Kurz dënon sulmin terrorist, autori konfirmohet me prejardhje nga Maqedonia e Veriut

0
154

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz dhe ministri i Brendshëm Karl Nehammer të martën paradite mbajtën një konferencë për mediat ku dhanë detaje nga sulmi terrorist që tronditi të hënën në darkë Vjenën.

Ministri Nehammer konfirmoi se një nga dy të dyshuarit si terrorist, i cili u vra nga policia, ishte 20-vjeç me dyshtetësi austriake dhe nga Maqedonia e Veriut.

20-vjeçari, sipas raporteve të policisë austriake, ishte me precedent të mëparshëm penal.

Kancelari Kurz dënoi ashpër sulmin terrorist, duke këmbëngulur se “për këtë ngjarje, Austria nuk duhet të dënojë të gjithë besimtarët e një feje” pasi kjo “është një luftë mes njerëzve që besojnë në paqe dhe atyre që besojnë te terrorizmi”.

Policia tha se i dyshuari kryesor për sulmin u vra rreth orës 20:09, pak minuta pas nisjes së të shtënave.

Nga sulmi, që ndodhi në të paktën gjashtë vende në qendër të Vjenës, humbën jetën pesë persona ndërsa 17-të të tjerë u lënduan, prej të cilëve 7-të janë në gjendje të rëndë.

Rreth 1 mijë punonjës policie u angazhuan mëngjesin e së martës për sigurinë e qytetit duke vijuar kështu gjendjen e alarmit.

Policia aktualisht po vijon aksionin për kapjen e të dyshuarit tjetër për aktin terrorist. Deri më tani thuhet se janë bastisur 15 banesa ndërsa janë arrestuar disa persona./Re.D/Fjala.al