienës me Berlinin. Austro-Hungarisë i duhej mbështetja e Gjermanisë për të bërë presion mbi Serbinë, sepse ky në fakt ishte presion ndaj Rusisë, me mbështetjen e së cilës kishte hyrë në luftë kundër Perandorisë Osmane, bashkë me Bullgarinë, Malin e Zi dhe Greqinë.
Gjermania e dha miratimin vetëm kur e pa se shtetet ballkanase proruse po fitonin luften kundër osmanëve. Arsyeja e ngurimit gjerman ishte se Gjermania donte ta bënte Perandorinë Osmane aleate siç ndodhi në Luftën e Parë Botërore.
Prandaj ftesa nga Viena i erdhi Ismail Qemalit vec në fillim të nëntorit, kur tashmë Kur Ismail Qemali u nis për në Vienë tashmë serbët dhe malazezët kishin pushtuar krejt atë që është Kosova e sotme dhe trojet shqiptare në Maqedoninë e sotme. Kur Ismail Qemali zbriti në Durrës në fund të nëntorit, serbët ishin duke kaluar Lumin Mat pra gjendeshin pranë Durrësit. Në këto rrethana Ismail Qemali u detyrua të nisej për në Vlorë.
Në cdo rast pavarësia duhej të shpallej në një qytet bregdetar pasi atje mund të vinte në rastin më të keq ndihma austro-hungareze në rrugë detare.
Urtësia e Ismail Qemalit e shmangu katastrofën që përgatiti Hasan Prishtina në 1912, qartësisht sipas një skenari serb.
Pas lirimit nga burgjet serbe në 1913, Hasan Prishtina shkoi paturpësisht në Vlorë, ku nuk e gjeti të nevojshme të shpjegojë idenë e tij dhe as se si ndodhi që serbët nuk e pushkatuan këtë armik të madh të Serbisë, por e lanë të lirë të luftonte kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës dhe të trojeve të tjerë shqiptare të mbetur jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Me aftësinë e tij demagogjike, Hasan Prishtina bëri që të pritet si hero nga naivët e shumtë, një histori që përsëritet që atëherë e deri më sot, siç është rasti me Ismail (Ballist) Morinajn. Ismail Qemali ishte një njeri me prirje moderuese, të cilit i pëlqente t’ i shtynte konfliktet politike në kohë, duke ia lënë kohës zgjidhjen e tyre. Duke iu përgjigjur frymës së përgjithshme, ai e bëri Hasan Prishtinën ministër. Në nëntor 1913, Hasani iku nga Vlora në Durrës ku iu bashkua Esat Toptanit që kishte krijuar një qeveri proserbe.
Për të gjitha këto bëma antikombëtare dhe të tjera më vonë, që përbëjnë tradhti të lartë, Hasan Prishtina sot ka një shtatore në qendër të Tiranës, si dhe është mbajtës i dekoratës më të lartë shtetërore të Shqipërisë, asaj të Flamurit Kombëtar. Përveç nderimeve të tjera që i janë bërë në Kosovë dhe në Maqedoni ku me ndikimin e partive politike shqiptare atje, ka një shtatore të tij në Shkup.
Kur Serbia pa se i dështoi plani kryesor për ndalimin e krijimit të shtetit shqiptar, duke përdorur Hasan Prishtinën, hodhi në veprim Esat Toptanin. Hasan Prishtina dhe Esat Toptani nuk ishin gjë tjetër veçse anë të së njëjtës medalje të zezë serbe./Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook