Kur themelonim Partine Demokratike, kur benim histori(nga libri Dhjetor 90 Mbaj mend..)

0
160

Grimca kujtimesh për ngjarjet që shëmbën diktaturën….
Dr. Bislim Ahmetaj*
Ideja per ti shkruar kujtimet e mia për lëvizjen studentore më është dukur e largët, kryesisht per faktin e thjeshte se Une jam Ketu, NE, protagonistët e atyre ngjarjeve, Jemi Këtu. Por pas kaq vitesh, përpjekjet për ta revizionuar historinë, për t’i paraqitur shpesh protagonistët si figura të dorës së dytë, apo edhe më keq, kur sheh vet dhunuesit e lirisë duke u shitur si sjellës të saj, atëherë shkrimi i kujtimeve nuk është më një akt personal, por një përgjegjësi qytetare.
8 dhjetori për mua “filloi” me 2 korrik 1990
…Bashke me nje miken time L.H iu afruam stacionit të autobuzeve të Kamzës para ish-Lidhjes se Shkrimtareve. Shumë udhëtare që sa vinin e shtoheshin. Autobuzët e linjës po vonoheshin. Diku nga ora 20 vjen një autobus fizarmonikë, i cili, akoma pa u ndalur, stërmbushët, derdhet, shoferi proteston dhe nuk niset. Pas pak vjen edhe një autobus tjeter. I bie goma. Shoferi bashkë me fatorinën fillojnë të bejnë gomën edhe pse njerëzit nuk u bindën dhe nuk zbresin prej tij. Filloi të bjere muzgu, po vinte erresira. Dicka nuk po shkonte si duhet, Morëm rrugën drejt agjensisë së biletava tek stacioni Kombinatit. Aty kishte edhe më shumë njerëz. Përballë ambasadës Turke. E rrethuar me policë. U kthyem në heshtje tek vendi ku kishim qënë. Në sheshin e vogël midis Lidhjes së Shkrimtarëve dhe nevojtoreve publike. S’kaluan më shume se dhjetë minuta kur një Ifë policie më specialsat e 326, të veshur rëndë dhe me shkopinjë gomë, demonstruan në rrugën e Kavajes. Heshtja vrau gjithçka. Njerëzit filluan të rralloheshin. Autobuzi gomërënë ishte në stacion ndërsa njerëzit ishin strukur poshtë strehëve të godinave përreth. Pas kalimit të dytë të Ifë-s së specialsave, u dëgjuan klithma dhe britma të pazakonshme. Pyeta se çfar po ndodhte nja dy-tre kalimtarë të frikësuar. S’mora asnje përgjigje veç një si lloj përçmimi për injorancën time. Ora e kishte kaluar 9-ën. Udhëtimi për në qytezën studentore të ILB-së dukej i pamundur. Vendosa të rrija tek godinat e Fakultetit te Mjekësisë. Kalova gjithë ankth në rrugën para hotel Internacional. Heshtje varri sikur s’kishte pas njerëz kurrë në këtë rrugë, pak metra pa dalë tek reklamat e kinemase nga shkalla e një pallati në të majtë me foli një djalë i ri, me fytyre te përgjakur: “A ka polic andej nga po kalon ti?”. E pash dhe s’ju besova syve: këmba e tij dukej si nje cop mishi qe i shkonte pas trupit të tij dhe gjaku ia kishte mbuluar fytyren. “Mos leviz-i thashë- se polici ka kudo”. Tek reklamat e kinemase mu ndal fryma: ç’të shihje? Aty ku kanë qënë shatrivanet ishin nja dy tre qind vetë të mbetur si në një ishull, para meje ishin tri gardhe uniformash ushtarë apo gardistë me lopata xhenjere, policë me automatikë kallashnikovë dhe rreshti i trete më policë dhe operativë që lëviznin nga rrjeshti në rrjeshtë. Qënia i shoqëruar me një vajzë më ligshtoi por edhe më dha fuqi. Në shkallët e Pallatit të Kulturës kishin mbetur si të ngrirë rreth 50 apo 60 djem të rinjë prej të cilëve për herë të parë në Shqipëri kam parë shenjën e ngritjes së dy gishtave. Këtë shënjë e kisha të fiksuar nga protestat e studentëve të Prishtinës që në 81-in. Heshtja kishte mbytur gjithcka “çava” rrethimin e parë, të dytin, të tretin, s’guxoja të shihja asnjë në sy me bisht të syrit shihja fytyrat e njerëzve të ngujuar tek shatrivanët. Kërcitja e takave të sandaleve të mikes time LH ishte e vetmja gjurmë e zëshmë në Sheshin Skenderbej edhe pse në të ishin së paku pesë-gjashtëqind vetë duke llogoritur edhe forcat e policisë, gardës dhe Shkollës së Bashkuar. Rruga nga Reklamat e Kinemasë deri tek Hotel Peza mu duk se zgjati nje shekull. Frika se sapo të dilja tek Hotel Peza do të më arrestonin më ishte lidhur në tru edhe pse e dija se s’kishte kurrfarë arësyeje. Në fakt nuk ndodhi asgje në ngushticën midis Hotel Pezës dhe 15 katëshit kërcitja e takave erdhë e u bë edhe më e dëgjueshme. Tria gardhet e policilë i kaluam “pa as më të voglin shqetësim” djersë të ftohta ma mbuluan trupin. Ifa-t e policisë më spontat e mbrapme të hapura dhe të mbushura me polic erdhën nga rruga e Barrikadave dhe prenë kryqëzimin e rrugës së Dibres dhe shkuan drejt monumentit te Ushtarit të Panjohur. Këmbë njeriu s’kishte në rrugën e Dibrës, prej nga mora rrugën për të shkuar te godinat e Fakultetit të Mjekësisë, tek farmacia 10 ku ishte dhoma jonë në godinen 4, kati i parë. Në godina ishin përforcuar rojet me punonjës të sigurimit dhe s’behej fjalë të hyje as vet në to pale të mund të marrish një vajzë në godina djemsh. Mora nga dritarja dy batanije dhe u sitemova për një natë në Fushën e Zezë tashmë tregu i veshmbathjeve. Ishte hera e parë në jetën time që degjoja aq shumë sirena policie, ambulance, zjarrëfikse, bilbila policësh, ajo natë zgjati njëmijë vite. Të nesërmën dt 3 korrik kam bredhur gjithë ditën nga ambasada Italiane të ajo Gjermane. Në oborrin e ambasadës gjermane pash bashkëqytetarët e mi futbollistët e shquar të kombëtares shqiptare të asaj kohe Halit Gega dhe Fatmir Hasanpapa si dhe Musë Motinë. Fatmirin e kisha pasur shok shkolle bile edhe banke, me ftoi me kembengulje që të futesha ne ambasade por…, tjetër destinacion më kishte përshkruar fati.
