Kimete Berisha – Letra Lucilit.

0
110
  1. Na fol pak për dashurinë, z.Enver Hasani?
    A lind dashuria para seksit apo pas seksit!
    Dhe a ekziston dashuria popullore?
    Nëse ekziston dashuria në masë, pse pra njerëzit s’janë të lumtur!
    Nëse janë të lumtur, pse duken të trishtuar!
    Pse Kushtetuta nuk e ka përfshirë Dashurinë si Nenin e Parë të saj!
    Dhe pse Dashuria nuk është Urdhër!
    Pse profesori gjithmonë i pari e ngacmon studenten, dhe pse nuk i mjafton veç një studente.
    Pse nuk e shpjegon Kushtetuta e Kosovës ‘ryshfetin erotik’ dhe ‘ryshfetin emocional’!
    Pse Kushtetuta e lë përjashta Jetën dhe Lumturinë tonë!
  2. Behgjet Pacolli mendon se sikur të ishte daja femër – do t’i thonin hallë.
    Bën edhe teze.
    Pra, sikur të ishte halla – mashkull, do t’i thonin mixhë.
    Në kuadër të këtij miti, Behgjet Pacolli ka garantuar se sikur Ai ta kishte në dorë Kosovën-do ta kishte në dorë Kosovën, dhe Kosova përnjëmend do të ishte ndryshe-ama veç për të.
    M’u pyet unë, Ti ende ishe duke lodruar qiejve të kaltër me aeroplanin tënd.
    Po bëj hajgare, s’të kisha arrestu’, se të kam shok!
  3. E kam bërë krimin më të madh që mund të bëhet: Puna ime nuk ka qenë sa duhet e mirë.
    Leonardo da Vincit, qe dy herë brenda dy ditëve po ia lëkundi eshtrat.
    Gjithmonë ndjehem si da Vinci.
    Po i rrëfehem Hyjit të gjithëpushtetshëm dhe juve, vëllezër e motra, se kam mëkatuar shumë, me mendime, me fjalë, me vepra dhe me lëshime: për fajin tim, për fajin tim, për më të madhin fajin tim.
    S’jam bash-bash e sigurt, por diku në thellësitë e mia ndjej se e kam tepruar.
    Po ju tregoj qysh e zbulova se si ‘njerëzit të mundin me mirësi’.
    Kur ra borë, ngrica e ngriu edhe kerrin tim.
    Durova nja 10 ditë pa të, deri dje kur dola për të kërkuar ndihmë në rrugë.
    U ndalën tre veta, një djalë, një burrë dhe një i moshuar, i lëshuan qeset me bukë në tokë dhe bën çka s’bën, me humor dhe me mirësi të madhe, më ndihmuan ta ndez veturën.
    Njëri prej tyre më tregoi se ishin votues të PDK-së.
    U ngushtova. Ju tregoj drejt.
    Por si lexuese ‘manjake’ e gjithçkahit e di se (Vëmendje çika: meshkujt kanë shumë qejf me ju ndihmu femrave. Se ndjehen qysh kanë qejf-superior.
    Prandaj, edhe kur s’ke nevojë për ndihmën e tyre, kërko ndihmë, sa herë do t’i bësh të ndjehen super! E kur i bën të ndjehen superior, a ka fitore më të madhe.
    (Njerëzit nuk i bën për vete duke i mohuar, por duke i ngritur lart e më lart).
    Pra, edhe pse unë e kam kritikuar kaq shumë partinë e tyre të dashur, ata prap më ndihmuan, nuk më lanë në rrugë. .
    Këtë e bëjnë veç njerëzit e mëdhenj.
    E njerëzit e mëdhenj, zemrat e mëdha gjithmonë janë të panjohura, gjithmonë i gjen diku në punët e veta, në periferi.
    Te njerëzit publik, vlon narcisizmi, egoizmi, pasiguria dhe arroganca. Ata nuk ta këpusin konopin.
  4. Amerika po habitet me guximin e Kosovës. Amerika e ka ushtrinë superiore, por është çka është të jesh i guximshëm me zemër, pa armë, si ne shqiptarët që jemi.
