Komandanti i kampit, ish-i dënuar ordiner që kishte qenë kusar

0
80

E kaluara e Bajram Korvafës si kusar dhe karriera e tij në diktaturë si një nga komandantët më të egër të kampeve të punës

Shumë pallate banimi në Tiranë janë ndërtuar nga të burgosurit politikë. Në asnjë prej tyre nuk do gjesh ndonjë pllakë përkujtimore që ta thotë një fakt të tillë. Puna e tyre përfshihej te organizimi i kampeve të punës, të cilat quheshin reparte ushtarake (riedukimi). Në fillim me numra njëshifrorë, e më pas me tre të tilla. Reparti nr.307, ish-Kampi nr.4, ndërtoi pallatet e qendrës së Tiranës, nga hyrja e Bllokut e ura e Lanës, e deri poshtë përgjatë rrjedhjes së saj. Kampi në fjalë ndërtoi në kryeqytet në vitet 1953-1964. Komandanti më jetëgjatë i tij në vitet 1956-1964 në Tiranë dhe 1964-1966 në Rubik ishte Bajram Korvafa. Para se të vinte këtu kish punuar kryesisht me forcat kufitare. Korvafa, lindur në vitin 1913 në Kuç të Vlorës, ishte me një klasë fillore arsim. Kish bërë edhe një specializim në Bashkimin Sovjetik në vitet 1952-1953. Anëtar i PKSH-së nga viti 1942. Në vitet 1925-1929 punoi hyzmeqar në Delvinë në pronat e Ali Cufes. U dënua dhe u burgos në vitet 1929-1932. Në mars-gusht 1936 hyzmeqar te Kostë Naso në Vuno. Në vitet 1936-1941 roje me armë në pronat e Lalo Lanit dhe më 1941-1942 sërish te pronat e Ali Cufes. Por paria e kish zgjedhur si të aftë për këtë punë nga e kaluara e tij. Në autobiografinë e datës 19.8.1952 shkruan: “Vese të dobëta në kohën e regjimeve antipopullore, kam pasur kusarinë dhe gjaknxehtësinë, por sot me punën që ka bërë partia këto vese i kam eliminuar”. Edhe gjatë kohës kur ishte komandant, Bajrami nuk hoqi dorë nga huqi i vjetër. Në shkresën nr.2710, datë 1.11.1960 të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, thuhej:

“Nënkolonel Bajram Korvafa, komandant i Repartit 307 Tiranë, është këshilluar dhe paralajmëruar nga udhëheqja e drejtorisë për arsye se “ka nxjerrë të burgosurit, ka bërë krevate për nevojat e personave të vartësve të tij, në kundërshtim me rregullat, ju ka dhënë rast vartësve që të bëjnë edhe këta punime të ndryshme si skaldobanja e të tjera, i ka bërë gjithashtu një skaldobanjë një profesori, ka marrë nga ndërmarrja dërrasa me çmime më të ulëta dhe nuk ka faturuar transportin e tyre”.


Profili i komandantit të kampit Bajram Korvafa nga një ish-i dënuar:

“A keni parë ndonjëherë fytyrën e shëmtuar të ndonjë tartari të tërbuar nga zemërimi, fjala vjen, në një betejë me shpata? Ja e tillë ishte fytyra e komandantit tonë. Një fytyrë sa e nxirë, aq edhe e skuqur nga tërbimi; më keq se ajo e tigrit. Nga ai tërbim, jo vetëm ne që kishim të drejtë të trembeshim, por vumë re se ishin bërë meit edhe oficerët e kapterët, se Bajrami kur tërbohej i trajtonte edhe ata si ne. Ai nisi të na shajë:

-Ju q… nënat armiqtë e mutit, armiqtë e poshtër! Do ju shkoj në plumb, more mutërit e mutërve! Reaksionarë të fëlliqur! Doni t’i shpëtoni shpatës së Enver Hoxhës ju more doçërit e doçërve? T’i hani mutin partisë (ai thoshte “pati” në vend të fjalës “parti”). Këtu do t’i lini kockat. Qenërve të rrugës do t’ua japim kockat tuaja! Do t’ju bëjmë hi dhe pluhur, more kodëshët e kodëshërve!

E kështu me radhë duke nxjerrë shkumë nga goja.

(Uran Kalakula, “21 vjet burg komunist”, Tiranë 2001, faqja 216)

Burimi/kujto.al/