Me dt 5 korrik shkova në vendlindje. Familja ime ishte me pushime në Valbonë, askush s’dinte gje për mua më kishin shkruar si të ngujuar në ndonjeren prej ambasadave perendimore në Tiranë. Kur u takova me ta, nëna si mbajti lotët, ndërsa baba u çel në fytyrë dhe të gjitha rrudhat mbi ballë mu duk se iu shtrinë. Pastaj me Arbrin biseduam gjatë, pa fund, aq sa s’na mjaftonte koha as për të marrë frymë. Radio Zëri i Amërikës dhe bisedat tona pa fund na bindën plotësisht se pranvera shqiptare do të vinte në mos në vjeshtë, në dimër të atij viti.


Viti akademik i ’90-es nuk nisi si të tjerët. Në të gjitha auditorët, sekretarët e partive zv. dekanët ushtarake, dekanët, rektorët dhe ndihmësit e tyre mblodhën studentët dhe në vend që tu uronin mirëseardhjen dhe fillim të mbarë të vitit akademik zbrazën breshëri sharjesh dhe anatemash për studentët dhe pedagogët që ishin arratisur nëpër ambasada apo dhe nga kufjtë tokësor nga dy korriku dhe përgjatë asaj vere që do ti printe pranverës së demokracsë shqiptare. Nga fakulteti ynë ishte mbyllë në ambasadën Franceze, Gjovalin Gjeli një pedagog i ri nga Shkodra me të cilin ishe i lirë të flisje hapur kundra regjimit me ore të tëra. Njohës i shkëlqyer i frangjishtes, gjermanishtes, italishtes, ai, kur nuk fliste kundra regjimit, mesonte anglisht. Kishin ikur edhe disa student njëri nga Tropoja Musa Gjongecaj, nja tre-katër tjerë, një nga Durrësi që e kisha njohur ndërsa të tjerët as që më kujtoheshin. Leksionet e para të shtatorit dështuan plotësisht. I ngarkuari me punë për të bërë diskretitimin e “armiqve” në kursin tonë u ndie keq kur i thashë se “ish kolegu juaj Gjovalin Gjeli ka qënë nje pedagog shembull dhe keni qenë pikerisht ju që e keni lavdëruar para nesh jo me larg se para gjashtë shtatë muajsh”.
Katër detaje me katër përsonazhe ne ILB…..
I pari me pedagogen e filozofisë znj. Zana Bufi, e shoqja e ish-kryeministrit Ylli Bufi. Plenumet e “liberalizimit” apo të shthurjes së socializmit krijues të Ramiz Alisë kishin shpikur mendimin ndryshe, apo si me thëne shfaqjen e mendimin të lirë pa pasoja. Seminaret e orëve të filozofisë ishin liberalizuar në njëfarë mase dhe në njërin prej tyre unë po i pëgjigjesha nje pyetje “kreative” të zj Bufi: “Cila filozofi është më e përshtashme për popullin tone?”. Ishte pak a shume pyetja, ndërsa përgjigjia ime ishte afërsisht kjo: “Ne teorikisht jemi marksistë-leniniste, realisht jemi ekzistencialistë, pasi po jetojme në kushtet e mbijetesës ekonomike, ndërsa sipas mendimit tim ne duhet te jemi pragmatistë, në mënyrë që të shfrytëzojmë të gjitha burimet e mundëshme për të pasur një mirëqënje më të lartë”. Edhe pse pjesës teorike të shkruar në libër iu kisha përgjigjur relativisht mirë, përgjigja ime u ndëshkua me notën katër.
Lëndën e Socializmit e zhvillonim me Stefan Koçollarin, të birin e Sotir Koçollarit, në atë kohë Kryetar i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Profesor Stefi ishte natyrë njerëzore dhe liberale, thërriste dikë nga ne dhe i thoshte ta bënim mësimin te Korpusi se “nuk e merr kush vesh që nuk e kemi zhvilluar orën e mësimit”. Ka ndodhur të ma thotë edhe mua “socializmi ka dështuar si filozofi, por meqë është në program mësimor duhet të bejmë, sikur e bëjmë”. Ka qënë pranvera e vitit 1990. Dhe ashtu bëmë përgjatë të gjithë simestrit. Në fund na mblodhi në një klasë dhe na pyeti e cfarë notash dëshironim të na vinte.
