Kristaq F. Shabani – KAÇAKU I ÇARTUN”, NEOROMANI IM I FUNDVITIT 2021

0
74

N ë këtë vend ilir,
Në këtë vend levend,
Që nga lashtësia,
Lindin bilbilenj…
Kristaq F. Shabani
KAÇAKU I ÇARTUN”, NEOROMANI IM I FUNDVITIT 2021
Një shoku im i ditur, i cili më ka ndjekur në vijueshmëri krijimtarinë time dhe nuk ka lënë asnjë vepër timen pa lexuar, eshte shume profesional, lexoi, së fundi, neoromanin tim të fundit, me titull: ” Kaçaku i çartun” me një frymë dhe, pas katër, pesë ditësh, më shkruan:
” I nderuari Kristaq, më ke befasuar, si gjithmonë ! Shkurt, neoromani juaj është magjik. Ai hyn në fondin e artë të Letërsisë magjike…Ti shkruan në mënyrë magjepse…”.
Dhe mesazhi i tij vijonte duke bërë një përshkrim saktik dhe me argument për motivimin e përkufizimit të neoromanit…
Ndaj, sipas këshillimit të mikut tim, vendosa të paraqes sot një fragment të këtij neoromani jetësor, i cili eshte në proces botimi, në këtë fillim viti…
KRISTAQ F. SHABANI
Ikjeardhja e Kaçakut të çartun
fragment nga neoromani im i fundit
Riti i rrallë mortor i pranishëm në përcjelljen në banesën e fundit të Kaçakut të çartun ….
Gjon Jak Rrasi i mbylli sytë, papritmas, atë ag të një dite pranvere të vitit 1917.
Pak çaste, para se të ikte nga kjo Botë, ai e kuptoi se, jeta e tij po përfundonte në një moshë , pothuajse të re. Ai, sapo i kishte mbushur të gjashtëdhjetë e pestat , por jeta e tij ishte një përpjekjadë e madhe , dhe, pothuajse, gjysmë e saj ishte kaluar në male, në shpellat e bukura të Mirditës. E thirri Mrikën e tij duke i thënë dy fjalë amaneti : “Mrikë, unë po e kuptoj, se po jetoj frymën e fundit…”.
Nga syri bukur i Mrikës u lëshua një loti madh, i cili ra mbi faqen e Gjonit dhe u nda në pesë pjesë që simbolizonte atë, dy djemtë e saj, Tunin 12 vjeçar, Novin 17 vjeçar dhe dy vajzat që do ta prisnin babanë e tyre në parajsë.
Gjon Rrasi e ndjeu fillesën e dhimbjes së madhe, e ndjeu se po digjej një shpirt dhe mblodhi forcat, duke i thënë:
“ Mrikë, je burrneshë dhe trime… Unë, Gjon Rrasi, iki i lumtur nga kjo botë, se u përpoqa për lirinë, për Kombin tim, për familjen time!… Po lë dy djem që do të bëhen trima, dhe s’kanë se si të mos jenë të tillë… Ata më ngjajnë mua. Do të çojnë përpara gjithçka që bëmë ne… Do t’i ngjajnë stërgjyshit Pjetër ,… gjyshit Jak… dhe babait Gjon… Unë… po shkoj të bashkohem me dy cucat e mia… Amanet fëmijët , Mrikë!…”.
Mrika, nuk po e mbante dot veten nga kjo e papritur dhe kujtesa e saj u kthye në një retrospektivë të bukur që nga çasti i “synit të ndritshëm te kroni”, te fejesa e martesa e bukur, te lindja e dy cucave që nuk arritën të jetojnë gjatë, te jeta e Gjonit Kaçak në male për të zgjidhur trimënisht dhe zgjuarsisht padrejtësitë e pushtuesit osman, jeta e saj në Rras, lindja e djemve, te jeta në Shkodër dhe së fundi Kusarin, që, pavarësisht se Gjoni kishte hequr dorë nga jeta në male, përsëri ishte i lidhur ngushtësisht me lëvizjet e mëdha kombëtare …
Tani ky trim, burri i saj, po jetonte minutat e fundit të jetës së tij martire… Gjoni trimi, Gjon liridashësi, Gjon Paqësori. Asqë e kishte menduar se jeta e tyre bashkëshortore do të këputej, në këtë ditë pranvere, kaq shpejt dhe kaq papritur.
