Kuvendi i Lezhës, ngjarja më e rëndësishme në historine e popullit shqiptar

0
186

‘’Skenderbeu e donte me një mënyrë të veçantë Lezhen’’ (M. Barleti )

Kuvendi i Lezhës, me 2 mars 1444, është ngjarja më e rëndësishme në tërë historinë e popullit shqiptar. Me vendimet që mori ky Kuvend i Madh si dhe me rrjedhojat historike që ai krijoi, me epopenë skënderbegiane njëçerekshekullor, i vuri shqiparët në llogoren e parë të luftës antiosmane për mbrojtjen e atdheut dhe Evropës kristiane nga barbari osman.Çlirimi i vendit me Kryengritjen e vitit 1443, ishte një fitore historike e Skënderbeut që duhej mbrojtur me çdo kusht. Perandorisë Osmane, fuqisë ushtarake më të madhe të kohës, Skënderbeu ia njihte mirë forcën dhe e dinte fort mirë, se nuk mund t’i bëhej ballë pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe ekonomike, si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Për zgjidhjen e këtyre detyrave ai gjykoi mbajtjen e një kuvendi të përgjithshëm, ku të përfaqësoheshin të gjithë fisnikët e vendit dhe zhvilloi paraprakisht takime me ta, si rrjedhojë e të cilave u vendos që të mbahej në Lezhë një kuvend i madh. Lezha kishte një pozitë gjeografike tepër të favorshme për mbajtjen e kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të kuvendit, veçanërisht me ato të Dukagjinëve e Kastriotëve. Që me Gjonin, t’atin e Skënderbeut, qendra e gravitetit të Kastriotëve, kishte kaluar në trevën bregdetare të Bregamatit, Fushë-Kuqes e Shufadajës, e cila si në veri, (në Lezhë) ashtu edhe në jug të saj (Durrës) kishte zotërimet e Venedikut në Shqipëri. Porti i Shufadajës, si dhe Kruja kryeqyteti, për Skënderbeun, krijuan një pozitë shumë të përshtatshme gjeopolitike për lidhjen me Perëndimin antiosman.


Marin Barleti, në librin e tij “ Histori e Skënderbeut” vlerëson shumë këtë vendim të peshuar të Kastriotit për thirrjen e Kuvendit në Lezhë, për të cilin shkruan:

“Edhe në të zgjedhurit e vendit, Skënderbeu veproi me po atë urtësi e maturi. Kështu, që të mos i linte përshtypjen se kujdesej më fort për nderin e vet, se të të tjerëve dhe që të mos mbetej asnjë shteg për dyshime, nuk i thirri princërit në Krujë. Por ai nuk i thirri as në Apoloni, as në Denjë, as në Zhabjak, apo në ndonjë qytet tjetër të Epirit, me qëllim që t’mos linte për të tjerët ndonjë arsye zilie apo bishtimi, sepse ka njerëz që gjërat e veta i ngrejnë më shumë se të tjerëve; prandaj dhe ata, duke i çmuar vendet e veta jo më pak, por më tepër të denjat, me siguri që ose do të tërhiqeshin me zor në vendet e të tjerëve, ose nuk do të pranonin të vinin fare. Në një largësi prej pak më shumë se 22000 hapash nga Kruja dhe ndërmjet kësaj e Shkodrës, ndodhet qyteti i Lissos, të cilin me një emër më të zakonshëm e quajnë Alessumin ( Lezha). Këtu u pa e udhës që të bëhej mbledhje edhe për shkak se vendi ishte vetiu i përshtatshëm, edhe për arsye se ndodhej nën sundimin venedikas, që e pëlqenin dhe e kishin fort për zemër të gjithë princat.’’

Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt me 2 mars 1444 në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve të mëparshme antiosmane, si dhe pjestarë të tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin; Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andrea Topia (bashkë me dy djemt, Kominin e Muzaken dhe të nipin Tanushin ), Gjergj Stres Balsha, Nikoll e Pal Dukagjinin, Pjetër Spani (bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruoan dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu ( dhe pjestarë të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa, Lekë Dushmani me Pjetrin e fisnikë të tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cernojeviçi) bashkë me bijt e tij, Gjergjin e Gjonin) etj. ‘’Të gjithë princat’’, sipas Barletit, ‘’erdhen duke vrapuar me një suitë të shënuar kalorësish e këmbësorësh.’’