Arratisja e Kadarese….
Linja Tiranë-ILB ishte gjithmonë e tejmbushur, sidomos në oraret e mëngjesit kur studentë, pedagog dhe personeli, shtypeshim nëpër autobuzët firzamonikë si të ishin thas të mbushur me byk. Ajo linjë ishte më e përsekutura ndër linjat urbane të Tiranës. Kur zbrisnim na dukej sikur kishim ardhë nga Tropoja apo Tepelena dhe jo nga Tirana, që ishte afërsisht 6 kilometer. Duhet të këtë qënë data 27 tetor. Tirana ziente nga deklarimi një natë apo dy më parë i arratisjes së shkrimtarit Ismail Kadare. E njëjta klimë ishte edhe në autobuzin e linjës Tiranë-ILB atë mëngjes. Kur u sistemova pak më mirë dhe po mundohesha të mbahesha diku, sytë e mi u ndeshën me sytë e motrës së Kadaresë. Kadria një grua e paktë sa një grusht që punonte redaktore në Shtepinë e Propagandës Bujqësore në ILB. Vendi rreth e rrotull saj ishte i lirë, sikur ajo të ishte “e prekur”. Ia kishin kthyer shpinën të gjithë. Ajo, pas atij vështrimi të ngrohtë e miqësor që mori prej meje, sërish i zhyti sytë në fletët e grisuara të fizarmonikës së autobuzit. Iu afrova, ia vura dorën në sup dhe i thash: “Mos u bëj aspak merak nga kjo mënyrë sjellje e kolegëve, ti prap se prap je e motra e shkrimtarit të madh. Do të kaloj shpejt kjo gjendje!” Sytë e saj u mbushën dritë, një diell vezullues ia mbështolli krejt fytyrën. Unë e kisha provuar në kurrizin tim këtë mënyrë të sjelluri poshtruese më shumë për ata që e praktikonin se sa për ata që e pësonin. Ajo ma shtërngoi fort dorën, shtrëngim që më përcolli mirënjohje dhe ngrohtësi. Një gjest i vogël solidariteti nga ana ime, por që na ka bërë miq që atëherë. Se çfar mendonin të tjerët as që më interesonte.
Me 6 dhjetor……
Rektori i ILB Haxhi Aliko njihej prej të gjithë studentëve si nje burrë me kualitete shkencore të pa diskutueshne. Leksionet e tij ishin jashtë mase tërheqëse, kurrë s’mbante ndonjëri mend që të kishte përdorur ndonjë sentencë politike apo cituar ndonjë udhëheqës gjatë leksioneve të tij. Ishte titullari i lëndës së fiziologjisë. Fiziologjia dhe partia për atë nuk perbënin ndonjë binom, siç mundohej dikush të gjente në çdo lloj shkence. Me 6 dhjetor Profesor Aliko dukej ndryshe. Po na lexonte një artikull të gjatë të Zërit të Popullit, po iu bënte komente fjalëve të Ramiz Alisë dhe këto në leksionin e fiziologjisë me kursin e II-të të zeo- veterinarisë ku isha i pranishëm. “Leksioni” i tij qe i politizuar në ekstrem. Foli gjatë për situatën në vend, në rajon, në botë, u ndal ngeshëm tek hapat që po merrte Ramiz Alia për liberalizimin dhe demokratizimin e jetës së vendit, e lidhi zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri me situatën ne Kosovë dhe duke ngritur tonin tha se këto zhvillime në Shqipëri po dëmtojnë rënde çështjen e Kosovës …!
Mu dhimbs ai burrë për atë lodhje. Isha i sigurtë se nga të gjitha sa kishte thënë s’besonte as nje përqind të tyre. Me zor e mbaroi detyrën e ”lugës së gjellës së prishur” që ja kishte dhanë me “bujari” Skender Gjinushi dhe shtoi pyetjen e rëndomtë: ka dikush ndonjë gjë për të thënë?
Pashë sallën e madhe të leksioneve. Heshtje varri. Ngrita dorën, mu dha fjala. “Ne po vuajmë për një gotë ujë, ne s’kemi një batanije për tu mbuluar, edhe ai që e ka, ka të grisur. Ne ushqehemi keq, ne s’kemi asnjë kusht për të mesuar. Ky system ka dështuar në të gjitha planet dhe nuk mund të mbahet më me propagandë apo me dicka tjetër. Duke e ndryshuar këtë system, përkundrazi asaj që besoni ju, ne në fakt e ndihmojmë zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që përmendet ju, profesor!”. Kam thënë edhe nja dy a tri fjali të tjera, që s’mund t’i riprodhoj por, për ta mbyllur e kam mbyllur me fjalinë standarte të asaj kohe: “Të paktën ky është mendimi im…!”. “Shyqyr që është vetëm mendimi yt!”, mu përgjigj ftohtë profesor Aliko. Auditori kishte heshtur si uji varri. Askush nuk e hapi gojën. Kapa shikime që e miratuan mendimin e Profesorit, por shumica e tyre siç do të vërtetohej dy-tri ditë më vonë kishin qënë të një mendje me mua. Vetë Profesor Haxhi Aliko, në një intervistë për gazetën “Studenti i Bujqësisë” dhënë mua në rolin e gazetarit, diku nga janari i ’91-shit qe shprehur: “…të kam adhuruar për guximin dhe kurajon, pasi në ato ditë mund edhe të shkoje në burg. Ne nuk e besonim që ndryshimet do të vinin aq shpejt sa erdhën!”. Dua të veçoj edhe një gjë nga kjo intervistë me Prof Haxhi Alikon: ai është nga intelektualët e parë dhe të vetëm deri sot e kësaj dite që ka kërkuar falje publike para opinionit për heshtjen dhe mos kallzimin e realitetit në vendet përendimore, ku dilnin të përkdhelurit e regjimit per kualifikime shkencore. “Heshtja jonë ia ka zgjatur jetën diktaturës-është shprehuar ai-falë Zotit nuk heshtët ju dhe ia shkurtuat jetën asaj”.
