Laureta Petoshati – Natën vonë në Vlorë

0
80

Poezi nga Laureta Petoshati

Është natë. Mbyllet i fundit qepen,
ndoshta dhe e fundit farmaci,
të dal në rrugë dëshira më vjen
tani, vetëm, kur s’ka më njeri.

Fëshfëritje dritash si fëshfëritje bore,
natë e vonë, e paqtë Vlore.

Dhe ajri dhe deti janë të mitë,
dhe qielli që me re parakalon,
jetën dhe kohën asnjë s’e përsërit,
kohën dhe vdekjen askush s’i ndalon.

E qetësisë, e flladit të kësaj Vlore,
unë jam dhe ndihem perandore.

Është qyteti ku linda dhe u rrita,
është qyteti që dhe në ujë lë mbresa,
është qyteti ku qëndiset pritja,
është qyteti ku drita zë shtresa.

Të mos e dua, unë ndihem fajtore,
e dua Vlorën dhe ndihem perandore!

© Vlorë më 8 janar 2022