Vendimi më i rëndësishëm i Kuvendit të fisnikëve shqiptarë që u mor në Lezhë, me 2 mars 1444 nga kuvendarët, ishte bashkimi i shqiptarëve në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet zotruesëve të lirë dhe fisnikëve të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Beslidhja Shqiptare e Lezhës. Si kryetar i Lidhjes u zgjodh njëzëri me brohoritje Skendërbeu. Për këtë vendim, le të lëmë të flasë Barleti: “Me t’i dhënë fund fjalës Skendërbeu, princërit të gjithë u drejtuan nga ai dhe duke ia miratuar njëgojë dhe me zë të qartë mendimin, po e lavdronin fort dhe po e ngrinin në qiell si shpëtimtarin e lirisë e të gjithë lavdisë. Dhe kështu, pasi ia lanë atij të gjithë me radhë e vullnet të lirë dhe ia kaluan gadi si me dorë pushtetin, popujt, ushtritë dhe pasi ia besuan drejtimin suprem të të gjithë gjendjes e kujdesin e luftës, e zgjodhen kryetar e kapedan të tyre të vetëm.’’(Bar.’’H. Skend.’’b. 2005 f.55)

Kuvendi i Lezhës, pasi zgjodhi kryetarin e Lidhjes së Lezhës, Skendërbeun, vendosi që institucioni më i lartë të bëhej Kuvendi i Anëtarëve të Besëlidhjes, (Parlamenti i shqiptarëve) i cili do të mblidhej herë pas here për çeshtje të rëndësishme të shtetit e të luftës. Kuvendi i princave shprehte bashkimin e shqiptarëve që u arrit në Lezhë. Një vendim tjetër shumë i rëndësishëm, që morën të beslidhurit e Lezhës, me 2 mars 1444, ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët me komondant të përgjithshëm Skendërbeun dhe atij iu ngarkua detyra e organizimit të luftës antiosmane gjë që e kreu me sukses. Për këtë Barleti shtjellon: ‘’Por një gjë shumë e madhe, pas shumë zotimesh e blatimesh, qe edhe ajo e Arianitit….unë dëshiroj t’i kemë të përbashkta me ty të gjitha; ushtarët, armët, kuajt dhe çdo gjë tjetër që më shpëtoi nga armiku i mallkuar ose fati, ose trimëria këmbëngulse, por këtë ne ta caktojmë ty, o princ i pathyer i arbërve, që të quajmë kështu i pari me këtë emër dhe shpëtimtar i lirisë, pa bërë ndonjë dallim ndërmjet paqes e luftës. Ai pranoi. Pastaj shumë të tjerë e kush e kush më parë iu zotuan…për trupa e ndihmë vullnetare të paprerë.’’ (Barleti b. 2005 f.56)

Në fillim forcat ushtarake të Beslidhjes Shqiptare të Lezhës kishin karakter federal. Më vonë, me formimin e shtetit të bashkuar, u shkrinë në një ushtri unitare. Masa e luftetarëve vinte kryesisht nga fshatarsia, siç na thotë Barleti; Burrat me njëren dorë lëronin arët dhe me tjetrën mbanin shpatën.’’

Ushtria shqiptare përbëhej nga trupa të përhershme me rrogë dhe luftetarë vullnetarë që mobilizoheshin me në krye princat në kohë lufte. Trupat e përhershëm, sterviteshin dhe drejtoheshin nga Skenderbeu dhe pëbënin 8000 forca aktive kalorës e këmbësorë. Në brezin anësorë të mbrojtjes, për ruajtjen e kështjellave ishin 4000 forca tjera të përhershme nën komandën e Moisi Golemit.