8 dhjetor darke vonë……
Në qëndren studentore të Fakultetit të Mjekësisë, ku unë jetoja bashkë më vëllain tim Arbër AHMETAJ, student në Farmaci, dikur vonë nga ora 12.00 e natës erdhi lajmi nga Qytetin Studenti, se qindra studentë në krye të të cilëve ishte Azem Hajdari ishin përleshur me policinë. Kjo e fundit kishte nderhyrë në mënyrë brutale dhe sipas atij që na tregoi, mund të kishte shumë të vdekur por, numri i të plagosurve ishte shumë i madh. Lajmsi ishte ushtarë në shkollën e Zall Herrit nga Tropoja. Shumë rezervistë i kishin sjellë në Tiranë në mbështetje të forcave speciale që aso kohe thirreshin “sampista” apo bishat e Tiranës. Lajmsi-fatkeqësisht s’më kujtohet emri i tij-e njihte Azemin dhe bash për këtë, duke i njohur lidhjet tona të gjakut dhe miqsore, kishte ardhë tek dhoma jonë për të na treguar. Arbri nuk ndodhej në dhomë. Me disa shokë u nisëm. Për të mbërritur në Qytetin Studenti kemi ndjekur një rrugë të mundimshme të sigurtë që rrugët normale duhet të ishin të mbushura me policë. dhe ashtu kishin qënë në të vertetë. Kemi hyrë në Qytetin Studenti nga kaldaja pastaj në mënyrë kaotike jemi bashkuar herë më një grup herë, me një tjeter deri sa morëm vesh se një përfaqësi me ne krye Azem Hjadarin kishin shkuar në takim me Ramizin. Ndoshta nga ora dy e natës apo edhe më vonë jam takuar me Azemin përballë godinave 15-16. Situata ne këtë kohë ishte e qetë edhe pse tensioni ndihej kudo. Numri i studentëve në rrugë në atë orë nuk i kalonte të 500. Përreth Azemit ishin numri më i madh i tyre të gjithë flisnin dhe askush s’dëgjonte dukej se bisedat ishin rreth asaj se cdo të bejmë nesër. Pasi i kemi shtërnguar duart dhe përqafuar me Azemin, ai më është drejtuar: “Duhet ngritur Insituti ne këmbë, Mjekësia, Ndërtimi, të gjitha qëndrat studentore përndryshë këtu na rrethojnë dhe na mbytin të gjithëve. Po u ngritëm të gjithë do të fitojmë s’kanë çfarë na bëjnë s’mund ti vrasin gjithë studentët e Shqipërisë”. Fliste si një strateg i sprovuar ndër beteja, me flokët e gjatë që i valëviteshin mbi lëkurën e zezë të meshinit. Toni i lartë sikur thyente gurë me dhëmbe përzier me shpirtin e tij të aventurës më sollën ndërmend një krahasim që me vonë s’më është dukur fort i gjetur Azem Hajdari si Che Guevara. Ato fjalë të tijat unë i mora si urdhër. Gjatë verës në një bisedë me Azemin në Bajram Curri ai qe shprehur: “O vdes o e rrezoj këtë rregjim të kalbur”. Me kaq mbaroi takimi. Unë e mora detyrën. E dija se ç’duhej bërë. Në ILB në darkë ishte djegur gabina elektrike e godinës nr.2, një grup prej 20-30 vetësh kishin dalë deri tek amfiteatri. Ndërkohë qëndra studentore e ILB-së kishte qënë e rrethuar nga autoblinda dhe forca të shumta policie
Në mëngjesin e datës 9 dhjetor….
