Lajmi i ditës pë Shqipërinë / SHBA ultimatum Brukselit të hapë brenda vitit negociatat me Shqipërinë: Jemi të zhgënjyer, boll me zvarritje

0
70

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Brukseli që të marrë fund bllokimi i negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një intervistë për radion “Europa e Lirë”, zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje për Europën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar u shpreh se SHBA do të donte të shihte një integrim më të shpejtë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi procesi i zgjerimit aktualisht është shumë i ngadaltë.

Pasardhësi i Matthew Palmer tha se Bashkimi Europian ashtu edhe kombet e Ballkanit Perëndimor të cilat përfshijnë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Serbinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën kanë sfida për të kapërcyer që ta bëjnë integrimin një realitet. Por sipas tij, partneriteti dhe angazhimi amerikan do t’i kthejë palët në rrugën e duhur.

“Ne do të donim të shihnim një integrim më të shpejtë sesa një më të ngadaltë. Është pak zhgënjyese të shohësh se kam shërbyer në Ballkan, jam larguar më 2001, të kthehem 20 vjet më vonë dhe të shohësh se nuk ka pasur shumë përparim në atë front ishte pak zhgënjyese. Kështu që unë shpresoj se përmes partneritetit amerikan, mesazheve amerikane dhe angazhimit amerikan, ne mund t’i kthejmë të dyja palët në rrugën e duhur. Ky ka qenë një nga proceset më të ngadalta të zgjerimit ndonjëherë. Kur e mendoni se sa shpejt e kanë arritur këtë vendet e tjera në rajon. Ne do të donim ta shihnim atë lloj dinamizmi”, tha Escobar.

Escobar kërkon nisjen e bisedimeve për anëtarësim

Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar nga ana tjetër u ndal edhe tek ndikimi i vetos së vendosur nga Bullgaria në integrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Escobar u shpreh se është e gabuar nga ana e Bullgarisë të përdorë një mosmarrëveshje dypalëshe për të ndaluar aspiratat e Maqedonisë së Veriut në BE. Ai tha se kjo çështje është kthyer në shumëpalëshe duke i prekur të gjithë. Sipas tij, SHBA do të vijë të shtyjë Sofjen për të gjetur një kompromis teksa deklaroi se duhen nisur bisedimet e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pasi e kanë fituar atë.

Burimi/gazetaz.com