Masen kryesore të ushtarake e përbente ushtria vullnetare që mobilizohej në kohë lufte e komandohej nga fisnikët dhe arrinte në 30 000 luftetarë, një ushtri e madhe kjo për kohën. Vetë Barleti na thotë se Lek Dukagjini siguronte 6000 luftetarë, kryesisht kalorës të pakarrocuar. Në ushtrinë shqiptare, Skendërbeu i jipte përparsi kalorësve që lëviznin me shpejtësi dhe këmbësorëve të armatosur lehtë. Në taktikë e strategji luftarake Skenderbeu u mbështet në traditen e popullit , luftë gurrile, aksione të befasishme si dhe ndeshje të hapura dhe luftë mbrojtëse në kështjella. Gjithnji duke ia përshtatur madhësisë së forcave të armikut. Për këtë analisti i Sulltan Muratit, që pati shoqëruar Padishahun në rrethimin e parë të Krujës (1450), Dursun Beu, shkruante me urrejtje: ‘’..Ata qafir të mallkuar, gjind të padukshëm të shejtanit, sulmonin nga malet e tyre të larta si rrufeja dhe u zbrapsnin si era duke u zhdukur nëpër pyjet e kreshtat e pa arritshme.’’

Një vendim tjetër, që Kuvendi i fisnikëve mori në Lezhë ishte krijimi i një arke të përbashkët pranë Skendërbeut. Kjo arkë përmbante kontributet vjetore të fisnikëve si dhe të ardhurat e tjera që do t’i shërbenin Skendërbeut për të përballuar shpenzimet për mbajtjen e ushtrisë, të armatimeve të saj si dhe për ndërtimin dhe fortifikimin e kështjellave. Fondet monetare kryesore të Arkës do të krijoheshin me ndihma në të holla nga secili anëtar i Beslidhjes, sipas kuotave të caktuara nga Kuvendi i Lezhës. Të ardhura të mëdha siguroheshin mga kriporja e Shën Kollit, që e kishin Kastriotët (sipas Barletit) pranë grykë-derdhjes së lumit Mat. Shuma të mëdha të ardhurash monetare erdhen nga kontributet e qyteteve italiane, ndihmat e Papës, të kishës e tregëtareve e fisnikëve evropian, që e kishin për nder të derdhin e të kontribonin për arken e Skenderbeut për të forcuar luften e shejtë për mbrojtjen e Evropës së krishterë nga barbari osman. Për gadishmerinë e princave shqiptarë për të kontribuar për thesarin e shtetit, në Kuvendin e Lezhës, Barleti na thotë se;

‘’Pastaj shumë të tjerë ( bëhet fjalë për dhuraten e majme në të hodha që dha Gjergj Arianiti) kush e kush më parë u zotuan për ndihma mjaft të mëdha, sipas gjendjes së tyre. Andrea Topia bashkë me të nipin, Tanushin, nuk mbeten prapa askujt në këtë zemergjërësi bujare. Kështu u sigurua një sasi e madhe në të hodha për nevojat e luftës. Nga kjo pastaj u përhap fjala se të ardhurat e Skendërbeut në Epir, i kalonin 200 000 para florini në vit.’’

Siç del, Beslidhja Shqiptare e Lezhës që u formua, me inisiativen e Skenderbeut, në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë mori vendime të mëdha. Ajo krijoi një arkë lufte për të mbajtur ushtrinë e përbashkët të Lidhjes, që do komandohej nga Skendërbeu. Me këto forca ushtarake komanda shqiptare me në krye Kastriotin, arriti të përballoi 25 beteja. Duke prapsur e thyer edhe forca kolosale të ushtrive perandorake të llogatura në mbi 100000 veta, të udhëhequra nga dy gjenralët më të shquar të perandorisë osmane, sulltan Murati i Dytë dhe Mehmeti i Dytë, për rethimin e Sfetigradit (1448) dhe të Krujes (1450, 1466, 1467)

