Kryeministri Kurti: Agjencinë e Akreditimit synojmë ta bëjmë tërësisht të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore

0
39

Prishtinë, 25 janar 2022

Zhvillimet e sotme në nivel global na kanë ekspozuar përballë një mori sfidash, ballafaqimi me të cilat kërkon sistem arsimor të fuqishëm. Kosova si shoqëri nuk mund të jetë imune ndaj këtyre sfidave. Në shumicën e rasteve është madje edhe pasqyrim brutal i tyre, sikurse e patëm rastin me inflacionin, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në prezentimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025.

Ai tha se fatkeqësisht si qeverisje, kemi trashëguar edhe një sistem arsimor, i cili është rezultat i një politike publike, që në masë të madhe ka qenë elektorale e shumë pak ose aspak strategjike e vizionare.

Një sistem, ku interferimet politike, që nga rekrutimet e stafit në të gjitha nivelet, e deri tek ushtrimi i funksioneve të institucioneve të pavarura ekzekutive, siç ka qenë rasti me Agjencinë e Akreditimit, kanë qenë praktikë e stabilizuar, tha kryeministri Kurti. Këto interferime, siç tha ai, e kanë pamundësuar krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor, i cili do të mundësonte orientimin e qytetarëve dhe rinisë sonë drejt karrierave të qëndrueshme profesionale.

Në këtë kontekst, kur është fjala për Agjencinë e Akreditimit, ne synojmë që këtë institucion ta bëjmë tërësisht të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore. Interferimet politike në Agjencinë në të kaluarën, do të ngelen në të kaluarën, tha kryeministri Kurti.

Tani e tutje, kjo agjenci do të funksionojë mbi bazat e profesionalizmit dhe ekspertizës, si dhe parimeve të barazisë, etikës e integritetit, e të gjithpërfshirjes. E, për punën e saj, si referencë, do t’i ketë standardet evropiane dhe udhëzuesit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Kryeministri Kurti rikonfirmoi mbështetjen e plotë për Agjencinë në përpjekjet e saj për t’i adresuar dhe për t’i përmbushur rekomandimet dhe shprehu synimin e patjetërsueshëm të qeverisjes sonë – rikthimin në ENQA dhe EQAR.

Kemi arritje në të bërit e arsimit të lartë më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm, duke hequr tarifat semestrale, por kemi ende rrugë për të bërë, që këtë nivel të arsimit ta bëjmë më atraktiv dhe më konkurrent ndërkombëtarisht, tha ai.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në prezantimin e aktiviteteve të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për vitin 2021 dhe Strategjinë e AKA-së 2021-2025

I nderuar drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, z. Naim Gashi,

E nderuar Kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC), prof. Hasnije Ilazi, të cilën e përshëndesim nga larg, meqenëse nuk është e mundur të na bashkëngjitet edhe fizikisht për shkak se është me Covid.

Anëtarë të respektuar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë,

E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj Nagavci,

I nderuar kryetar i Komisionit Përkatës Parlamentar z. Ardian Gola,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Rektorë të Universiteteve Publike në Kosovë,

Përfaqësues të Institucioneve të Arsimit të Lartë,

Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare që keni dhënë përherë mbështetje për arsimin në Kosovë,

Të nderuar të pranishëm,

E kam pranuar me kënaqësi ftesën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për të ju takuar, e për të ndarë me ju perspektivën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të paraqitur pos tjerash edhe synimet tona të cilat lidhen me arsimin e lartë.

Për ne, zhvillimi i gjithmbarshëm i Republikës nuk mund të paramendohet pa një arsim

cilësor që hap portat e tregut të punës, pa shkencën e cila është burim dhe mundësi për zhvillim ekonomik, pa një rini të mirë arsimuar e kompetente që sheh perspektivë dhe mundësi të aktivizimit të potencialit maksimal vendin tonë.

Bota, në të cilën jetojmë aktualisht, është përkufizuar në mënyra të ndryshme, ta zëmë: Ulrich Beck e cilëson si “shoqëri e rrezikut”, Zigmunt Bauman si “modernitet të lëngshëm”, Anthony Giddens si “botë në arratisje”, e “Krizologjia” e Edgar Moren-it e pahtëson krizën si shtratin e dinamikave bashkëkohore të shoqërive në nivel global, e kështu me radhë. Këto përkufizime dhe të tjerat si këto, duket që emërues të përbashkët e kanë fluiditetin (ndryshueshmërinë).

