Kosovë, respektoni nga Shqipëria ata që kanë kontribuar për shtetin e Kosovës , dhe jo ata që thonë vetëm fjalë e retorika mashtrimi!

0
7

Nga Skënder Sadri KAPITI

Vetëm në një shtet me pushtet e politikë amorale, antipublike dhe të korruptuar ndodh mosrespektimi dhe mosmirënjohja ndaj vlerave, kontributorëve, ndaj patriotizmit dhe dinjitetit kombëtar të individit e të shoqërisë.

Kur politika e Tiranës është e zënë dhe e kapluar nga konfliktet e ngatërresat ndër vete, kur janë në zor nga diskreditimi për zullume e korrupsion, vetëm atëhere politika e politikanët e Tiranës fillojnë e bëjnë sikur “shqetësohen”, dhe bëjne sikur po interesohen për Kosovën, për ta ndihmuar atë.

Kjo ndodh për ta larguar vëmëndjen e publikut dhe si përpjekje për ta kaluar problemin, dhe sa për dukje sikur po shqetësohen për probleme madhore, për Kosovën.

Dhe në këtë kurth bien e mashtrohen jo pak opinioni si dhe mediat, politika dhe shoqëria civile në Kosovë, të cilët merren dhe bëjnë tifo e ndahen në simpatizanë të retorikave dhe të deklaratave sipërfaqësore, spekulante e mashtruese momentale, duke komentuar me ato se: shiko se cfarë tha, thotë, thanë e thonë e thashathemnojnë mashtrueshëm poshtë e lartë nëpër gazeta e tavolina televizive Berisha, Rama,Nano, Meta ,Majko, Balla, Topi, Mediu, Shehi e Shehu, Spahiu,Ngjela me te tjerë, dhe të tjerë politikanë të Tiranës.

Një pyetje u duhet bërë këtyre farë patriotëve nga Shqipëria se: cfarë keni kontribuar apo dhënë dicka nga vetja e juaj e familja juaj për Kosovën, dhe pastaj dhe cfarë keni kontribuar edhe si “burrështetas” të Shqipërisë për Kosovën. A e ka njohur ndonjë shtet Pavarësinë e Kosovës prej lobimit që ka bërë Tirana, dhe a ka shpenzuar ndonjë dollar Shteti I Shqip[ërisë për të ndihmuar Kosovën?! Cfarë keni bërë realisht ju për Kosovën kur keni qenë në krye të Shtetit e të qeverisë?!Nuk është e nevojshme për retorika e simbolika mbledhjesh të dy qeëverive shqiptare. Por veproni e bëni për kombin dhe për Kosovën pa zhurma e pa dukje e reklama publike , mediatike e qeveritare, sepse askush nuk iu pengon.

A, po, kur jeni në opozitë sidomos, bërtisni e rrihni gjoksa patriotizmi për komb e për Kosovë.

Kështu gjithmonë ka ndodhur, ka ndodhur edhe atëhere kur regjimi komunist gënjente e mashtronte sikur do të bënte namin kundër Serbisë e ishJugosllavisë për të mbrojtur Kosovën. Kosovarët besonin te Enveri e Mehmeti, pastaj te Berisha e disa të tjerë te Nano dhe sot ka disa që admirojnë Metën e Ramën.

Edhe Hashim Thaci dhe politikanët e tjerë të Kosovës e përdornin Shqipërinë, takimet, dukjet por më shumë pushimet e dëfrimet nëpër plazhe të Shqipërisë, i përdornin demek si punë patriotizmi për t’ua paraqitur në Kosovë për pikë politike se: shikoni se sa respekt kishte apo ka Shqipëria për ta.

Madje, sidomos në prag fushatash elektorale politikanëve servilë të Kosovës u interesonte shumë dhe ishin në garë me njëri-tjetrin se kush të dilte në fotografi me kryeministra e presidentë nga Shqipëria, si dhe kush prej tyre të merrte sa më shumë dekorata llamarinash e letre mirënjohjeje e fleta lavdërimesh nga institicionet e qëndrore e vendore të Shqipërisë.

Është fakt se edhe institucionet e Kosovës në shkëmbim reciprok nderesh u kanë dhënë dekorata personave nga Shqipëria, shumë prej atyre të cilët nuk kanë asnjë meritë për Kosovën, por vetëm për

merita interesi e politike, u kanë akorduar dekorata në Shqipëri atyre që ishin e janë miq e shokë të ishkryeqeveritarëve të Tiranës.

Institucionet e Kosovës nuk kanë respektuar pothuajse asnjë, ose ndonjë shumë të rrallë prej atyre meritorëve që kanë kontribuar për Kosovën; nuk kanë respektuar dhe as dekoruar nacionalistët e vërtetë të cilët kanë bërë burg në regjimin komunist në Shqipëri për Kosovën; nuk kanë respektuar ata nacionalistë të cilët e kritikonin dhe që e kanë pësuar në Shqipëri pse e kundërshtonin qëndrimin indiferent antiKosovë dhe internacionalist e prosllavo-rus të regjimit komunist.

Institucionet e Kosovës nuk i kanë respektuar as ata të cilët kanë bërë maksimumin realisht, sinqerisht dhe pa kurrfarë interesi për Kosovën;nuk janë respektuar as ata që kanë dhënë kontribut real edhe në luftën e viteve 1998-1999 për lirinë e Kosovës.

Vetëm në një shtet me pushtet e politikë amorale, antipublike dhe të korruptuar ndodh mosrespektimi dhe mosmirënjohja ndaj vlerave, kontributorëve, ndaj patriotizmit dhe dinjitetit kombëtar të individit e të shoqërisë.

Duket sikur do ndryshojë dicka Albini e Vjosa por le të presim e të shohim , dhe jo pa qëllim po e nis për botim këtë shkrim dhe do e nis jo vetëm për botim, por do tua dërgoj edhe Kryeministrit e Presidentes dhe zyrave të tyre qeveritare si dhe deputetëve të Kosovës.