Kuvendi i princave që u bë, me 2 mars 1444, shprehte bashkimin e shqiptarëve në një aleancë politiko-ushtarake, të cilën historianët e kanë quajtur Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Beslidhja Shqiptare e Lezhës, përbënte të parin bashkim të gjërë politik të shqiptarëve. Kjo besëlidhje me një evulucion të brendshëm, të diktuar nga lufta me turqit, u kthye në një aparat shtetëror, në një shtet të përqendruar që kishte si bazë zotrimet e Kastriotëve. Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm Shqiptar i 2 marsit 1444 shenuan një kthesë vedimtare në luften kundër pushtimit të huaj osman duke saksonuar epopenë më të lavdishme në Historinë e Popullit Shqiptarë, që historianët e kanë quajtur epoka Skenderbegiane. Kjo epokë, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të tërë historisë së popullit shqiptar, që la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesit osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare si dhe vetë ekzistencën e Kombit Shqiptarë.

Leka, mendohet se ka lindur rreth vitit 1410. Disa studiues thonë se ai ka lindur në Ulpianë të Kosovës, përtej Prizrenit, afër Prishtinës, që ishte një nga qendrat e një dege të Dukagjinëve, që e pati zotruar i ati i Lekës, Pal Dukagjini. Por kjo hipotezë nuk është e plotë, sepse nuk vërtetohet nga asnjë dokument i shkruar, po vetëm nga ndonjë toponim apo gojëdhënë popullore të atyre anëve. Përkundrazi, dëshmitë faktojnë se Lek Dukagjini ka lindur, është rritur dhe edukuar në Lezhë dhe në krahinën e Zadrimës që e pati zotruar i ati, gjyshi dhe stërgjyshi i tij.

Duke studjuar gjeanologjinë e degës së Dukagjinëve të Lekës së Kanunit dhe të mbështetur në dokumentat e kohës, përfundojmë në atë se veprimtaria e familjes së Lekës së Tretë është e lidhur tërësisht me krahinat e Lezhës , se ata zotronin Zadrimën me Balldrenin e Kakarriqin dhe vetë qytetin që e patën bërë kryeqytet të principatës së tyre që në vitin 1380. Në shkrimet raguziane shfaqet se në vitin 1387, stërgjyshi i Lekës së Tretë, Leka i Parë dhe vëllai i tij Pali ishin zotër të Lezhës dhe u lejonin raguzianëve kalimin nëpër trevat arbënore për tregti. Kurse gjyshi i Lekës së Kanunit , sipas Muzakës: “ Tanushi i Madh me të vëllanë Progronin…iu dhanë me qera Lezhën Venedikut në vitin 1393.”

Pema gjenealogjike e Lek Dukagjinit

Dukagjinët e Perlatit

! !

Leka – Pali – (janë zoter të Lezhës e të Balldrenit1387 )

! ! ! ! ! !

( Progroni – Tanushi ) (Tanushi+Progroni +Andrea+ Pali +Gjoni)

Besa i madh i vogel

! ! !

(Pali – Leka) (pjesmarrës në (Budomi)

! ! Kuvendin e Lezhës) ! !

(Leka–Nikolla-Roza-Mara) (Progroni+Gjergji) (Vuku+Teudori)

!

Progroni -vazhdon me- Stefanin– Palin– Gjini– Markun –Gjonin (Këtu fillon familja e madhe e Gjonmarkajve të Mirditës).

