Kush ishte Luan Borova ?

0
317

Luan Borova u lind në Shkodër në vitin 1957, në një familje shkodrane. Deri në moshën 14-vjeçare ai studionte për instrumentin e fizarmonikës. Arsimin profesional e nisi në shkollën artistike “Prenkë Jakova” në Shkodër në vitet 1971 – 1975, në klasën e trombonit. Puna në fizarmonikë dhe sukseset e tij mbeten fryt i këmbënguljes dhe vullnetit të fortë që kishte nisur që në moshën 10-vjeçare.
Koncertet e para i jep në qytetin e tij, në Shtëpinë e Pionierit, më pas në klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”, në shkollën artistike “Prenkë Jakova”, dhe në Teatrin “Migjeni”. Gjithashtu ne vitet 1975 – 1976, punon si drejtues në klubin e rinisë “Heronjtë e Vigut”, ku dha shumë koncerte si solist apo si drejtues i një formacioni rinor me këngë qytetare shkodrane si dhe të muzikës argëtuese. Në vitin 1979 kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Tiranë, me rezultate të shkëlqyera. Ai ishte virtuoz në fizarmonikë, i shkëlqyer në trombon, luante në piano dhe i formuar në disiplinat muzikore.


Në 23 vitet e aktivitetit të tij artistik (1979 – 2002), si profesionist në Teatrin “Migjeni”, një vit si udhëheqës artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë, jo vetëm ruajti përfaqësimin e spikatur muzikor të qytetit të Shkodrës, të këngëve të Shqipërisë së mesme e të Kosovës por e bëri atë më cilësore, më autentike, më të pranishme e të dashur kudo, në mbrëmje muzikore, skena, sheshe, studio e ekrane radio-televizive në Shqipëri, Kosovë e kudo ku jetojnë shqiptarët.
Si drejtues artistik, me Luan Borovën kënga qytetare Shkodrane, e Shqiperisë së mesme dhe ajo e Kosoves, për herë të parë në historinë e shoqërimit orkestral, krijoi raporte në bashkëtingëllimin e formacionit orkestral me solistin. Tingulli bëhet i rëndësishëm për shoqërimin e këngëve qytetare. Evoluimi i ndjeshëm që pësoi kënga qyetare shkodrane është i lidhur ngushtë me punën e tij si orkestrues. U bë reformator në këtë aspekt të rëndësishëm të këngës. Nëpërmjet orkestracionit zbuloi tek kënga emocione të reja, e ngriti atë në hapësira të padëgjuara më parë. Fondi i tij përmbledh dhjetra e qindra këngë të orkestruara dhe ekzekutuara prej tij, të ripunuara në disa variante të cilat përmblidhen në mbi 600 këngë qytetare shkodrane, të Shqipërisë së mesme dhe të Kosovës.
Në bashkëpunim me Luan Borovën shumë këngëtarë u bënë individualitete të spikatura edhe në shkallë kombëtare dhe ndër këto bashkëpunime mund të përmendim artistë si: Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Florinda e Ndrekë Gjergji, Bujar Qamili, Myfarete Laze, Vasil Marku, Filomena Leka, Mimoza Rama, Mukades Çanga, Enriketa Kuqani, Violeta Zefi, Bashkim Alibali, Eduard Jubani, Frederik Ndoci, Rita Ndoci, Broz Gocaj, Vjollca Luka, Adnan Bala, grupi “Karajlat që ka Shkodra”.
Vetëm me këngëtarin Bujar Qamili “Mjeshtër i Madh”, ka realizuar mbi 50 regjistrime dhe 3 koncerte recitale.


