“Kur putha hënën”, poezi nga Uran Kostreci

0
108

Vetëtima
U gjenda natën në një shkretëtirë
Ku rëra avuj ngrinte e shkrumb në erë
Gjyryk më shfrynte gjoksi nxehtësirë
Dhe digjte nëpër trup djersa si serë.

Kur befas nisi duke shkreptirë
E ndonjë pikë shi filloi të bjerë
Fryu fllad po ç’gaz që llapsi qielli i nxirë
E llamburitja m’zgjoi në shpirt pranverë.

Nga vezullimi i madh ngela mahnitur;
Magjinë e përshkënditjes admirova;
Aq fort shkreptimën kqyra syngulitur,

Sa nga përflakja e saj unë… u verbova.
Pak dhe më… fshiku ajo e vetëtitur
E mend më vrau se e dashurova.

Stuhia
Kjo stuhi sonte, ankth jep dhe drithërima.
Papritmas qielli sterrë ndizet flakë
Nga… gjarpërinjtë e zjarrtë shkreptima
Dhe shndritja kthehet fill në terr mbas pak.

Godit si fshikull breshri, si dajak.
Të trumbull p’rrenj plot trungje e rrapëllima
Përmbysin gjerdhe e turren më çdo prag
Si qen zinxhirkëputur me ulërima.

Po siç ia mbath fantazma kur sheh dritë,
Furtuna shpejt fashitet sapo agon.
Natyra… e lodhur shtang një çast, dremit…

Pikëlojn’ drizat, dheu avullon;
Del bagëtia, zogu çuçurit,
Sheh… diellin bari e shtriqet mugullon.

Klithmë dashurie
O vajz’ të përgjëroj mos u largo!
Nga bukuria jote i ngashënjyer
Ky shpirti flakë u ndez e mos harro
Dhe n’gjumë, për ty, fshan i mallëngjyer.

Sa her’ të shoh… flut’roj i ngazëllyer!
Ndaj mos më mbaj mëri! Mos e lëndo
Një zemër që reg’tin copash… e thyer
E tek jep shpirt, ofshan “s’ka si ajo”!

Me mua o vashë në mëkat mos hyrë,
Se s’ka burim o krua a liqen
Të japë imazhin tënd! Nuk ka pasqyrë!

Ti veç te vargu im vetveten gjen:
Aty e sheh të bukurën fytyrë,
Këndon sonetin tim e rrëzëllen.

Lëngim i ëmbël
Prej teje i brengosur duke ofsharë
Un’ dergjem, vash’, lëngoj pa qen’ sëmurë;
M’e ëmbla vash’, që shoqen s’ta pash’ kurrë,
Plot hir e gaz e vrull si një ujëvarë.

Çudi, sa shum’ durova pa të parë!
M’u shfaqe sot e zemra u ndez furrë,
Un’ veç për ty, në botë, bëhem… urë,
I lumtur vdes ta di se ma shkel varrë.

Kur jam me ty, nuk kam guxim të flas;
Të iki teje, s’më bëjn’ këmbët mua;
Imazhi yt kudo më ndjek pothua.

Nga brenga, o vash’, veten sa nuk vras;
Ti vdekjen po më sjell, po t’fundmin ças
Përher’ ma shtyn se të të puth prap’ dua.
Ofelia

E hijshme, e dlirë e me një princ e vluar,
Papritmas iu shemb ëndrra, e mbuloi zia;
Iu vra pa çelur gonxhe dashuria;
E çarti jeta e vrazhdë, fati i truar.

Në shpirt kaos, me lule zbukuruar
Dhe vdekjen pa përfillur si fëmia,
Me këngë u mbyt, në lumë, Ofelia.
Si mjellma n’ujë vdiq duke kënduar.

Me lule për qefin dhe lumin varr,
N’reflekse uji imazhi i saj mbeti
Zambak i bardhë, shtojzovalle deti…

Ndaj midis valësh lumi ujë llagar,
Po pe zambak fill’kat e duke qarë
Ësht’ Ofelia që desh princ Hamleti.

Jeta vazhdon
Fund viti sonte. Aheng, turmë e ngaz’lluar,
Fushqeta e britma; shashka tuj kërcit;
Një karusel vjen qark e un’ hutuar
Çapitem në dëborë e sodit.

Shoh qiellin nxin, shoh drunjt’ qefin-mbuluar,
Neoni mbi vitrina llamburit;
Ca shpallje vdekjesh era i ka rrëzuar
I shkelin çunat n’akull tuj rrëshqit.