Pra, familja e Lek Dukagjinit që nga stërgjyshi i tij Leka I e deri tek i ati Pali, ka pasë banuar në Lezhë. Aty ajo kishte kryeqendrën dhe selinë dhe zotëronte gjithë trevën e Zadrimës, me qendrat, Balldre, Kakarriq e Kukël, duke u shkrirë me degët e tjera të Dukagjinëve, sipas Barletit; “…në tërë Misinë e Sipërme”. Madje edhe pas dorëzimit të Lezhës venedikasve (1393), sipas marrëveshjes së palëve, rezulton se kjo degë kryesore e Dukagjinëve, deri në konfliktin e vitit 1448 mes Lidhjes së Lezhës dhe Republikës së Shën Markut, kishte sovranitet e gëzonte privilegje të mëdha mbi qytetin. Marrëveshja, sipas O. Schmit ( te “Arbëria Venedike”, f. 128 ) u garantonte Dukagjinëve disa drejta si: “…morën një shumë prej 600 dukatësh si dhe çdo vit 1/3 e të ardhurave të qytetit, pesë shtëpi për banim dhe garanci të tjera. Si shkëmbim ato i linin Venedikut kështjellën dhe tregun e Lezhës, mbrojtjen dhe juridiksionin e qytetit. (Korrik 1393).” Edhe studiuesi M. Shuflaj na dëshmon se: “ Dukagjinët ia patën dhënë me qera qytetin e Lezhës Venedikut’’. Nga kjo del qartë se Lek Dukagjini, jo vetëm ka lindur në Lezhë, por është rritur dhe edukuar në një ambient venecian, me kulturën e humanizmit të Rilindjes italiane. Lek Dukagjini i përket njërës degë të Dukagjinëve të Perlatit, të cilët qenë vendosur me kohë në Balldre dhe zotronin Kakarriqin, Kuklin e Zadrimen, duke futur në dorë edhe qytetin e Lezhës, të cilën në vitin 1380 e patën bërë kryeqendër të principatës shumëdegëshe të Dukagjinëve. Për këtë kemi një dëshmi të vitit 1462. Mbishkrimi në arkitra, në kishën e Shna-Prenës në Balldre të Lezhës, që ndodhet edhe sot dhe u kushtohet Dukagjinëve të Perlatit të degës së Lekës së kanunit. Për të cilin publicisti e studjuesi i madh At Valentini do të shkruante: “Qyteti i parë me të cilin ndeshemi është Balldreni, toponim antik ky që do të thotë balli i Drinit, e në fakt jemi duke ecur buzë Drinit. Sot është vetëm një toponim; në të kaluarën ka qenë një fshat i lulëzuar, feud i fituar nga Dukagjinët. Kishëza e vogël që shfaqet në kodër është ndër ma antiket e këtyre anëve. Një lapidar i vogël jashtë ( kishës) shpreh devotshmerinë e Dukagjinëve të cilët rridhnin nga Perlati. Ky lapidar u ngrit në vitin 1462’’.

Mbishkrimi në lapidar si vijon: ANDO. D. MCCCCLXII

MENTO DNE FAMVLVM

TVV PERLAFARVM CVM

OLBSVISAM

‘’Kujto o Zot shërbëtorët e tu, Perlatët, së bashku me të gjithë miqtë e tyre.’’

Që prindërit e Lekës III, zotëronin trevat e Lezhës me Zadrimën, këtë e fakton edhe vetë Barleti. Kur ai shkruan për Kuvendin historik të Besëlidhjes. Ai na thotë se: “ Erdhën pastaj edhe princërit shpirtmëdhenj Nikoll e Pal Dukagjini (Pali, i ati i Lek Dukagjinit me të vëllanë Nikollën), që të dy të sprovuar për luftë…Këta zotëronin vendin përtej lumit Drin, që epirotët e quajnë Zadrimë e Sipërme deri në Misinë e Sipërme, krahinë pjellore për prodhim.” Duke qenë se prinderit e Lekës zotronin edhe qytetin e Lezhës, të cilët ia kishin dhënë me qera Venedikut, Nikoll e Pal Dukagjini, kishin autoritet të plotë në Shqiperinë e Veriut. Pas Skenderbeut u treguan më aktivit për thirrjen e Kuvendit të Princave. Madje, ata, si shtëpiar që ishin, në Lezhë hapen dyert e Kuvendit historik dhe i priten dhe strehuan kuvendarët dhe paten rol prësor në zhvillimin e kuvendit. Barleti kur bën fjalë për Kuvendin e Lezhës, nuk e përmend emrin e Lek Dukagjinit si pjesëmarrës në të, por ai shton se: “… këto princa vrapuan me një suitë të shënuar kalorsish e këmbësorësh.” Në këtë vit, 2 mars 1444, Lek Dukagjini ishte në moshën 34 vjeçare, dhe dihet se ai ishte ndër kalorësit më të shquar të familjes së madhe të Dukagjinëve, si dhe kapidan i tyre dhe kuptohet se ai ka shoqëruar t’atin, Palin dhe xhaxhain, Nikollën, në këtë kuvend të madh. Kështu Lek Dukagjini ka marrë pjesë në kuvendin e Lezhës dhe aty është takuar për herë parë me Skënderbeun, gjë që e dëshmon edhe Muzaka. Kurse Frang Bardhi i quan Dukagjinët e degës së Lekës të Kanunit, “ zotër të ligjshëm e të natyrshëm të Zadrimës.” E për këtë fakt, në relacionin që i dërgon Romës me 19 prill 1641 mbi Zadrimën e viset e tjera të lidhura me të, ndër të tjera ai shkruan: “ zotrit Dukagjinë, dmth; plaku zoti Pal Dukagjini dhe bijt e tij;Nikollë Dukagjini, Lek Dukagjini, Progron Dukagjini dhe Stefan Dukagjini ( Progroni, djali i Nikollës, Stefani, djali i Progronit) aso kohe ishin zotër të ligjshëm e të natyrshëm të Zadrimës.”(Zamputi“D.historike 1623-53”, f.283)

