Kimete Berisha: Definicioni i dashurisë

0
161

Çka është kjo dashuri
Imzot
Çfarë dashurie është kjo
Nuk di si ta definoj unē një dashuri të përgjakur
si kjo
Asnjë dashuri nuk ka mbetur e pandyrë
Dashuri është
kur e do dikën më shumë se veten
apo kur dikush të bën të ndjehesh gjallë
ta ndjesh trupin tënd, shpirtin tënd, mendjen tënde
(dhe kur nuk e ke afër, prap të kthehet vdekja e trupit derisa të rikthehet dashuria të të ringjall)
Të bën njeri më të mirë dashuria?
Nuk e kam fjalën për tepricat e shpirtit, Imzot
për lëmoshë e për mirësi
Në mirësi ka superioritet
Në lëmoshë s’ka dashuri
Sepse dashuri nuk jepet mëshirë, dhuratë në kuti
është luksi më i madh i shpirtit
Është luks, sepse bën edhe pa të
Jetohet edhe pa të, më mençur dhe më saktë
Unë më nuk di asgjë
nuk di çka është kjo dashuri
Se, e di
dashuria është edhe armë
A s’është dashuria edhe litar, me të cilin e var veten
Allti, me të cilin ia nxjerr trurin nga koka dashurisë tënde
Dhe thikë me të cilën e vret veprën tënde
Dashuria është burimi i parë i trishtimit
sa më përket mua
Nuk mundesh pa të, sepse nuk e ke
Kur mendon se e ke, nuk di çka të bësh me të
Trego
A është dashuria ripërtrirje e jetës tënde (që ti s’pranon që nesër shtëpia jote të mbetet shkret)
apo është kopje e një dashurie të huaj
Sepse ka trashëgimtarë të vdekshëm dhe të pavdekshëm
Trashëgimtar i pavdekshëm është veç vepra jote
Lindja e njeriut ishte ide e Zotit, prandaj të gjithë janë trashëgimtarë të vdekshëm
Pra, ndodh veç vdekja dhe prap vdekja
Nga vdekja lind jeta
nga çdo gjë që vdes,
fungi i shpëton malet nga zhdukja
se, fungi e ha vdekjen për ta krijuar jetën
sa e pabesueshme, sa e tmerrshme, aspak romantike, ftohtë, dhe keq
Unë dua,
kam dashur
që dashuria ta ketë një definicion.
Së paku ta kemi një dashuri që nuk interpretohet
Ta kemi një dashuri absolute
Për shembull, dashuria e djalit për nanën,
Dashuria e babës për fëmijët, të jetë Ligj si dielli që nuk shihet sepse digjet nga vetvetja
Ta ketë një përkufizim të vetëm, që njeriu nuk e ndryshon
Pse njeriu pra e mbyt veprën e vet?
A është dashuri kur shkrimtari e shkruan librin e tij me mallëngjim, me pasion e me dashuri, dhe kur mbrrin në fund, e shqyen, e kall flakë ose e gjuan librin në lum, veç pse e do shumë.
Pse njeriu e vret veprën e vet?
Sepse nuk është e TIJ
Ndoshta, sepse askush nuk është i askujt
Njeriu s’mund të jetë pronë e askujt
Qe, lexoje Gibranin.
‘Fëmijët tuaj nuk janë fëmijët tuaj
Ata vijnë nëpërmjet teje, por jo nga ti
Anipse janë me Ty, nuk janë pronë e jotja
Ti mund t’ua japësh dashurinë, por jo mendimet t’ua
sepse ata i kanë mendimet e veta
Ti mund t’ua strehosh trupin në shtëpi
por jo t’ua strehosh shpirtin
Sepse shpirti i tyre është në të ardhmen, ku ti nuk mund ta vizitosh as në ëndrra
Ti mund të kesh dëshirë të jesh si ata
por jo ata të jenë si ti
sepse jeta shkon përpara e jo prapa’