Me zë të mekur i tha : “Amaneti yt do të shkojë në vend…. Po pse kaq shpejt , o Gjon, pse kaq shpejt?!”
Gjoni me gjeste dhe fjalësin e saj kodik, sikur i thoshte se donte ta puthte Mrikën e tij në këtë epilog të jetës së tij. Ta merrte me vete këtë puthje dhe ta linte gjithmonë të ndezur në faqen e saj puthjen e tij, si pishtar të zjarrtë.
Dhe ajo e kuptoi gjestikulacionin e Gjonit, afroi faqen e saj dhe ai e puthi. Edhe ajo e puthi…
Ai u qesh si dielli që dilte në mëngjes mbi Rras, si dielli që dilte duke buzëqeshur në Shkodër, si dielli, po i njëjtë që dilte mbi Kusar e Moglicë…
Dhe Gjon Rrasi iku me buzëqeshjen e diellit në fytyrë dhe të puthurën e ndritshme të Mrikës …
Dhe Mrika shquhej edhe si vajtocë, pasi çdo cucë, grua mirditore ishte e “kualifikuar” si e tillë.
Mirditasit i kanë kushtuar vëmendje të veçantë, përveç dasmave dhe ceremonive të gëzimit, edhe mortit, madje hera-herës duke i dhënë ngjyresa të theksuara monumentale. Vajet e Mirditës janë aq karakteristike, sa janë përfshirë në një masë të madhe, në korpusin e Visareve të Kombit. “Mirditorja qan thekshëm, me një stil, i cili të kujton poetët e motshëm; elegjitë e Tribulit, e ma mirë të ilirëve , me “të bërtiturën e saj mbi të vdekurin me një zë të thekshëm , të cilin ia ka falur natyra me një vaj ligjërues të një poezie të dhimbshme, të dalë prej shpirtit .Vajtocat e Mirditës, kanë qenë përmendur, ashtu si dhe Burrat e Dheut. Ato kanë krijuar një të vetin “elegjizëm” të shkëlqyer të folkut elegjik të vijuar.
Do të shpërthente Mrika atë dhimbje të madhe shpirti. E kishte përfytyruar Gjonin jetëgjatë. Gjonin e saj, për të cilin shpirti i dhimbte sa herë që ai largohej dhe jetonte në male, jeta e saj ishte jetë ankthi, jeta sillte shumë të papritura, jeta në male dhe në aksione ishte në presë… Sa herë vinte në shtëpi, rrinte një natë apo dy dhe pastaj “arratisej” te shpellat e tij, ajo gëzohej, ndjente aromën e burrit të saj, ndjente zgjuarsinë e tij, ndjente prezencën e tij … Eh, si është kjo jetë!… Vjen një ditë dhe filli i saj këputet përfundimisht.
*
Mrika e njihte Gjonin deri në pore, deri në damarë. E dinte se si i rrihte pulsi, si i flakëronte gjaku, si i flakëronte shpirti. Ai ishte kryetrim, ai ishte kryeburrë, por Gjoni i saj ishte një “kryegjyqtar i venue”, sikundërse portretizoheshin burrat e tillë në Mirditë, ku profesioni i tij nuk ishte pushka dhe trimnëria, natyrisht pa e zbehur, kurrsesi, këtë anë madhore, por gjykimi i çështjeve, kuvendi, urtësia dhe mençuria. Trimëria mund t’i lipsej njëherë malësorit, kurse mençuria (gjyqtaria) i duhej ditë përditë. Kjo përmasë, që e përcjell dukshëm kënga, duket se është e ndërlikuar me praninë e kanunit, pleqësisë, kuvendit, vetëqeverisjes. Por, Gjoni i saj kishte një specifikë të madhe edhe trimëria i duhej në çdo kohë, ashtu si zgjuarsia. Gjoni i saj ishte i të dyjave, ku njëra nuk bënte dot pa tjetrën dhe ishin pazgjidhshmërisht të lidhura së toku.