Leka ishte djali i madh i Pal Dukagjinit, aleatit dhe bashkëputorit të Skënderbeut në luftën antiosmane. E ëma e tij ka qenë Angjelina, motra e Arianit Komnenit, një tjetër familje fisnike Arbnore. Në vitin 1447 Lek Dukagjini, është martuar me Teudorën, motrën e vogël të Gjon Muzakës. Nga kjo martesë, ai nuk pati fëmijë. Por të dhënat e tërthorta, na japin se Progron Dukagjini, mund të jetë djali i Lek Dukagjinit, ndërsa shumica thonë se është djali i Nikollës, i vëllait të Lekës. Lek Dukagjini ishte shkaktari i konfliktit shqiptaro-venedikas të vitit 1447-48 për çështjen e Danjës. Për këtë Barleti na tregon se: “ Lek Zaharia…, u vra me të padrejtë nga Lek Dukagjini, bir i Palit. Ky (Leka) qe një burrë i dëgjuar për sukseset e shumta që pati në qëllimet e veta të këqija, megjithëkëtë, ai rridhte nga një baba shumë i mirë. Unë e shoh se si arsye e grindjes e shkak i pusisë nuk ka qenë gjë tjetër veçse lakmia e prapë për të mbretëruar, ves ky i ëmbël, që njerëzit e kanë në gjak. Këta ishin dy princër fqinjë ndërmjet tyre, por Dukagjini, duke parë se Zaharia ishte pa fëmijë, pa asnjë shpresë për trashëgimtar legjitim, e zhduku atë nga kjo botë e njëkohësisht e bëri për vete shpejt e shpejt e në mënyrë të kobshme pjesën më të madhe të mbretërisë së tij, duke menduar se ai, që do të pushtonte atë i pari, kishte për t’u bërë kollaj zot i saj.” ( Barleti “ Histori e Skënderbeut ”, f.98)

Por siç rrëfen më tej Barleti: “ Leka nuk mundi ta përmbushte krejtësisht dëshirën e vet të prapë ”, sepse mbi Dejën vuri dorë Venediku dhe kështu filloi lufta me ushtrinë e Lidhjes së Lezhës. Kuptohet se Lek Dukagjini ishte njeri i karrierës dhe i pushtetit, që nuk ndalej, jo vetëm para turqve që i kishte armiq, por për këtë “ves ” pranon të matet me Venedikun, madje dhe me aleatin e tij, Skënderbeun. Në vitin 1450, Lek Dukagjini dëboi me luftë qeveritarët venecianë nga Danja dhe u mori atyre Shasin dhe Sadrën, si dhe pjesën më të madhe të zotërimeve të Zahariajve. Por Leka në konflikt me Venedikun, i humbi privilegjet që gëzonte mbi qytetin e Lezhës. Në vitin 1456 , pas humbjes së qendrës tjetër të Dukagjinëve, Ulpjanës, e cila u pushtua nga turqit së bashku me krahinat e tjera të Dukagjinëve në Kosovën e sotme, Princi Leka e zhvendosi kryeqendrën e principatës së tij në qytetin e Sardonës (Shurdhahi). Këtë qytet e përmend edhe Barleti : “Pastaj … erdhën Sardonët dhe disa qytete e vende rreth Drishtit e Balshit ” ( Barleti “ Histori e Skënderbeut ” Infabotues,Tiranë 2005,f.49). Në këtë qytet, Leka pati vendosur selinë dhe rezidencën e tij. Edhe sot në këtë vend gjenden konturet e kishës së Princit, që me sa duket e pati ndërtuar vetë Lek Dukagjini. Ky qytet, pas vdekjes së Lek Dukagjinit (1481), u rrënua tërësisht pas pushtimit nga turqit.

