KROJET E ULQINIT

0
96

Ulqini me rrethinë është një trevë e banuar që në lashtësi. Këtu janë gërshetuar kultura të ndryshme duke filluar nga ato parailire (figura nga neoliti Magna mater) e deri te modernja e ditëve të sodit. Gjithashtu edhe arkitektura që hasim në Ulqin është e ndikuar nga kultura të ndryshme andaj dallojmë arkitekturën ilire, venedikase, osmane dhe atë moderne.

Me pozitën që ka, Ulqini njihet si qytet bregdetar të cilin e lagin valët e Detit Adriatik por, gjithashtu Ulqini me rrethinë si vendbanim është shumë i pasur me hidro-resurse. Edhe më atraktive e bëjnë afërsia e Liqenit të Shasit dhe Shkodrës, pastaj Lumi Buna dhe përroskat ose Gurra e Millës, Kalimanit, Klleznës dhe Salçit. Në Ulqin dallojmë edhe katër burime të ujit mineral apo siç njihet në popull Uji sulfurik dhe ate në këto lokalitete: Pylli i pishave në Ulqin (ky burim është më i njohuri për shkak të vetive shëruese që ka uji i cili del në Plazhin e Grave), Gjiri i Gjeranave, Limanit dhe Valdanosit. Bazeni i Krypores paraqet një atraksion të veçantë dhe është një parajsë për mëse 250 lloje shpendësh që kanë zgjedh këtë lokalitet si vendbanim të përhershëm ose kalimtar.

Kroi i Beqir Begut, në ullishtën e Ulqinit
Të gjitha këto që përmendëm janë pasuri natyrore të rëndësisë së veçantë por krojet ose burimet paraqesin një pasuri të çmueshme të trashëgimisë kulturore e të tilla në Ulqin dhe rrethinë kemi një numër të madh. Krojet janë ndërtime që sot paraqesin vlerë të çmueshme të konceptimit dhe realizimit arkitekturor por rëndësi të veçantë kanë edhe si pasuri e trashëgimisë kulturore, historike andaj edhe paraqesin një potencial të pashfrytëzuar turistik. Në të kaluarën ulqinakët duke u marrë me detari krijonin të ardhura respektabile dhe familjarët e tyre në tokë bënin një jetë të qetë ekonomike. Kështu që një pjesë të fitesës së vet e drejtonin në ndërtimin e objekteve të ndryshme të cilat do të ishin të mira kolektive për të gjithë banorët e vendit si psh: rrugë, kroje, pushimore, etj.

Kroi i Bashbylykut, në ullishtën e Ulqinit
Sipas Prof. dr. Maksut Haxhibrahimit, i cili është i vetmi që në mënyrë më serioze e ka lëvruar këtë problematikë sot mund të nxjerrim një përfundim se në Komunën e Ulqinit dikur kanë ekzistuar 229 kroje ose burime. Sipas një ndarje të vrazhdë territoriale këto kroje mund t’i paraqesim kësisoji: Në Ulqin – qytet, dikur kishte 43 kroje, rrethina e ngushtë e Ulqinit 59 kroje, Ana e Malit 111 dhe vetëm në ullishtën e Ulqinit 16 kroje. Natyrisht në të kaluarën ndoshta do të ketë qenë e mundur që të ketë pasë një numër më të madhë të burimeve ose krojeve mirëpo falë punës së Haxhibrahimit ne sot kemi informata për ekzistimin e 229 krojeve.