    Për shqiptarët s’ka pandemi, thjesht Kosova është jashtë realitetit, ndërsa Amerikës i duket se Kosova është shkatërruar.
    Ata na shohin me ‘syrin amerikan’ se me na pa me ‘syrin shqiptar’, shkatërrimi është mënyra jonë e vetme e jetesës, nuk na frikëson shkatërrimi.
    Aspak.
    Edhe unë jam çoroditur. I kam shpeshtuar daljet e ndenjat nëpër klube ku këndohet ‘jam deh me raki’, ku dehesh me muzikë, ende pa e porositur pijen!
    Jam mërzitshëm, siç e dini.
    Se kjo melankolia për mua (si për Victor Hygon) është ‘Happiness of being sad’.
    Ambasadorin Kosnett e ftoj në një mbrëmje muzikore (unë vendosi për vendin), dhe e garantoj se kur të bëhen 10-të dakika ia heq frikën, me kaull.
    Kur kanë thënë ‘Frika vdes e fundit’- kanë rrejt, zemër.
    Kur e pranon se ke mbaruar, të hiqet frika.
    Frika gjen konak veç te ata që aq shumë e duan veç veten.
    Eh mor ambasadori frikacak, me t’tregu ty edhe diçka: kur u bë mbrëmë ora 21:50, në klub janë futur policia me pushkë.
    I pari polic pushkën e mbante në gjoks në gjendje gatishmërie.
    Luftë, ambasador, luftë!
    A s’do të duhej të hynin nëpër lokale inspektorët por policia si në ndjejke të ‘ekstremistëve të kënaqësisë’ e ‘kriminelëve të ndjenjave’.
    Ajo pamje ishte tipike si e policisë serbe në Kosovën e pushtuar.
    Muzika u ndalua me kohë, por ama ne mysafirët trima e kënduam ‘Hajredin Pasha’ dhe e përcollëm përjashta policinë me duartrokitje frenetike.
    Ne më së miri funksionojmë kur jemi në zgrip, në rrezik.
    Ndoshta nuk e thonë të vërtetën studimet që konstatojnë se profesionet që tërheqin më shumë psikopatë janë ‘policia dhe gazetaria’.
    Z.Kosnett, mos u frikëso për neve, se ne jemi të bindur se ‘pa egjel nuk vdiset’.
  5. Duda Balje po thotë se ‘Boshnjakët e Kosovës i mori Serbia’.
    Adriana Hoxhiq, i tha Dudës ‘mos ma çel gojën, se ta kallzoj unë ty qejfin’.
    Duda nuk kish aftësi në fushën e grindjes, kurse Adriana ish shumë e rrezikshme, por shkëlqente edhe në fushën e cinizmit.
    Shumë kam qesh se fjaloseshin në gjuhën shqipe, për nevoja të shqiptarëve, zahmet derisa i gjenin fjalët e përshtatshme për sulm, se m’i dëgju ti duke u grindur boshnjakisht, t’lënë mendtë.
    Po ua tregoj edhe një sekret personal:
    Unë nuk di të fjalosem.
    Kushdo që ekziston mbi këtë dhé më mund në këtë fushë.
    P.S. Derisa po shkruaj, njëri po këndon refrenin:
    ‘Në mes t’natës t’lash’
    Në mes t’natës t’lash’
    Lamtumirë s’të thash – e dashur
    Lamtumirë s’të thash’.
    (O Zot i Madh, O Zot i Bukur, unë shpesh ndjej se Ti më ke braktisur, por ka edhe më zi).
    Lamtumira është e vetmja fjalë që Ti nuk e zgjedh, por të zgjedh Ajo-Ty,
    Lamtumira është si vdekja, që të merr, s’të pyet.
    Prandaj, është fjalë e panevojshme, gjithmonë e vonuar, përdoret pasi merr fund çdo gjë.
    Atij/Asaj që i thua Lamtumirë-nuk të dëgjon, Ai/Ajo tashmë ka ikur).
    (Kimete Berisha: Last Seen a Long Time Ago)

Burimi/Facebook