Pas një lëkundjeje që kaloi, hidhet tërësisht në luftën antiosmane si aleati dhe bashkëpunëtori më i fortë i Skënderbeut. Pas vitit 1463, kur Papa Pio II ndërhyri për pajtimin e tij me Skënderbeun, Barleti na jep të dhëna të tjera për këtë figurë të rëndësishme arbërore të asaj kohe. Ai e vë atë, krahas princave kryesorë të Epirit, pas Skënderbeut, kur shkruan për luftën në prill 1467 të Skënderbeut, në momentin që ai kthehet nga Italia, për të shpartalluar rrethimin e qytetit që e mbante ushtria turke e kryesuar nga Ballaban Pasha, me porosi të sulltan Mehmetit, pas rrethimit të Dytë të Krujës. Këtë moment, Barleti e tregon kështu : “Ky, ( Skënderbeu), pasi u kthye nga Roma, mblodhi nga çdo anë dhe bashkoi në një vend një ushtri shumë të madhe dhe forca të papara e të fuqishme, dhe në të vertetë tek ai erdhën të gjithë sundimtarët… Këtë ushtri Skënderbeu e ndau në dyshë. Në krye të njërës vuri princin Lek Dukagjini, burrë aq i rrahur në punët e luftës sa edhe fatmadh, kurse në krye të tjetrës Nikoll Monetën, fisnik prej Shkodre, burrë shumë i rreptë. Këta,

(Lek Dukagjini dhe Nikoll Moneta), duke i drejtuar forcat prej Lissosit përmes fushave të Matit dhe pyllit të Jonimëve do të sulmonin armikun nga kjo anë.”

( M. Barleti “ Histori e Skënderbeut ”, f.477)

Frangu këtë moment lufte do ta shfaqë: “ Bashkë me të (Skënderbeun) shkuan edhe Lek Dukagjini me të vëllanë, Nikollën, me 4400 kalorës dhe shumë këmbësorë.. Por atje ata gjetën edhe 5000 këmbësorë të Italisë, venecianë të garnizonit të Shkodrës me 1000 ushtarë me heshta si dhe 3000 këmbësorë nga vendet aty përreth si Derivasti, Tivari, Lezha, Durrësi, që arritën gjithësej 13.400 ushtarë të zgjedhur, me të cilët Skënderbeu marshoi drejt Krujës.’’ Po sipas Frangut, para se të filloi sulmi ndaj Ballabanit, i cili mbante të rrethuar Krujën në pritje të ardhjes së sulltanit : “Lek Dukagjini foli me mjaft sinqeritet dhe e mbylli mendimin e tij me fjalën “ T’u biem!” (Dh.Frangu “Luftrat e turqve kundër Skëndërbeut ”,f.59) Kaq mjaftoi për të filluar luftimet e ashpra mes të dy palëve. Në këtë betejë, sipas Barletit, roli i Lek Dukagjinit me ushtarët e tij ishte vendimtar, ushtria turke e drejtuar nga Ballabani shpartallohet tërësisht, duke i dhënë fund rrethimit të Krujës: “Ndërsa ato të qytetit, dhe kryetanët shpërthyen me furi e vrull shumë të madh në sulm kundër tij dhe i dhanë arratinë, ndërsa njëri prej krutanëve, me emrin Gjergj Aleksi(Leka) , burrë epirot, i solli për vdekje me një të goditur dyfeku në grykë Ballaban Pashës.” Kronikani vazhdon të thotë se Lek Dukagjini nxirrte në fushën e luftimit 5000- 6000 luftëtarë, kryesisht kalorës të pakarrocuar. Eshtë i pari princ që i jep lajmin trishtues popullit për vdekjen e Skënderbeut. Barleti për këtë moment hidhërimi shkruan se:“ Lek Dukagjini, princ epirot doli me vrap në mes të pazarit (të Lezhës), me ftyrë të pikëlluar dhe me zë të lartë, duke shkulur mjekrën e flokët lajmëroi vdekjen e Skënderbeut.” Dhe më tej gjamen trishtuese të Lek Dukagjinit Barleti e shtjellon: ‘’Mblidhuni mblidhuni me vrap të gjithë, o princër e sundimtarë arbënorë. Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret e fortesat tona, sot fluturoi tërë foeca dhe fuqia e jonë, sot u përmbysen fronet e pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona’. (Barleti‘’Histori e Skenderbeut’’ f.491)