Kroi i Çinarit
Sot, autori i këtyre rreshtave në ullishtën e Ulqinit ka identifikuar dhe ka gjetë 11 kroje prej 16 sish sa përmend Haxhibrahimi çka do të thotë se dhëmbi i kohës ka bërë të veten. Dikur nga kalaja për në Valdanos kanë ekzistuar tri rrugë nëpër të cilat gjenden këto kroje kurse unë po i numëroj ato që janë ende funksionale apo që mund të shihen. Duke u nisur nga mulliri i vojit rrugës Anëmalit, në fillim të ullishtës në vendin e quajtur Ullijt e Ali Shahut gjendet Kroi Doçe ose Kroi i Ali Shahut (unë mendoj se kemi të bëjmë me të njejtin krua), vazhdon Kroi i thatë, Kroi i Salë Kikes, Kroi i Detarëve dhe Kroi i Zanave i cili sot gjendet diku mbi Kroin e detarëve e që autori i këtyre rreshtave nuk ka arritë ta gjejë. Në ullishtë një ndër krojet më të bukur është Kroi i Begut ose Kroi i Beqir Begut të familjes Resulbegu, nën te gjendet Kroni i Mustafajt kurse në Bashbylyk gjendet Kroni i Bashbylykut në pllakën e të cilit në gjuhën e vjetër osmane shkruan ”Sahibir hajrat Osmanag Manola, tahmin Hasan Lazoja” e që në përkthim të lirë do të thotë ”Për nderë të Osmanagë Manolës, ndërtoi Hasan Lazoja”. Vazhdon Kroni i Ultimit, Kroni i Çinarit, Kroni i Limanit dhe një krua pa emër në afërsi të Kronit të ultimit.

Kroi i Mustafajt, në ullishten e Ulqinit
Në qytet sot për fat të keq kanë mbijetuar një numër shumë i vogël i krojeve dhe nga 43 kroje sa numëron profesor Haxhibrahimi sot mund të identifikojmë diku përafërsisht 10 prej të cilëve më të bukurit janë Kroi i Skurjave në Kala, Kroi me shkalla, Kroi i Ballos, Kroi i Shurdhajve dhe Kroi i Gjeranave apo siç thotë miku im Naim Flamuri – Kroi i Ujkut.

Kroi i Thatë, në ullishten e Ulqinit
Këto kroje përveç bukurive të tyre arkitektonike shumë prej tyre kanë edhe tregime e legjenda shumë të bukura që tregohen brez pas brezi. P.sh. e bukur është legjedna për Kroin e Zanave ose legjenda për 99 burimet e Malit të Sumës por misterioz është edhe emri i Kronit të Ballos e që si emërtim na çon deri në periudhën ilire e që emri Ballo ishte emër i shpeshtë ilir.

Kroi i Ballos në lagjen Mera, Ulqin
Uji simbolizon jetën, e që ulqinakët në kohën e ilirisë padyshim se si hyjni adhuronin Redonin, hyun ilir të detit. Por, sot këto kroje i hasim në një numër të vogël sepse ato nuk mundët t’i bëjnë rezistencë shkatërrimit nga koha, kushtet natyrore por dora njeriut ishte ajo që shumë sish shkatërroi dhe zhduki. Disa pa vetëdije e disa me qëllim nga 43 sa dikur ishin në qytetin e Ulqinit sot hasim vetëm afro 10, në ullishtë nga 16 gjejmë 11 kurse gjendja pak më e mirë është në periferinë e qytetit por që krojet në përgjithësi janë në gjendje të keqe.

Kroi i Gjeranave, miku im Naim Flamuri e quan Kroi i Ujkut
Duke ditë vlerën e tyre kulturo-historike, duhet ndërmarrë diçka që këto kroje të valorizohen dhe të vehen prapë në funksion dhe në shërbim të komunitetit. Pse jo edhe me valorizimin e tyre shumë sish do të përbënin edhe atraksion turistik pasi që shumë prej tyre kanë edhe tregime e legjenda shumë interesante që kanë të bëjnë me procesin e ndërtimit apo ndonjë ngjarje që ka ndodhë në afërsi.

Kroi në Gjerana, mbishkrimi i thyer. Banorët nuk dinë për emrin
Në një të ardhme të afërt sikur të veheshin në funksion ato tri rrugët e ullishtës dhe të shndërroheshin në shetitore ku pas çdo 2km shetitjesh do arrinim te ndonjë krua në të cilin do të vendoseshin banka dhe pushimore të ndryshme do të paraqeste jo vetëm një pasuri për komunitetin që jeton në Ulqin por edhe një atraksion shtesë për turistët që pëlqejnë bëjnë shetitje nëpër natyrë. Pra, sa më parë të valorizohen këto vlera të trashëgimisë tonë kulturo-historike aq më parë do çojmë në vend amanetin dhe vizionin e ndërtuesve të këtyre krojeve të cilët nuk kanë menduar vetëm për vete por edhe për pasardhësit e vet.

BOTUAR NË KOHA JAVORE, PODGORICË, NR. 915, MË 11.06.2020

Burimi/gazmendcitaku.wordpress.com/