Kam zbritur tek Fakulteti i Veterinarisë. Më dukej vetja si një misionar, si Shejti Pal, që zbriti në tokën e të parëve tanë për të lajmue se feja kristjane asht feja e zotit të vetëm. Edhe mua më dukej sikur vija nga Jeruzalemi (Qyteti Studenti) që të përhapja farën dhe dritën e demokracisë. Dy oret e para kanë qënë me leksione. Një mundësi e mirë për të pasur një përqëndrim të madh të studentëve. Në më të parin auditor që kam trokitur kam gjetur duke lektoruar me kurset e prara të veterinarisë të nderuarin dhe përkrahësin tonë të parë Prof. Vladimir Spahon, pedagog i biologjise. Protokolli ishte i thjeshtë: “Profesor dua të bej një njoftim të rëndësishëm për studentët! A ka mundësi që të dilni pak jashtë që të mos implikoheni në këto që unë dua t’ju komunikoj studentëve!”. Profesor Spaho me tha unë jam I implikuar kështu që fol ctë duash. “Fjalimi” im përmblidhej në këto fjalë: “Dua t’ju njoftoj se mbrëmë vonë policia ka rrahur, masakruar, përgjakur vëllezërit dhe motrat tona studentë në Qytetin Studenti! Ju bëj thirrje ta ndërpresim mësimin dhe të solidaroizohemi me ta derisa kërkesat e tyre, që janë edhe tonat, të gjejnë zgjidhje të plotë. Në orën 9 do të ketë një miting të madh tek amfiteatri! Shihemi atje!”. Një spurdhjak verdhacuk, i ardhur nga nuk e di se cila depo helmesh apo plehrash të kooperativa, i ulur në rrjeshtin e parë, u ngrit duke thënë se ato që kisha deklaruar ishin shpifje!!! Profesor Vladimir Spaho nuk e çoi më gjatë: “Leksioni mbaroi, shihemi atje ku tha Bislimi”! Në këto kujtime s’dua të përmend emra njerzish që përdorën njëmij sjellje të poshtra për të më penguar në këtë mision. Por…, një ditë do ti shkruaj të gjitha! Kur jam ngjitur tek Fakulteti i Pyjeve, ai i Veterinarise e kishte leshuar mesimin ne masen 90 përqind. Me dy tre studentë të njohur kam bërë të njëjtën gjë edhe tek Fakulteti i Pyjeve, që gjendet ngjitur me Amfiteatrin. Ndërkohë grupet e studentëve po zbrisnin nga Fakulteti i Agronomisë dhe atij të Ekonomikut. Amfiteatri ishte i tejmbushur, kurrë në historinë e tij s’kishte pas aq shumë njerëz në të! Disa djem kishin negociuar me pallatin e kultures që të vihej fonia por atje kishte rrezistence deri sa “të fortët” i detyruan që ajo të instalohej në skenën e amfiteatrit. Duke mos pasur asnje protokoll, asnje organizim kanë folur në atë mikrofon mbarë e prapë shumë studentë. Jam ngjitur edhe unë, me flokë të gjatë, me nje kostum me katrorë, kemishe të bardhë dhe me një kollare meshini blu e hollë… “Ne studnetët e ILB solidarizohemi me protestat e studentëve ne Qytetin Studenti dhe jemi plotësisht dakort me kërkesat e tyre! Deri sa të marrin zgjidhje kerkësat e tyre që janë edhe tonat, në ILB nuk do të zhvillohet mësim! Ne do të qëndrojmë këtu ku jemi deri në realizimin e të gjitha kërkesave. Mbrëmë policia ka masakruar vellëzërit dhe motrat tona në qytetin studenti. Ju bëjmë thirrje të gjithë pedagogëve tanë që të solidarizohen me ne! Nga amfitetri është prodhuar si me magji parulla “pedagogët janë me ne” Fjala ime është shoqëruar me duartrokitje dhe ovacione të forta. Me ndjesi të përziera frike, trimërie, heroizmi, por në fund të fundit i përfshirë nga emocione shumë të forta, e kam mbyllur fjalën time me këtë thirrje: “Ne do të fitojme, studentët do të fitojmë!”, thirrje që u shoqëua me ovacione të gjata dhe u shndërrua në parullë menjëherë. Mu duk se fjala ime ngjiti, dhe ngjiti fort! Këtë e lexova në vështrimin e shumë e shumë studenteve, vajza dhe djem por e hetova edhe ne vështrimet plot dashamirësi të shumë pedagogëve që ishin bashkuar me ne. Ky ishte fjalimi im i parë politik para një mase të paktën dy- tre mijë studentësh. Adhurimi dhe vështrimi i të tjerëve me ka berë të ndihesha krenar për guximin dhe për misionin që kisha marrë. Ai miting ka vazhduar gjatë, por e rëndësishme ishte se në ILB s’do të behej mësim deri në plotësimin e kërkesave të studentëve, deri sa të themelohej Partia Demokratike e Shqipërisë.
Pa kaluar një orë, në afërsi të rektoratit, dikush më tha se po më kërkonin në rektorat. Para rektoratit na kanë urdhëruar të hypim në një “aro” policie shtatëvendeshe. Urdhërat i jepte i plotëfuqishmi i zonës R.H, i cili na “garantoi” se bëhej fjalë thjesht për një verifikim.. Mbaj mend ti kem thënë që “po të na ndodhte gjë, ai do të mbante përgjegjësi personale!”. “Kam urdhër t’ju çoj deri në rajon dhe atje do të sqarojmë gjithçka!” Na çuan në rajonin e policisë së Kamzës, ndërkohë në Amfiteatër është marrë vesh “arrestimi” ynë. Për hirë të së vertëtës përvec presionit psikologjik asnjë prekje me dorë apo dicka tjetër, thjeshtë na kanë pyetur për emra, mbiemra, dhe gjeneralitete te tjera. Ai që na mori në pyetje ishte një civil që se kujtova dhe nuk u intersova kurrë për të. Ia përsërita edhe atij atë refrenin e përgjegjësisë personale nëse do të na ndodhte gjë dhe se do të përgjigjej shumë shpejt. Ai më tha se po e kërcënoja i thashë se ishte më mirë që gjërat të ishin të qarta: ti do të jesh përgjegjës! Ndërsa degjonim në radiot e policisë se situata në Amfiteatër po përkeqësohej, dikush raportoi se studentët mund të niseshin për të rrethuar postën e policisë. Pas një gysmë ore na liruan, pasi kishim kaluar rreth dy orë të ngujuar. Kur na thanë se ishim të lirë për tu larguar, duke na kujtuar se do të na thërrisnin prap, ne na u dha të brohorisnim: fitore fitore! Jemi kthyer tek amfiteatri i cili është perfshirë nga një entuziazëm i lartë. Kthimi ynë është festuar si fitorja e dytë e asaj dite mbi diktaturën. E para, organizimi braktisjes së mësimit dhe mitingu tek amfiteatri, dhe e dyta, po aq e rëndësishme, fitorja kundër dhunës, frikës dhe presionit policor!