Tre paskan vdekur sot…! Po festa zjen…
Dollira e këngë, njer’zit brohorijnë,
Për vdekje, atyre, as ndër mend s’u bjen.

As futem grup dhe un’ me k’ta që pijnë.
Ngre gotën se kjo mbase enigmën gjen,
Enigmën pse ca ikin e ca vijnë…

Pranverë e vonuar
Gjat’ dimrit në saksi mbolla me dorë
Një lule që e vyshkur vegjetonte,
Me ujë e spërkatja atë prorë
E dheun, shpesh, ia nd’rroja mos… lëngonte;

E vija të flladitej lulja e gjorë
Në ajër e ku dielli rrezatonte;
Në dhomë e futja porsa zinte borë,
Me frymë e ngrohja, ajo lot… pikonte.

Po dimri u thye, o lule, ftohma shkoi.
Një gonxhe e bukur që shkëlqen me vesë,
Të ndrydhur kush të pa, të mëshiroi;

Tash që po çel, u ngjall të gjith’ve shpresë.
E freskët kjo pranver’ sivjet qëlloi,
Ngadal’ po vjen si nuse me vonesë.

Trishtim vjeshte
Rrebeshi u ndal, rrëketë kan’ shteruar;
U hapën retë, për një çast, në qiell.
Gjethnaja e zbetë duke pikëluar,
Nga shiu e larë… vetëtin në qiell.

Lulishtes – porsi nuse von’ martuar
Venitur e përlotur – turp i ndjell
Duvaku i verdhë gjethe varfëruar
E ndrojtja e saj, oh, pikëllim më sjell.

Si kjo lulishte e zverdhur ngelur shkret,
Trishtim’n e vjeshtës kam në shpirt; mërzi.
Sa shokë e miq, humor e gaz në jetë.

Kur qe pranver’! Tash heshtje dhe vetmi.
Më mir’ stuhia ku shpërthejn’ rrufetë
Sesa kjo vjeshtë e vakët… zbrazëti.

Lajthitja e zemrës
Mbas shum’ vjet burgu vatrën e shtëpisë
Rrënuar gjeta e ngela në sokak.
Si qiell që nxin në motin e stuhisë,
U ngrysa kur dikush më tha: “O plak!”

Për vitet shkuar dëm të djalërisë,
Për veten derdha, tinës, lot farmak.
U ndrydha në guaskën e vetmisë,
Po shpirti, për jetë… etur, digjej flakë.

Aher’ një vashë syzezë me gërsheta
Më vizitonte e fllad er’ lulesh binte,
E bukur e freskoshe qe si jeta.

Nga qeshja e saj, pranverë llamburiste
Kasollja e zemra ime. Ah, zemër shkreta!
Që ardhur pati… vjeshta nuk e dinte.

Këneta e Vloçishtit
Je thar’ nga skllevër o kënetë e zezë
E shumë aty u groposën gjallë!
Moçal që katandise në vorrezë,
U mpikse me gjak robi e me kokallë.

Ç’nur paske, o Vloçisht, këtë mëngjez
O fush’ që pjell panxhar, ndon’se jo rrallë
Çukitin kocka, plisave, ca shpezë!
Po kur turistë vijnë, u thuhet vallë

Që robër t’fjalës lirë at’ moçalishte
Me thonj e thanë uritur e cullak;
Gjith’ baltë e duke hequr… osh kërbishte

Llucë anash hidhnin, zhytur në batak;
Gjakosur nga shushunja e kallamishte,
Nga t’rojave goditje me dajak!

Kur putha hënën
Un’ qysh i vogël hënën adhuroja;
E ruaja kur dilte e kur fshihej;
Sa her’ qafonte… yje fërgëlloja,
Psher’tija kur mbas resh ajo përhihej.

Çmos bëja ta puth hënën, por nuk zihej!
Vrap sy përpjetë e ndiqja e kur ndaloja,
Dhe hëna atje lart… e lodhur shtihej:
Qëndronte se… e dinte që e doja.

Një natë, hënën shoh zhveshur… si vashë
Tek… lahej në liqen e llamburiste!
I dashuruar sipër saj rashë

E putha, e putha fort… ajo nuk fliste!
Mbas pak u shtri në ujë, u zhduk… s’e pashë
Veç lart në qiell u ngjit e më sodiste.

Burimi/exlibris.al/