Megjithëse nuk përbën fushën kryesore të veprimtarisë së tij artistike, ai kompozoi këngë për fëmijë, këngë popullore, muzikë për dramë dhe muzikë argëtuese. Shkodra i është mirënjohëse këtij artisti për zhvillimin që i ka dhënë këngës qytetare shkodrane dhe muzikës në përgjithësi. Për të gjitha këto arritje në vitin 2002 Këshilli Bashkiak i Shkodrës e vlerësoi me Titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 kolegët e tij artistë, muzikantë e këngëtarë organizuan një koncert madhështor me krijimtarinë e tij, regjistruar dhe transmetuar nga Radio Televizioni Publik Shqiptar; Në vitin 2006 Unioni Artistik i Kombit Shqiptar e vlerësoi me Titullin “Mirënjohja e Unionit” me motivacionin: “Për krijimtari me vlera të larta artistike”; Në korrik 2007 në Festivalin e përvitshëm Folklorik-Tipologjik Kombëtar të zhvilluar në Shkodër u akordua titulli “Luan Borova” për orkestrën më të mirë të atij festivali (fituar nga orkestra e Elbasanit) dhe në po atë vit u realizua dokumentari kushtuar Luan Borovës, i titulluar “Shpirti i përbashkët”.
ga viti 1979 deri në vitin 1993 ka realizuar si drejtues dhe udhëheqës artistik nga 4 premiera në vit, duke përfshirë mbi 40 këngë qytetare dhe të muzikës së lehtë, të cilat gjenden në fondin e arkivit të Teatrit “Migjeni”. Në çdo premierë ka realizuar 2 deri 3 numra solistikë duke përfshirë muzikë klasike dhe muzikë të tipit argëtues. Në fondin e Radio Shkodrës ka rreth 600 realizime të këngëve me formacione të ndryshme dhe orkestracione të reja, duke krijuar modele të këngës. Në arkivin e RTSH gjenden 2 koncerte të mëdha me këngë qytetare: I pari në vitin 1984 dhe i dyti i përket vitit 1987. Në vitin 2001, në kuadrin e simpoziumit mbarëkombëtar të këngës qytetare shkodrane, Luan Borova realizoi një koncert me 36 këngë shkodrane ku pati rolin e solistit, drejtuesit, orkestruesit dhe udhëheqësit artistik, si dhe përgatiti mbi 20 këngëtarë.
Në vitin 1980 u realizua një koncert me këngë qytetare shkodrane me formacionin “Grupi Popullor i Radio Shkodrës”, i zhvilluar në një turne në mbarë Kosovën, ku Luani kishte rolin e drejtuesit dhe orkestruesit, me udhëheqës artistik, “Artistin e Popullit” Pjetër Gaci.
“Artisti i popullit” Çesk Zadeja për këtë formacion do të shprehej kështu: “Mund të thuhet pa frikë se është grupi më i mirë që ka përfaqësuar ndonjëherë Shqipërinë jashtë kujve shtetërorë”.
Luan Borova ka dhënë dhjetëra shfaqje në shumë vende të Evropës dhe në SHBA për shqiptarët gjithnjë në rolin e drejtuesit. Ai u vlerësua me çmimin e dytë në Festivalin e Këngës në Radio Televizion në vitin 1999 me këngën “Të ndez një shpresë” kënduar nga këngëtarja Myfarete Laze.
Po ashtu kontributi i këtij artisti qëndron edhe në fushën e këngës për fëmijë si instrumentist e më vonë si krijues. Vlen të theksohet kontributi i tij në punën me këngëtarët e rinj në periudhën kur punoi në estraden profesioniste si: Diana Alibali, Rita Shita, Mimoza Selimi, Arjana Qalliu, Shqiponja Lishi, Enver Shaqja, Rubin Mati, Arjan Elezi krahas këngëtarëve me përvojë si: Frederik Ndoci, Rita Ndoci, Luigj Alia etj, si dhe në vitet pas 1990-ës me këngëtarë si Alma Velaj, Hajro Pepa, Valmira Katana, Blerta Cina, Ervin Bushati, Arben Sinani. Me 13 tetor 2011, Presidenti i Republikës i asaj kohe z. Bamir Topi dekoroi Luan Borovën me titullin “Mjeshtër i Madh” (pas vdekjes) me motivacionin: “Për kontribut të shkëlqyer në ruajtjen dhe zhvillimin e këngës tradicionale shkodrane, të Shqipërisë së Mesme dhe asaj në Kosovë”.

Burimi/Facebook/Per Ty Shkoder