“Kur katundi shkencor refuzon historinë e shtetit apo të kombit! Kush është ajo mendje diabolike shqiptare apo e huaj, që e ka sugjeruar këtë kurth akademik?!”

0
43

Nga Shaban Murati

Akademia e Shkencave shpalli zyrtarisht se do të shkruajë “Historinë e shqiptarëve”. Gjithë Akademitë e shteteve të qytetëruara kanë shkruar “Historinë e Amerikës”, “Historinë e Rusisë”, “Historinë e Francës”, “Historinë e Gjermanisë”, “Historinë e Italisë”, “Historinë e Suedisë”, etj. Historiografia shqiptare e realizmit socialist shpik “Historinë e shqiptarëve”, pra të fiseve, të tribuve, të bajraqeve, dhe refuzon historinë e shtetit apo të kombit.

Kush është ajo mendje diabolike shqiptare apo e huaj, që e ka sugjeruar këtë kurth akademik? Madje Akademia e qokave degradon aq poshtë, sa mohon dhe vetveten, sepse jo larg, por në vitet 2002-2008 ajo ka botuar në katër vëllime “Historinë e popullit shqiptar”. Pse pas 10 vitesh u dashka një histori e re me tre vëllime?

Tani revolucionarëve të katundit nuk u duhet as shteti, as kombi e as populli. U duhet vetëm fisi. Kështu shqiptarët i provojnë akademikërisht botës tezën e fqinjëve, që shqiptarët nuk kanë as histori shteti, as histori kombi dhe as histori populli.

Historianët e fisit të katundit, të fisit të krahinës, të fisit të ideologjisë së vjetër dhe të partisë së vjetër, i ka zgjedhur qeveria me dorë si Nastradini kokrrat e rrushit, me qëllim që narrativa e ribotuar historike t’i ribotojë fisit tapinë e pushtetit politik në Shqipëri.

Qeveria e zgjuar jo më kot ka caktuar në grupin historishkruesve ca historianë të fishkur, që kanë 30 vjet që merren dhe jetojnë vetëm me politikë, dhe që gjatë 30 viteve kanë qenë 24 orë në ditë me mbledhjet e partisë, me listat e votuesve nëpër katunde për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me ankesat në kolegjet zgjedhore dhe me rekrutimin e anëtarëve nga fisi i vet, kanë vjelur politikën dhe parlamentin, dhe nuk kanë pasur kohën as të studjojnë, as të rrëmojnë nëpër arkiva dhe as të lexojnë. Ata kanë mbetur aty ku e nisën: te Ramiz Alia.

Kur i thanë një politikani të njohur në Shqipëri përse nuk shkon të shërbesh si mjek në spital tani në kohën e pandemisë, ai u tregua realist dhe deklaroi se pas 30 vitesh ndërprerje ai nuk e ndjen më veten mjek. Por si qenkan shkencëtarë ca shkrues të tanishëm qeveritarë, që edhe pas 30 vitesh në politikë shprehen “gjithmonë gati!” të ribotojnë “historinë e shqiptarëve”, siç e don partia dhe qeveria.

Ata e braktisën shkencën në 1991, sepse nuk e donin shkencën, dhe u martuan me politikën 30 vjet me rradhë dhe tani që tejkaluan moshën e pensionit kujtohen se para erës së re kanë qenë historianë. Kjo quhet nevojë politike, jo nevojë shkencore.

Qeveria e mençur ka bërë diplomaci dhe ka emëruar edhe historishkrues me virus fqinjësor, që të na e rishkruajnë historinë e shqiptarëve siç e duan popujt fqinjë miq. Është Akademia që shkencëroi skandalin antikombëtar kur 7 vjet pas referendumit plebishitar të popullit të Kosovës të vitit 1991 për pavarësi hartoi një Platformë të famshme, ku i rekomandonte Kosovës alternativën jugosllave të republikës në Federatë.

Dhe sot e kësaj dite Akademia nuk ka kërkuar akoma falje për atë skandal, dhe ironia është se ata, që e formuluan atë tezë serbe, janë në rradhët e shkarrashkruesve të planifikuar sot të historisë së re. Po që në rradhët e tyre ka shkarrashkrues, të cilët i shkencëronin një kryeministri grek gjatë vizitës në Shqipëri se minoritarët janë autoktonë në tokën shqiptare…

Akademia tribale do të shkruajë historinë tribale me paratë tona. Rroftë katundi shkencor, që thërret shkencërisht: jashtë shteti, jashtë kombi dhe jashtë populli shqiptar!

Burimi/gazetadita.al/