Kaçaku Gjon Rrasi “qeveriste” duke i vënë në shërbesë të dyja.
Ndante gjyqe dhe e ligjëronte në kuvende, pajtonte gjaqe e shmangte gjaqe Gjon Trimëria! …Sa burra të shënjestruar e të konsideruar si burra të qetë shpëtoi Gjon kaçaku. Këta burra dhe kur u vranë ndjeheshin të qetë për vendimet e marra… Sa gjaqe ndali…Gjon Jak Rrasi në Mirditë, por, edhe për sa burra kuvendi detyroi të respektonin zgjuarsinë e tyre, pasi ishin vrarë.. Sa vrasës të tyre u tregoi vendin! Ai u kujdes që njerëz të tillë dhe pa frymë të visheshn si dhëndurë, sikur shkonin në gazmende, dasma, veshur me rroba të krahinës tipike, armatosur me revole në brez si dhe me armë të kohës, me armë të gjatë në krah, vendosur në një karrige ornamentale të punuar me art, këmbë mbi këmbë, me kësulën e bardhë në njërin sy; mustakët e përdredhur, sytë çelur dhe cigaren në dorë e vesh, me paraqitej krejt, si i gjallë. “Fliste” me ata që kishin ardhur ta përcillnin për në varr, u “shtrinte” kutinë e duhanit. Tashmë i kishte ardhur radha atij, Gjon Jak Rrasit, Atij që kishte nderuar dhe mbrojtur aq shumë burra me trimëri…
*
Dhe minuta po këpuste një lis të madh ,
Dhe minuta po këpuste një Malnajë,
Dhe minuta , s’ donte, kurrsesi, ta merrte,
Por kështu ishte thënë, Zoti e donte në qiell…
Bilbilat, andej dhe këtej, e ndalën këngën,
Dallëndyshet, andej e këtej, pezulluan
Fluturimin turratumbas ,
krahë e bishtgërshërë…
Lumenjtë, andej e këtej, i ndaluan prurjet,
Shqiponjat, andej e këtej,
u ulën duke homazhuar mbi shpellat…
Trimat dhe kaçakët, komitët,
andej e këtej, u përlotën
Gjindjet, ndodhitë, përpjekjet,
betejezat, sulmet, fitoret
rikujtuan trimëritë e pashoqe
të Kaçakut të çartun…
Krojet, andej e këtej, në shenjë zije,
pakësuan zhurmimin,
Rudinat, andej e këtej,
këputën lulet më të bukura ,
për t’i bërë tufa e kurora nderimi…
U përkulën plepat, qiparizët,
Selvitë, andej e këtej…
Mbi Rrasin e Egër, në një pjesë qielli,
u ravijëzua një shirit i madh i zi…
e pas tij Kuzhneni, 12 bajrakët,…
Gjithë Mirdita nderonte Gjon Rrasin…
Ul flamuri shqiponjë me kryediell…
Në minutë u shfaq Ëngjëlli,
po ai, që i kishte folur në vesh Jak Rrasit,
foli zëlartë : “Gjon Rrasi na duhet në qiell!”
Dolën gjithë nënat në vende të dukshme,
nisën bekimin: “ I ndritë shpirti!”
Atij njeriu që na shpëtoi nga padrejtësitë ,
nga gjakmarrja, nga hajnitë…
U mblodh shpejt kuvendi i burrave,
Njëzëri përcolli nderimin:
“Lavdi atij burri që luftoi
kundër pushtuesit osman
U bë tmerr me trimërinë e pashoqe…
Atij që zgjuarsia dhe trimëria
I banonte ngushtësisht në shpirt,
Atij që jetën sakrifikoi për lirinë
për krahinën emërmadhe Mirditë!
Në sa e sa aksione e kryengritje,
në sa e sa sulme ndaj padrejtësisë!”