“Pas vdekjes së Skënderbeut në vitin 1468,(Dukagjinët) ndjenë një përgjegjësi më të madhe si figura udhëheqëse të malësive arbërore. Nikolla dhe Lek Dukagjini ranë në ujdi që të luftonin kundër osmanëve, për t’u dhënë ksisoj venedikasve një dëshmi të besnikërisë së tyre. Senati u gëzua së tepërmi nga kjo ofertë, ngaqë e dinte shumë mirë rëndësinë e jashtëzakonshme strategjike të sundimit Dukagjinas për mbrojtjen e Arbërisë venedike”- shkruan Schmitt te “Arbëria Venedike”, f.467. Në vitin 1468, Lek Dukagjini komandon ushtrinë shqiptare në betejën e madhe kundër ushtrisë osmane në Shkodër. Edhe në vitin 1477 , ai drejtoi mbrojtjen e Krujës së bashku me ushtrinë venedikase nga rrethimi turk. Leka luftoi me trimëri të zjarrtë në vijën e parë të luftimit, ku mbeti dhe i plagosur rëndë.

Pas pushtimit të Shkodrës nga osmanët, Leka me vëllanë Nikollën mërguan në Itali dhe të dy u rikthyen në vitin 1481 për të çliruar zotërimet e Dukagjinëve nga pushtuesit osmanë. Ata çliruan përkohësisht të gjithë Malësinë e Lezhës, po nuk arriten të marrin qytetin. Bashkë me ta zbarkoi edhe Gjoni, djali i Skënderbeut, por nuk ia arritën qëllimit që kishin për ringjalljen e shtetit të Skenderbeut. Lek Dukagjini gjeti strehë në thellësi të maleve të principatës së tij, me kryeqendër Sadrën, duke u shkrirë e bërë një me malësitë arbërore, që e mbartin në përjetësi emrin e tij. Leka ka patur ndikim të madh te banorët e Shqipërisë së Veriut. E drejta dokësore dhe zakonore lidhet fort me emrin e tij “Kanuni i Lek Dukagjinit ”. Një pasardhës i vëllezërve Dukagjini, Progroni, mundet djali i Lekës, (disa thonë i Nikollës), u kthye në atdhe në vitin 1501, së bashku me Gjergj Kastriotin “ Skënderbeun e Ri” për të udhëhequr kryengritjen antiosmane që shpërtheu në Shqipërinë e Veriut. Më pas ai ( Progroni) bëri marrëveshje me osmanët dhe mori prej tyre titullin e pashait të Dukagjinëve, si dhe qeverisjen e një pjese të zotërimeve në Zadrimë si timarli. Për këtë Oliver Schmitt shtjellon : “Si fis Dukagjinët nuk u shuan, me gjithë anëmbajtjen për Venedikun. Përkundrazi ata ia arritën që sulltani t’u linte autonomi të gjërë në malet e tyre, përkundrejt pranimit të sundimit të tij. Dukagjinët i dhanë emër fisit të tyre, një krahine të tërë Arbëre.’’ (Scmit ‘’A.Venedike’’ f.467)

Burimi/rrugapress.al