Kastriot Myftaraj – Unë e kuptoj dhe nuk mund të hesht pikërisht sepse kam lindur në “Korenë e Veriut” të Europës

0
130

Ambasadorja Amerikane në Shqipëri Yuri Kim në fjalimin që mbajti me rastin e 30 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënive diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA tha ndër të tjera se në kohën e Luftës së Ftohtë Shqipërinë e quanin “Koreja e Veriut” e Europës. Krahasimi është I saktë në thelb por i gabuar në një pikëpamje. Kur linda unë, diktatori shqiptar Enver Hoxha tashmë ishte ftohur me sivëllain e tij koreanoverior Kim Ir Sung (i njohur në Shqipëri si Kim Ir Sen) dhe e quante Korenë e Veriut një vend revizionist, pra që kishte dalë nga vija staliniste. Mund të merret me mend pra se çfarë ishte Shqipëria e asaj kohe.
Unë kam lindur pikërisht në mes të epokës “koreanoveriore” të Shqipërisë, në 1966 dhe jetova mjaftueshëm në epokën “koreanoveriore” të vendit tim për të mësuar disa gjëra. Pikësëpari mbaj mend në vitet shtatëdhjetë një ambasador të Koresë së Veriut në Shqipëri me emrin Kim që përshëndeste në tribunat e parakalimit të 1 majit. Ky m’ u kujtua kur në Shqipëri erdhi një ambasadore amerikane me emrin Kim, e cila e kishte prejardhjen nga Koreja e Jugut.
Nejse, nga Shqipëria koreanoveriore mbaj mend se kur një drejtues i lartë komunist dënohej me një vendim politik në qendër të perandorisë, atëherë goditja shkonte valë-valë. Në gjuetinë e “elefantëve” e pësonin dhe kafshët më të vogla. Kur një “i madh” goditej me vendim politik që pasohej nga një gjyq që ishte një formalitet i pastër, të tjerët e pësonin masivisht, si insekte të dëmshme.
Pikërisht për këtë arsye më shqetëson vendimi i Departamentit të Shtetit ndaj Sali Berishës dhe familjes së tij. Kur Enver Hoxha publikoi atë që e quajti tablo sinoptike kundër nr. 2 të diktaturës Mehmet Shehut dhe familjes së tij, të cilën e quajti “familje gjarpërinjsh” shumica e shqiptarëve, si komunistë dhe të deklasuar u drodhën nga tmerri sepse kjo paralajmëronte që secili mund të ishte nën rrezen e goditjes së diktaturës.
Më shqetëson fakti që një qytetar i Shqipërisë etiketohet, se nuk gjej fjalë tjetër, me një cilësim, “korrupsion madhor” që përbën krim i cili duhet të vërtetohet me vendim gjyqësor. Për mua Sali Berisha bashkë me të tjerë nga periudha e qeverisjes së tij, por dhe me të tjerë nga krahu i PS-së duhet të ishin arrestuar dhe dënuar me kohë për korrupsion. Pas tetë viteve në qeverisje këtë krim e kanë konsumuar edhe Edi Rama. Ilir Meta ka veçorinë që e ka konsumuar krimin në të dy qeverisjet, në aleancë me secilin prej tyre.
Por mënyra sesi Sali Berisha etiketohet ka si qëllim frikësimin e shqiptarëve, jo vendosjen e drejtësisë. Kumti është: Tmerrohuni nga listat e zeza që bëhen në qendër të Perandorisë. Madje ka edhe më keq, ne iu kemi dhënë të drejtën këtyre që janë në pushtet të bëjnë lista të zeza. Pra jetoni me frikën se mos emri juaj hyn në to.
E gjithë kjo nuk është veçse diktatura koreanoveriore ashtu siç paraqitet e përthyer, e përshtatur në realitetin e Shqipërisë së shekullit XXI.
Unë që nga lindja kam si shqisë politike nuhatjen për diktaturën dhe perandorinë e së keqes dhe di ta dalloj edhe diktaturën e fshehur edhe perandorinë.
Presidenti Reagan dikur e quajti Bashkimin Sovjetik dhe bllokun e vendeve vasale komuniste të tij, si Perandoria e së Keqes. Empire of Evil.
Unë nuk mund të hesht kur SHBA bëhet në Shqipëri Perandoria e së Keqes dhe jep licencë për diktaturë të maskuar.
Enver Hoxha la një libër të llojit testament politik me titull “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” që ishte një gënjeshtër e madhe politike dhe historike. Por do të ishte korrekte që të thuhej, kuptohet me tjetër përmbajtje: “Rreziku i burokracisë së Departamentit të Shtetit dhe CIA-s për Shqipërinë”.
Kur Gjermania Naziste etiketoi si kriminel një qytetar të huaj, një nga drejtuesit e Kominternit, Georgi Dimitrovin, atij iu bë një gjyq i rregullt ku u shpall i pafajshëm. Në fakt Kominterni e quajti gjyqin të parregullt deri kur nuk ishte marrë vendimi. Dhe nazistët nuk mbahen sigurisht si standard i drejtësisë ndërkombëtare. Por kur ish-Ministri i Jashtëm nazist Ribentrop doli para gjyqit ndërkombëtar të Nurenbergut si I pandehur, atij nuk iu lejua që të paraqiste si provë marrëveshjet e fshehta “Molotov-Ribentrop” për ndarjen e Europës Lindore.
Në vendimin e Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Berishën unë di të dalloj stilin e perandorive joligjore të llojit të perandorisë sovjetike që vepronte me rezolutat e Byrosë Politike të Kremlinit, apo të fetvave të Ajatollahut të Madh të Republikës Islamike të Iranit, mikut të Enver Hoxhës, si ajo kundër Salman Rushdie. Prandaj nuk mund të hesht. Dhe jo vetëm nuk do të hesht por do të luftoj me sat ë mundem./Kastriot Myftaraj

Burimi/Facebook