Takimi i Ramiz Alisë me studentët ….
Nga ILB u zgjodhën 5 studentë për të qenë pjesë e dërgatës së studentëve në takimin me Presidentin. Ndërkohë që ne bënim zgjedhjet në ILB, në qytetin Studenti, shifrat e grupit përfaqsues kishin lëvizur herë pas here. Nga 55 të parashikuar në fillim, kishin zbritur në 25 studentë e 5 pedagogë. Ajo që më kujtohet ka qenë m ërritja jonë me shpirt në fyt në orën 18 para godinës 15. Kam komunikuar me Azemin. I thashë se përfaqësia e ILB duhej të përfshihej në dërgatën e studentëve në takimin e me Ramiz Alinë. Azemi më tha “Është zvogluar numri Bislim, do kishim bërë diçka më përpara por tani është shumë vonë për ndryshime!”. Kur pa zhgënjimin në sytë mi ai mu afrua dhe më tha: “Ne do mbrojmë intersat e gjithë studentëve, në fund të fundit ti mos u bëj merak, Arbrin e kemi në delegacion…!”. Në atë moment më është përzier hatërmbetja me humorin: “Kjo s’është punë shtëpie o Azem! Meraku im i vetëm është përfaqësimi i studentëve të ILB në këtë takim! S’më ka marrë malli ta shoh apo ta takoj Ramiz Alinë”. E kaluam me shaka këtë situatë duke huazuar nga historia mbërritjen me vones të Isa Boletinit në shpalljen e Pavarësisë ne Vlorë. Autobusi Saviem u nis përmes një ovacioni dhe emocionesh të papërshkrueshme. Me turmën disa dhjetëra mijëshe pritëm në sheshin Demokracia kthimin e dërgatës së studentëve nga takimi.
Pas dëgjimit të fjalimeve të Azem Hajdarit, Arben Imamit, Sali Berishës, Gramoz Pashkos etj si dhe transmetimit me zë të takimit të studentëve në pallatin e Brigadave ku qe rënë dakort që të nesërmen studentët të shkonin në mësim, unë me një grup të vogël studentësh morëm përsipër të dërgojmë lajmin. Atë natë kam takuar Sali Berishën për herë të parë. Pasi iu prezantova se çfarë përfaqësoja më përgëzoi për solidarizimin dhe organizimin e shpejtë në ILB dhe përmendi tre emra pedagogësh në ILB që duhej ti njoftoja në emër të tij që ti bashkoheshin themelimit të partisë. Prof. Rexhep Uka u përgjigj qysh të nesërmën, dy të tjerët erdhën disa ditë me vonë. Aty nga ora 24.30 u nisëm drejt sheshit të taksive tek Avni Rrustemi. As që behej fjalë të kishte taksi atë natë, në atë orë! Premtimi për të çuar lajmin e fitores tek studentët e ILB-së ishte i shenjtë për ne. Binte një shi imcak që të lagte deri në palcë. U nisëm në këmbë. Kemi qënë të paktën dhjetë vetë, me shumicën e tyre jam njohur atë natë , nuk e di se për sa e kemi bërë atë rrugë, ndoshta për dy orë. Të stërlagur kemi mbërritur në godinat e ILB-së, nga ora dy e natës. Rrugët ishin krejtësisht të boshatisura, asnjë këmbë njëriu s’kemi takuar, asnjë makinë, as policie, as civile! Vetëm ne dhe nata e dinim se cfarë po ndodhte! Ishim bartës të një të vërtete që na i ngrohte zemrat, të një ngjarje të jashtëzakonshme, ishim lajmësit e suksesit dhe garantët që studentët duhet të ktheheshin në auditore! Shqipëria do të gdhihej me pluralizëm politik të pranuar ligjërisht e botërisht. Në orën e 6.00 e lamë të shiheshim para godinës nr 4, ne katin e parë të së cilës gjendej një dhomë që shërbente si qëndra e zërit e qëndres studentore. Thirrej ndryshe edhe Radio Studenti. Kur u zgjova, temperaturën e kisha 40 gradë, çarçafët ishin të lagur krejtësish, por më duhej të ngrihesha. Premtimi ishte në orën 6 tek qendra e zërit. Nuk e kishim çelsin, sigurisht, por pak para se ta shqyenim derën dikush e solli. Njoftimi që bëmë ka qenë ky “Motra dhe vëllezër studentë të Insitutit të Lartë Bujqësor mbrëmë vonë përfaqësia e studentëve që mori pjesë në takimin me Presidentin Ramiz Alia ka korrur një sukses të jashtëzakonshëm, të gjitha kërkesat e studentëve janë pranuar. Kërkesa kryesore, ajo e pranimit të krijimit të partisë së studentëve dhe intelektualëve është realizuar. Përfaqësia e studentëve i ka pemtuar Presidentit që sot do të rifillojë mësimi normalisht. Ju bëjmë thirrje pra, të gjithëve, që sot të rifilloni mësimin. Përfaqësia e studentëve të ILB. Ky teks është përsëritur të pakten pesë gjashtë herë atë mengjes e lexuar herë prej meje herë prej atyre katër pesë vetëve që ishim bashkë. Udhëtimit të mbrëmjes së vonë të datë 12 dhjetor 1990 i vumë emrin e një filmi shqiptar me përmbajtje të thellë komuniste ”Nata e parë e Lirisë”, ndërsa aventurave të mëngjesit të kësaj datë, emrin e një filmi po kaq të politizuar “Radiostacioni”.