Pra, shoqëritë e sotme janë shoqëri fluide, të lëvizshme, tejet dinamike dhe, për rrjedhojë, vazhdimisht të ndryshueshme. Ndryshimi shoqëror e reflekton edhe brishtësinë e strukturës së shoqërisë. Për pasojë, shoqërive iu duhet që në mënyrë konstante ta rimendojnë veten në rrethana të reja strukturore. Pikërisht në këtë proces reflektimi, lind nevoja për një edukim dhe arsimim të qëndrueshëm. Pra, në një botë të paqëndrueshme, edukimi megjithatë duhet të jetë i qëndrueshëm.

Në fillim të herave edukimi si koncept ka mishëruar qëllimin për qytetarinë e përsosur. Më pas, objektivi është zhvendosur në drejtim të përgatitjes profesionale për të vazhduar me shpirtin kritik. Ndërsa sot, jo rastësisht, edukimi konceptualisht ka përfunduar si nevojë për kreativitet dhe inovacion. Ngase në shoqëritë ku paqëndrueshmëria është e qëndrueshme dhe ku e ardhmja është e pasigurt, vetëm duke qenë kreativë dhe inovues mund të ia dalim dhe kemi shpresë. Duke e stimuluar kreativitetin dhe inovacionin, paqëndrueshmërinë e shndërrojmë në mundësi, ndërsa të ardhmen në zhvillim. E për rrjedhojë, jemi në një transformim të vazhdueshëm. Andaj, nuk është e rastësishme se pse Raportit të Jacques Delors, Presidentit të tetë të Komisionit Evropian, i cili i identifikon katër shtylla të edukimit, e para, të mësuarit për të ditur, e dyta, të mësuarit për të bërë, e treta, të mësuarit për të jetuar së bashku dhe e katërta të mësuarit për të qenë, në vitin 2008 UNESCO sugjeroi që t’i shtohet edhe shtylla e pestë: të mësuarit për të transformuar veten dhe shoqërinë.

Të nderuar të pranishëm,

Zhvillimet e sotme në nivel global na kanë ekspozuar përballë një mori sfidash, ballafaqimi me të cilat kërkon sistem arsimor të fuqishëm. Kosova si shoqëri nuk mund të jetë imune ndaj këtyre sfidave. Në shumicën e rasteve është madje edhe pasqyrim brutal i tyre, sikurse e patëm rastin me inflacionin.

E fatkeqësisht si qeverisje, kemi trashëguar edhe një sistem arsimor, i cili është rezultat i një politike publike, që në masë të madhe ka qenë elektorale e shumë pak ose aspak strategjike e vizionare.

Asnjë sistem, ku interferimet politike, që nga rekrutimet e stafit në të gjitha nivelet, e deri tek ushtrimi i funksioneve të institucioneve të pavarura ekzekutive, siç ka qenë rasti me Agjencinë e Akreditimit, kanë qenë praktikë e stabilizuar. Këto interferime e kanë pamundësuar krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor, i cili do të mundësonte orientimin e qytetarëve dhe rinisë sonë drejt karrierave të qëndrueshme profesionale.

Në këtë kontekst, kur është fjala për Agjencinë e Akreditimit, ne synojmë që këtë institucion ta bëjmë tërësisht të pavarur në ekzekutimin e politikave arsimore.

Interferimet politike në Agjencinë në të kaluarën, do të ngelen në të kaluarën.

Tani e tutje, kjo agjenci do të funksionojë mbi bazat e profesionalizmit dhe ekspertizës, si dhe parimeve të barazisë, etikës e integritetit, e të gjithpërfshirjes. E, për punën e saj, si referencë, do t’i ketë standardet evropiane dhe udhëzuesit për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë.

Me profesionalizmin dhe ekspertizën e saj, Agjencia e Akreditimit do t’i qëndrojë afër Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, me të cilën do t’i bashkërreshtojë veprimet, me qëllim që të arrihen sa më të mira rezultatet në fushën e sigurimit të cilësisë, të mobilitetit akademik, të transferit të dijes, si dhe të zhvillimit e progresit të gjithmbarshëm shoqëror.

Ne e kemi kuptuar, që reforma në arsim nuk është një akt i izoluar, por një proces i tërë, që duhet të përcillet nga një varg veprimesh të kujdesshme.

Jemi përballë sfidave të ndryshme përbrenda fushës së arsimit të lartë, si zhvillimi i qëndrueshëm dhe ngritja e cilësisë, të cilat kanë filluar të adresohen me programin qeverisës e atë legjislativ.