Një vajtim i pandodhur kurrë,
I la pa mend vajtocat …
S’kishte ndodhur, jo kurrë,
këtej dhe andej
të ndodhte një ligjërim e nderim i tillë…
Vajtocat u hutuan, kur panë në karriken ornamentale një trimëni të madhe… Asqë mund ta mendonin se, në këtë karrike, ishte vetë ai, Gjon Jak Rrasi… Vajtocat ishin mbledhur këndej dhe andej me shpejtësi ”drite” .
Kishin një pakënaqësi të madhe nga qëndrimi profetik dhe tipik mirditor, krenar i Tij dhe duke ndenjur aty, afër vatrës, gjatë gjithë natës, i kërkonin me vargje poetikë ligjërues t’i jepte forcë vetes dhe të ngrihej, hopa në këmbë, pasi atë e prisnin punët, gjyqet, eliminimi i padrejtësive, e prisnin punët e lëna përgjysmë …
Ai qëndronte “stoik”, syçelur, si i gjallë…
Mrika ndjente në shpirtin e saj ndarjen e madhe fizike … Aq shumë burra erdhën, aq shumë për ta nderuar. Geta lotonte për vëllanë e saj …
Një natë mes miqsh të zemrës, të shpirtit, shokësh kaloi Gjon Rrasi i gjallë …
Dhe ja erdhi mëngjesi.
Erdhi momenti, kur Gjon Rrasin e nxorën në oborr, po në karriken mbështetur pranë murit. Tashmë, i rrethur nga një kor vajtocash… Njerëzit po shihnin Gjon Rrasin e maleve, për herë të fundit. Tuni dhe Novi shikonin babanë .… Ata, kurrë, s’e kishin menduar se, babai i tyre trim, do të ikte një ditë në qiell. Ata e dinin babanë e tyre të pavdekshëm, kurrë….
Papritur, ndodhi një diçka e pazakontë, që i la të gjithë pa fjalë.
Në çastin e ngritjes në vig. U fanitën në oborr Pjetër Rrasi me bashkëshorten, Jak Rrasi po me bashkëshorten,Novi, i vëllai, dy vajzat e Gjonit dhe, si në një skenë antike, përshëndetën me tone falënderimi pjesëmarrësit në ceremoni dhe e hodhën trupin e Gjonit në vig… Mrika mbeti pa fjalë …Kur e hodhën mbi vig u shfaq një kryq i madh i artë që shndriste. Tani po shihej qartë se Gjon Rrasi kishte vdekur me të vërtetë, pasi qëndronte i shtrirë, si gjithë të ikurit nga jeta…, por ndryshmërisht nga të tjerët. Pas pak, u pa trupi i tij, u mbulua nga një dorë ëngjëlli dhe u ngrit lart, lart në qiell… Por prapë ndodhi çudia: Gjon Rrasi u ngrit mbi vig dhe përshëndeste njerëzit e shumtë në tokë, te shtëpia e tij.
Njerëzit, mbetur befasuar nga kjo skenë mahnitëse, shihnin Gjonin me petkun e florizuar, teksa ngjitej në qiell te venbanimi i Zotit.
Ndërkaq, u dëgjua një zë i i ëmbël: ”Gjoni erdhi në jetën tokësore nga Zoti, si krijesë e tij dhe tani po shkon shpirtërisht i gjallë drejt qiellit, pranë Krijuesit të tij!…”.
Epilog
Në hapësirën qiellore
projektohet realja jashtë fantazive,
Mirdita në kontribut bilbilim trimash…
Ej, jam Gjon Rrasi, kaçaku i çartun i maleve!…
(Oshëtim zëlarti, zëçeliku,
zëtrumbetuesi, zëzjarrmuesi,
zë shkrepëtitësi, zë triumfuesi…
E përcjellin këtë zë, tashmë, mitik
Luginat, Rrafshnaltat, Kodrushkat,
Rudinat, Shpellat, Honet, Shpatet,
vetë Majat dhe Kryemajat…
kronikanet e historive ,
dëshmitaret e akteve trimërore e fisnike …
Unë jam Gjon Rrasi ,
Në shekuj do të këndohet kënga ime trime…
*
…Harta shpalos bëmat, sulmet, trimëritë,
Herioglifet zjarrmojnë
në shpella biblike të shenjtërimit…
Përplasje kundërshtish
në turmë osmanë frikëvekjeprurëse…
Në skena luftimesh “aktron “falangash
Gjon Rrasi me të tijtë,
Shtojzovallet rigjallërojnë Gjergj Elez Alitë…
Këngët martire dalin nga partitura,
Me dy tela çiftelie
E trumbetim tupanësh.. .