Firma në listën e themeluesve…
Nevojiteshin të paktën 300 firma për t’i dërguar në ministrinë e Drejtësisë për të legalizuar partinë e parë opozitare pas gjysëm shekulli diktaturë. Im atë si shumë prindër fëmijët e të cilëve ishin vënë në drejtim të lëvizjes studentore ishte dërguar nga ndërmarrja ku punonte për të na “tërhequr”. Ai na njihte mirë dhe jo vetëm që si shkonte mendja të kryente porosinë e sekretarit të partisë së ndërmarrjes, por na inkurajoi dhe na porositi që të kishim kujdes nga provokimet. U ngjitëm bashkë te qyteti studenti atje kishte ardhur demokracia, atje ishte themeluar pluralizmi dhe partia jonë akoma e pakrijuar ishte mazhorancë. Godina nr 15 ku ishte improvizuar selia e partisë që akoma s’kishte emër gjallëronte më shumë se çdo ndërtesë tjetër në Shqipëri. Me zor kemi arritur deri te ajo që quhej zyra e kryetarit të partisë, zyra e Azem Hajdarit. Azemi u ngrit në këmbë dhe u përshëndet me babën. Më kujtohet si sot dialogu mes tyre: “A e sheh dajë? E rrëzuam diktaturën!”. “Ju lumtë o Azem veç, duhet me pas kujdes, se i ka rranjët e thella diktatura!”. “A do t’hysh në partinë tonë dajë?”. “Ju, ju qoftë për hajr! Unë s‘kam moshë për parti. Kjo është partia juaj, e rinisë, e të ardhmes!”. Pa as më të voglën modesti, unë po ndihesha krenar që po firmosja për themelimin e partisë që do të shënonte fillimin real të pluralizmit politik shqiptar, po firmosja për çeljen e një faqeje të re për historinë e kombit tim. Edhe sot e kësaj dite i kujtoj emocionet e asaj firme: Azemi ma shtrëngoi dorën pas hedhjes së firmës! Iu drejtova me këto fjalë: Azem mos harro se po bëjmë histori! Këto firma janë si firmat e atyrë që firmosën Pavarësinë e Shqipërisë!
Lekët e para në arkën e PD-së…
Partia ishte themeluar, selia e saj ishte akoma tek godina 15. Partisë tonë i mungonte gjithcka përveçc idealizmit, shpresës, vullnetarizmit dhe dëshirës pa kufi për të berë gjithçka legale që ditët në pushtet të Partisë së Punës të merrnin fund. PPSH-ja edhe pse qeveriste e kishte humbur krejtësisht pushtetin moral, ne ishim të parët, ne respektoheshim dhe shiheshim me adhurim dhe admirim pa kufi nga qytetarët, njerëzit e thjeshtë por edhe nga pedagogët dhe shefat e fakulteteve. Edhe më konservatorët ishin strukur dhe shndërruar në lëtyra servile. Partia kishte nevoj për gjithcka por më së shumti për mjete financiare. Ishte ditë rrogash në ILB e së bashku me Ejvis Havarin, me një fletore me katrora kishim zënë pritë ngjitur me zyrën e llogorisë ku pedagogët dhe stafi ndihmës i fakultetit të Veternarisë merrte rrogat. Listës i printe emri i Evis Havarit pastaj vinte emir im ne të dy kishim vënë nga 250 lek deri në orën 12.00 fletorja jonë shënonte 76 emra dhe shuma e mbledhur ishte 17.500 lekë. U ngjitëm në Qytetin Studenti në qytetin tonë të shenjtë. Merita Zaloshnja ishte financierja, llogotitarja, arkatarja dhe gjithcka që lidhej me financat e partisë tonë. I kemi dorëzuar paratë. Ajo shumë prej 17.500 lekësh hapi arkën e Partisë Demokratike! Morëm edhe një mandate pagese të cilin ia besova Evisit. Për fat të keq se pash më as fletorën, as mandatin. Koha, pakujdesia…! Rradha për të dhënë donacione po shtohej. Nuk më hiqen kurrë nga mendja një çift i moshuar: përmes emocionesh shumë të bukura e të thella dhanë 500 lekë. Qenë prindërit e Dortian Nepravishtës, i cili shkruante për gazetën Studenti
Një natë duke shaptilografuar programin minimal të PD-së
Ilir Dema, pedagog informatike, jepte mësim tek Fakulteti i Shkencave dhe i Veterinarise. Në të njëjtën kohë ishte edhe informaticien i Ndërmarrjes Bujqësore 17 Nëntori. Zyrat e kësaj ndodheshin afërsisht aty ku është sot AMC-ja. Kompjuterat në atë kohë ishin të rrallë. Që Gramoz Pashko kishte një kompjuter dhe që me të qe shkruar e shtypur programi minimal i Partisë, e kishte marrë vesh e gjith Tirana. Por edhe NB “17 nëndori” kishte një kompjutër të fuqishëm dhe po të tillë e kishte edhe printerin. Përgjatë gjithë natës kemi printuar programe të Partisë Demokratike, plote 300 copë me nga 4 faqe. I printonim, i lidhninm. Të