Aktualisht, arsimi i lartë në Kosovë ballafaqohet me një hulumtim shkencor modest, që rrallë e ushqen politikbërjen e edhe më rrallë e mundëson ndryshimin.

Ekziston shpërputhje e madhe ndërmjet nevojave të tregut të punës dhe programeve të studimit që ofrohen.

Andaj, avancimi i politikave dhe kornizës ligjore në fushën e arsimit, është një nga aspektet në të cilat duhet fokusuar në vijim.

Në këtë frymë është hartuar edhe Projektligji për Agjencinë Kosovare të Akreditimit, i cili presim, që në afatet optimale të kalojë edhe nëpër procedurat e Parlamentit për t’u finalizuar me miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në hartimin e këtij projektligji janë përfshirë të gjithë akterët relevantë, ekspertë nga MAShTI, Agjencia e Akreditimit, përfaqësues të komunitetit akademik, donatorët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile.

Natyrisht, presim që edhe deputetet të japin kontributet e tyre, të cilat do të jenë të mirëseardhura në kuptimin që të kemi një Ligj sa më cilësor dhe gjithëpërfshirës.

Me këtë bazë ligjore përmbushim edhe një detyrim të marrë përsipër në kuadër të përpjekjeve për rianëtarësimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Edukim të Lartë (ENQA) dhe në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).

Por, ende mbetet punë për t’u finalizuar ky proces, meqenëse ekzistojnë edhe një mori kërkesash, të cilat duhet të përmbushen dhe na duhen përpjekjet e përbashkëta për të arritur atje.

Gjithashtu, më duhet të përgëzoj transparencën që ka treguar AKA në vitin që po e lëmë pas. Me bordin e ri, të gjitha vendimet dhe raportet përfundimtare të ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit, janë bërë publike dhe ky është një hap i madh para, në drejtim të transparencës së plotë dhe llogaridhënies ndaj publikut. E transparenca dhe llogaridhënia e plotë, janë një nga rekomandimet e ENQA, të cilin Agjencia po e zbaton.

Prandaj, shfrytëzoj rastin të konfirmoj mbështetjen e plotë për Agjencinë në përpjekjet e saj për t’i adresuar dhe për t’i përmbushur rekomandimet, të cilat derivojnë nga standardet evropiane të arsimit të lartë.

Meqenëse synim i patjetërsueshëm i qeverisjes sonë, është rikthimi në ENQA dhe EQAR. Sa më shpejt, aq më mirë për Kosovën dhe rininë tonë. Kemi arritje në të bërit e arsimit të lartë më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm, duke hequr tarifat semestrale, por kemi ende rrugë për të bërë, që këtë nivel të arsimit ta bëjmë më atraktiv dhe më konkurrent ndërkombëtarisht.

Kështu sikurse rikthimi në ENQA, edhe të bërit e Kosovës pjesë të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë, si politika të qeverisjes sonë, nuk janë qëllime në vetvete. Ato më shumë janë si lokomotivë dhe referencë për të ngritur cilësinë në nivelet, të cilat do të bëjnë të mundur që shoqëria jonë të jetë konkurrente në nivel global.

Të nderuar pjesëmarrës,

Me qeverisjen tonë, politikëbërja është dhe do të mbetet gjithëpërfshirëse. Gjithëpërfshirja është gurthemel i politikave të suksesshme publike, ngase mundëson krijimin e një klime shoqërore, ku palët e interesit, ndihen si pronarë të të gjitha atyre vendimeve, që dalin nga ato politika, të cilat rregullojnë fushëveprimtaritë e tyre. Në rastin konkret, institucionet e arsimit të lartë duhet të ndihen të përfaqësuar në politikëbërje dhe pronarë të vendimeve institucionale. Ne jemi, pra, për një politikëbërje, e cila përparon vazhdueshëm drejt ngritjes së cilësisë, duke e ruajtur sigurinë ligjore dhe duke krijuar ambient të përshtatshëm për konkurrencë të shëndoshë në tregun e arsimit të lartë.

Roli, përgjegjësia e punës dhe koordinimi i të gjitha hallkave institucionale, është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Besoj fort që me kontributin e të gjithëve, rezultatet pashmangshëm do të jenë afirmative. Bashkë mund të bëjmë të mundshëm arsimin cilësor në vend, që i nevojitet gjithsecilit prej nesh.

Ju faleminderit.

Burimi/drini.us/