Lexo.
Dashuria nuk është për Ty
që mendon se e ha, e konsumon dhe e blen me pare, me çmim të lirë
E pastaj, me dasht e ha për darkë dashurinë, me dasht e vret, sepse është ‘e jotja’, e ke blerë me pare, bën çfarë të duash me të
Kush je ti
Ti s’krijon karaktere, nuk krijon fate, nuk është fati dru dhe keramikë, që e gdhend si do ti, nuk është fati libër që e shkruan si do di
Nuk është vepra jote personazh që e tipizon siç do ti
A ekziston vepra jote për të të shërbyer ty
që të t’i përmirësojë gabimet e t’ua
dhe t’i luaj lojërat që nuk i ke luajtur ti
Ta kisha një fëmijë
do t’ia mēsoja egoizmin
dhe kënaqësinë
sepse nuk i kam provuar
sidomos egoizmin
Dhe, kështu, sa herë mendoj që s’jam e lumtur
fajin ia lë njëfarë altruizmit
pendohem që s’isha egoiste, shumë
Dhe sepse
kam menduar se dashurinë e gjen jashtë vetes, në mesin e njerëzve, në zhurmë
e jo në vetveten, qysh e kam gjetur
kur jam dorëzuar,
s’është vonë
Qe, lexoje Gramatikën e Aristotelit
ta shpjegon pronësorin,
të mëson se nuk mund të jetë subjekti pronë e askujt
Këtu buron dëshpërimi dhe sëmundja e çmendurisë
tërbimi
kur kujton se dikush mund të jetë i joti
Dhe Zoti krijoi njeriun
kaq mëkatar, kaq vrasës e kaq gjakatar, kaq hajn e kaq zullumçar
Zoti nuk krijoi zotëra
Nga Zoti nuk del Zoti
Dhe Zoti e ‘vret’ krijesën e vet
Dhe prandaj në fund ka planifikuar
t’ia kall edhe shtëpinë,
t’ia nxjerr eshw lisat me rrënjë,
e t’ia përmbys edhe detërat si ujin në gotë
Pra, gjithkush e vret dikë
me fjalë, me heshtje, me armë
I pari ka ‘vrarë’ Zoti, kur e ka shpikur vdekjen.
Është një rrugëdalje që unë e shoh
e keqja gjithmonë ndodh ngat
Sa më afër, aq më larg
Duhet ta kesh dikë shumë afër që ta urresh fort
Djali e theri nënën e tij pas shpinës, në festë
pa pritur e pa u kujtuar
E lindi nëna vrasësin e saj
Çfarë dashurie është kjo!
i urrej personazhet e t’ua Imzot!
E urrej edhe veten, nganjëherë
Shqyeje librin e jetës, shkruaje një tjetër jetë
pse nuk e shqyen sot,
si shkrimtari i neveritur me personazhet e tij.
Të mirës ia kemi parë fundit.
Por askush nuk e ka parashikuar se e keqja nuk ka fund.
nuk jetohet në tokën ku asnjë definicion i dashurisë nuk ka mbetur pa u relativizuar
Asnjë dashuri nuk është supreme
Asnjë dashuri nuk është e përsosur
Ndoshta, sepse çdo gjë, edhe dashuria është shpikje!
Mund të ringjallet njeriu,
dashuria jo.
Por, është një rrugëdalje
Është largësia
Distanca të shpëton nga sëmundja e mendjes, nga sëmundja e dashurisë
Ashtu siç Zoti që u distancua nga personazhet e tij dhe e ‘fshehu fytyrën’ nga Libri i Tij i Jetës,
distancohu edhe Ti
Rri larg, nëse do të shpëtosh!
Se, tash është vonë të shpëtojë bota dhe përkufizimi i dashurisë!
P.S. Frymëzuar nga sëmundja e Dashurisë, nga Sadegh Hedayat, Khalil Gibran, Platon, Aristoteli dhe nga Rumi:
‘Kur jam i heshtur, në mua fshihet gjëma e madhe’.

Burimi/formacioni.com/