nesërmen në mëngjes kemi shkuar te selia e PD-së e vendosur në Rrugën Fortuzi në një vilë. Në hollin e madh të katit të parë gjetëm Arben Imamin. I lamë programet dhe shkuam për të krijuar seksionin e Partisë Demokratike tek “serat”, aty ku sot është mbikalimi i madh në hyrje të Tiranës. Iliri më prezantoi si një udhëheqës të lartë të partisë. Shumë kush në ato ditë të para është paisur me një dokument nga Azem Hajdari që autorizonte propagandimin e programit dhe krijimin Partisë Demokratike! Unë kisha privilegjin të isha i paisur me këtë autorizim! Na prisnin të paktën 100 punëtore. Për fat të keq, kohët rrodhën rrëmujshëm e gati asnjëherë nuk na u dha rasti të ritakoheshim me ata njerëz. Ata më pyesnin unë jepja përgjigje! Sa shumë është sofistikuar dhe sa shumë i është larguar qytetarit politika e sotshme! Atëherë hynim në debate, flisnim me pasion, mbronin programin tonë, në fund të fundit u thonim njerzve se as ne nuk i dinim akoma shumë gjëra, që koha do të na mësonte në rrugën tonë të përbashkët. Por për një gjë i garantonim se ne kurrë nuk do të persekutonim, dënonim njeri për arsye politike, se ne do t’i linim njerzit të lirë të gjenin atë që ishte më e arsyeshme dhe më e favorshme që ata të bënin në jetën e tyre. Tu thoje njerëze në atë kohë që të dielave nuk do të kishte më aksione, por pushim në shtëpi me familjen, dukej e pabesueshme. Nejse, u dhashë përgjigje sa munda atyre pak pyetjeve që më bënë për programin minimal të PD-së që prezantuam. Akoma s’kishte dokumenta partie, regjistrimin e anëtareve e bëmë në një fletore katër lekëshe me katrora. Nga të paktën 100 pjesëmarrës në atë takim u regjistruan si anëtarë të PD-së 35 vetë. Duke u larguar, dëgjuam një puntor që po tallej me një shokun e vet: “Ti pa ikur akoma nga partia e vjetër u rrase në të renë…!”. Fenomen që ndodhte bukur shpesh në atë kohë. Në darkë listën ia dorëzova Azem Hajdarit në zyrën e tij, në katin e dytë të selisë në rrugën “Fortuzi”. Më pas, nga këto lista kemi dorëzuar përditë, si njeri i aksionit politik në terren unë nuk merrja vesh se çfarë bëhej me to, ku përfundonin, ai regjistronte njeri, ai i ruanin diku apo jo! Mbledhja e parë tek “serat” më ka mbetur në mendje si një ngjarje që më mbush plot me emocione dhe nostalgji për atë Dhjetor të ngrohtë, të cilit i dhuruam gjithë dijen, forcën, energjinë tonë. Ai ua ktheu me bujari shqiptarëve: na shndërroi në njerëz të lirë…!
Në fund të këtyre kujtimeve të shkruara jo pa nxitim në njërin prej vendeve ku vetëm pak muaj më parë është rrëzuar nga pushteti diktatori Mubarak edhe pse e di që sdo të mund ti përmend të gjithë ata që morën pjesë aktive në atë dhjetor të shenjtë s’mund ta lë pa i përmendur të paktën disa prej tyre që janë skalitur në kujtesën time si i ndjeri Avdyl Matoshi , Osman Stafa, Engjëll Agaçi, Shpetim Balia, Pjerin Spathari, Myslim Murrizi, Ejvis Havari, Albert Avdyli, Arben Zajmi, Luigj Viluni, Gjok Vuksani, Fetie Laçi, Ilir Zeneli, Fran Prebibaj, Rifat Muhametaj, Sokol Sylejmani, Sokol Frroku, Qamil Bardhi, Ukë Rrustemi, Muarrem Coba, Arben Kurmeka, Izet Duro, Shkelzen Matoshi, Gani Lulja, Shkelqim Hoxha, Ram Oruci, Gëzim Gjoni, Avni Cara, Agron Elezi, Shkelqim Draçini, Pal
Të atyrë petagogëve që ju bashkuan lëvizjes tonë me guxim e kurajo të paparë qytëtare ndër të cilët spikatën Rexhep Uka, Vladimir Spaho, Gjergj Borova, Fredi Brahushi, Skender Xhiku, Astrit Deliallisi, Tefta Shahini, Myzejen Hasani, Fatos Harizi, Besnik Gjongecaj, Ruzhdi Keci, Myzafer Cela, Dashamir Xhaxhiu, Ilir Kume, Ilir Kaduku, Vilson Bozgo, Shaban Caslli, Zerko Beqiraj, Ilir Dema, Luan Zyko, Eduart Zaloshnja, Myqerem Tafaj, Petrit Rama, Lefter Klimi, Pirro Veizi etj
*Autori është firmëtar i pluralizmit politik shqiptarë, pjesëmarrës në grevën e urisë së studentëve në shkurt të 91, në ’90 ka qënë student i vitit të dytë ne Fakultetin e Mjekësisë Veterinare në ILB, aktualisht drejton Grupimin “Dhjetor ‘90” një organizatë që promovon dhe ruan vlerat e Levizjes Studentore të Dhjetorit 90 dhe asaj të Shkurtit ‘91,

Burimi/Facebook