Ç‘fat paskërkan këngët
sjellin në kohë trimkëngëtorët
Krenari Rrasi të Egër statujëzuar
në vende shenjtore
këtu prehet ai , Gjon Jak Rrasi ,
këtu në Moglicë…
Këngë nënash për bijtë
Thuren dhe brohorima e fitores
përcilllet cep më cep,
duke shënjëzuar aktet e luftës
kundër padrejtësive …
dhe frymim lirie…
Në Rrasin e Egër
bien ndritshëm meteorët,
Habitin qiellin vetë ylberet…
Frikim për të mundurit …
Ndritim për triumfatorët,
Nata arratis errësirën…
Ndalu pak dhe ti, o udhëtar dhe ndero Gjon Rrasin!… Ai lindi atje, ku shqiponja ka folenë dhe prehet këtu në trojet e tij gjurmëmëdha lënë në histori…
Shqiponja hap krahët dhe çdo ditë bën homazhin e saj për këtë trim mbi trimat, për këtë guximtar mbi guximtarë, këtë besëmadh në Besëmadhen e shekujve, për këtë të zgjuar në Plejadën e të Zgjuarve, për këtë tregues, se si përftohet liria e çliruar nga prangat, kafazet, rrethimi i egërsuar…
Ti o nip, mbesë, stërmbesë, njeri i gjakut brezit të tij, homazho dhe ndero trimërinë e tij! … Përulu dhe merr forcë, përhap bëmat e tij dhe me madhështinë e lëvizjes së tij; mundohu t’i ngjash dhe të marrësh prej tij cilësi, karakteristikat e tij përkrenare.
Gjon Rrasi, nipi i tij, përulet para gjyshit të tij Gjon. I krenaruar për përcjelljen e këtij emri të madh, të cilin e mbajti gjënë më të çmuar nderues… Stërmbesa e tij, me emrin e bukur Shqipe, trashëguese e tipareve të Gjonit me fjalët e saj kurorëzon stërgjyshin dhe thur kurorëbukurën e nderimit…
*
O njeri, e pse të mos ndritesh nga këta kryeprotagonistë të një lëvizje të madhe, ku djajtë, ardhacakët, pushtuesit e rinj dhe të vjetër kërkuan të përçmonin veprimtarinë e tyre të ethshme, të përbuznin mëngjezet e tyre të mendimit që njerëzit të jetonin jetën me lirinë? Ata kërkuan të minimizonin këtë përpjekjadë të përmasave të mëdha kombëtare dhe fjalën “kaçak” e trasformonin, e ngarkonin me ngarkesa negative, sipas oreksit të tyre, duke iu kundërvënë me ashpërsinë më të madhe duke e konsideruar e anatemuar… A mund të pranohet kjo për “nofkat” që vendos pushtuesi, vetëm e vetëm të minimizojë, të përhapë të pabëra, të nxisë kundërshtimin…. Lëvizja kaçake e Trojeve kërkon respekt maksimal , kërkon nderim të madh….
*
Gjon Rrasi, tashmë 169 vjeçar, kishte dalë nga banesa e tij në Moglicë dhe po “kundronte” Kusarin, hidhte vështrimin larg në Rras të Egër, në Mirditën e tij …
Skeptikët dhe grafologët nuk e kishin evidentuar veprimtarinë e tij të madhe të sensit patriotik…
Letërsia bën të pamundurën , të rikthen në jetë dhe jep mesazhin e madh të ringjalljes së shenjtëruar!
Gjirokastër, dhjetor 2021

Burimi/POLEART “PEGASI” ALBANIA